Lezha përkujtoi në një mënyrë të veçantë 557-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu. Në nderim të kësaj ngjarje historike për kombin shqiptar, autoritetet lokale dhe përfaqësues të klerit katolik inskenuan pranë memorialit të Gjergj Kastriotit, 'Gjamën e Burrave', riti që ndoqi Lek Dukagjini me burrat e tij për të treguar pikëllimin e thellë të kësaj humbjeje të madhe për shqiptarët.
Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë Paulin Zefi solli në vëmendje figurën e Gjergj Kastriotit, ndërsa nën kryetarja e Bashkisë, Eueda Molla, tha se me 17 janar 1468, vendi ynë humbi jo thjesht një udhëheqës ushtarak, por një simbol të qendrës dhe guximit, një lider të madh që fryma e tij jeton dhe sot.
Përfaqësuesi i kishës katolike, Frat Sokol Pepushaj tha se Gjergj Kastrioti është dhuratë e zotit për kombin tonë, ashtu si edhe figura të tjera të nevojshme.
Figura e Skëndërbeut u përkujtua edhe Pallatin e Kulturës në Lezhë, ku përmes një koncerti u dëshmua dhimbja e përjetuar për ketë humbje të madhe për shqiptaret.