Banorë dhe aktivistë të fshatrave Zall-Gjoçaj në Mat dhe Lufaj në Mirditë protestuan këtë të mërkurë para Gjykatës së Lezhës, në mbështetje të tre qytetarëve të këtyre zonave, të cilët janë paditur për “fyerje” dhe “shpifje” nga kompania që ka ndërtuar HEC-et në këtë territor.
"Fjala e lirë nuk gjobitet", "Fjala e lirë nuk është krim", "Drejtësi për mbrojtësit e natyrës", "Fyerje është të të grabitet lumi dhe jo denoncimi i grabitjes", "Stop padive intimiduese" ishin disa nga pankartat që ata mbanin në duar.
Sipas të paditurve, kjo është një formë presioni e hapur ndaj banorëve, ndërsa theksojnë se është pikërisht kompania ajo që ka shkaktuar dëme të mëdha në zonë. Ata kërkojnë që drejtësia të jetë e barabartë dhe të hetohen kallëzimet që ata kanë bërë më herët për falsifikime dhe shpërdorim detyre.
Banorët dhe aktivistët shprehen se ndërtimi i HEC-eve ka shkaktuar një masakër mjedisore, duke e bërë zonën pothuajse të pabanueshme.
Përmes kësaj padie, e cila do të shqyrtohet nga Gjykata e Lezhës, kompania “Seka Hydropower” sh.p.k. kërkon shpalljen fajtor dhe dënimin e shtetasve Jorgji Locaj, Dhimitër Koleci dhe Adem Xhokola për veprat penale “fyerja” dhe “shpifja”, me pretendimin se deklaratat e tyre publike të pavërteta kanë cenuar imazhin e kompanisë.
Komente








