Një konflikt me armë zjarri mes disa familjarëve në Kurbin, nga ku askush nuk ka mbetur i plagosur, ka rezultuar në arrestimin e 3 personave, ndërsa njëri është shpallur në kërkim.

Kushërinjtë kanë qëlluar me armë makinën e të afërmit 38-vjeçar, i cili po lëvizte në rrugën e Patokut. Në pranga janë vënë Gjon Laska dhe Gjon (Alfred Laska), babë e bir, ndërsa është shpallur në kërkim djali tjetër që ka qëlluar me armë, Vlash Gjoni. I arrestuar është edhe një tjetër prej kushërinjve, Elvis Laska.

38-vjeçari, ndërsa largohej ka përplasur edhe makinën, por ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Mjeti i është sekuestruar.

Njoftimi i policisë:

Qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte kushëriri i tyre, për motive të dobëta, arrestohen 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 (familjarë të njëri-tjetrit).

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, menjëherë pas kallëzimit të shtetasit P. L., 38 vjeç, se mesditën e djeshme, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte në rrugën e Patokut, ishte qëlluar me armë zjarri, u mundësuan lokalizimi dhe ndalimi i shtetasve të përfshirë në këtë rast, konkretisht Gj. L., 67 vjeç dhe Gj.(A.) L., 40 vjeç, babë e bir, dhe E. L., 28 vjeç, kushëri i tyre, të gjithë banues në Laç.

Gjithashtu, u shpall në kërkim djali tjetër i shtetasit Gj. L., shtetasi V. Gj.(L.), 35 vjeç, banues në Laç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, pas një konflikti verbal, për motive të dobëta, me kushëririn e tyre, shtetasin P. L., kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai. Nga ky rast, nuk pati shtetas të dëmtuar.

Shtetasi P. L., gjatë largimit nga vendngjarja, ka përplasur me automjetin që drejtonte, një automjet, me pasojë vetëm dëme materiale. Automjeti i 38-vjeçarit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Punohet për kapjen e shtetasit V. Gj.(L.), për gjetjen e armës së zjarrit, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, për individualizimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme. 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.