LEZHE - Hapësirat e parkingjeve do tu kushtojnë shtrenjtë qytetarëve lezhjanë. Bashkia e këtij qyteti ka propozuar që të gjitha akset dhe sheshet kryesore të jenë me pagesë për parkimin e mjeteve.

Kjo kërkesë e trajtuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak nuk është pritur aspak mirë nga vendimarrësit lokal të cilët e kanë kundërshtuar ashpër.

Shumica cilësuese e këshilltareve të majtë dhe të djathtë e kanë konsideruar absurditet një propozim të tillë, e cila sipas tyre do të penalizojë dhe rrisë ndjeshëm kostot e jetës së qytetarëve, e për këtë qëllim kanë kërkuar që kjo nismë e bashkisë të mos miratohet. 

Kundërshtitë e paraqitura nga shumica e këshilltareve ka detyruar kreun e këtij këshilli që të shtyjë për një mbledhje tjetër vendimarrjen për këtë pikë të rendit të ditës.

Në përfundim të shqyrtimit të këtij propozimi të bërë nga ana e bashkisë, këshilltarët kanë kërkuar që të ketë të tjera ndërhyrje si për uljen e hapësirave që do të jenë me pagesë ashtu edhe për rregullimin e parkingut pa pagesë për qytetarët rezidente.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)