Një fakt i tillë është bërë i ditur nga Përgjegjësi i Pallatit të Kulturës në Lezhë Mark Gjoka.
Teksa ka folur për aktivitet e shumta që janë organizuar gjatë vitit 2014, Gjoka është shprehur se salla e koncerteve e Pallatit të Kulturës "Ded Ndue Lazri" shumë shpejt do të jetë edhe ambient kinemaje për lezhjanët.
”Projekti më i afërm do të jetë projekti i realizimit të kinemasë së Lezhës e cila rikthehet pas rreth 25 vitesh. Është një nisëm që është marrë nga një grup të rinjsh "Vizioni Rinor Lezhë" dhe i konkretizuar përmes një marrëveshje me kryetarin e Bashkisë Lezhë,”- u shpreh Përgjegjësi i Pallatit të Kulturës në Lezhë Mark Gjoka.
Kinemaja ekzistuese e Lezhës u prish, disa vite më parë për të ndërtuar një godinë shumë katëshe dhe ky veprim në atë kohë u kontestua nga Këshilli Bashkiak dhe qytetarët por Kreu i Bashkisë Tushaj nuk i mori në konsideratë.
Në këtë mënyrë tashmë Lezhës, do ti rikthehet sërish kinemaja dhe kjo është arritur falë punës dhe idesë së drejtuesit të Pallatit të Kulturës artistit Mark Gjoka.
Redaksia Online
(xh.k/Shqiptarja.com)