Lezhë, PS: Rezultati të shpallet i
pavlefshëm, KQZ shtyn vendimin

Lezhë, PS: Rezultati të shpallet i<br />pavlefshëm, KQZ shtyn vendimin
 TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë sërisht për nesër mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës ankimore të Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës. Pas diskutimeve që kanë zgjatur për disa orë, KQZ nuk ka arritur në një rezultat për këtë qark. Sipas përfaqësuesit ligjor të PS në KQZ, Genc Gjonçaj, ka një sërë problematikash të vërejtura në disa Qendra Votimi në këtë qark. Gjonçaj tha se ka mospërputhje në numrin e votuesve në qark me numrin e votuesve në lista. PS ka kërkuar shpalljen e pavlefshëm të rezultatit në qarkun Lezhë.

"Në këto 6 QV në ZAZ 15 dhe në Lezhë ka shkelje ligjore. Nga shqyrtimi i të dhënave rezulton se nga kryqja e listës së zgjedhësve nuk ka përputhje me shifrën e procesverbalit. Po kështu në QV 0907 nuk kanë qenë në Shqipëri ditën e zgjedheve disa persona, por që figurojnë në listën e votuesve. Ka 16 fletë më shumë se sa zgjedhës në QV 0907, dhe kjo tregon se ka pavlefshmëri votimi. 117 persona që kanë firmosur si zgjedhës ishin jashtë vendit. Nga akti i ekspertimit i kryer nga ekspertë të licencuar të fushës lidhur me nënshkrimet e vëna tek rubrika nënshkrimi i zgjedhësit, janë 50 nënshkrime nga e njëjta dorë, që pasqyrojnë karakteristika shkrimore të njëjta me njëri-tjetrin. numri i votueseve fiktivë në këtë qendër mund të jetë më i madh se numri real i zgjedhësve. Numri i votuesve fiktivë është më i madh se 133 zgjedhës", tha Gjonçaj.

Përfaqësuesit e PS në KQZ, kërkuan evidentimin e numrit të saktë të votuesve të këtij qarku, por që nuk janë ndodhur në Shqipëri ditën e votimit.

Duke vijuar me ngirtjen e problematikave të evidentuara nga PS në këtë qark, Gjonçaj tha se "KQZ t'i kërkojë ministrisë së Brendshme të dhënat e listave në 6 QV dhe të gjejë falsifikuesin e listave të zgjedhësve në Mamurras. Për QV 0856 dhe 0857 nuk është kryer procedura ligjore, konform nenit sipas të cilit kryetari i Qendrës së Votimit pas verifikimi të zgjedhësit, plotëson të dhënat kryesore dhe heq vizë mbi emrin e zgjedhësit. Por kjo nuk rezulton. Për QV 0857, rezulton se nga këqyrja e nënshkrimeve rezulton se janë hedhur nga e njëjta dorë, çka tregon për votim familjar".

Ndërsa, Ilirjan Muho tha se “Dyshuese ishte pjesëmarrja e lartë, në nivelin 90% në QV 0907, ndaj duhet të verifikohet pjesëmarrja dhe firmat”.

Përfaqësuesi i PD në KQZ, Njazi Kosovrasti tha se pas procesit të rinumërimit për votat e këtij qarku “u vërtetuan ato që ne pretenduam. Në seancën e djeshme vumë re se falsifikimi kishte ndodhur edhe tek vendi i numërimit. Në QV 708/1 vihet re diferencë e falsifikuar në dëm të PD, edhe në disa qendra të tjera, të cilat tashmë janë konfirmuar. Gjatë hapjes së kutive rezultoi ngjarja tjetër që tregoi se jo vetëm KZAZ kishte marrë pjesë në manipulim, por edhe grupet e numërimit e kanë vijuar këtë. Të gjitha këto ishin në dëm të PD, dhe subjekit që është favorizuar është PS. Në QV 770 dhe 769 ka pasur numërime të manipuluara në dëm të PD dhe LSI”.
Pas ngritjes së këtyre problematikave, Kosovrasti tha se “përfaqësuesit e PD në KQZ, kërkojnë që rezultati i 10 Qendrave të Votimit të materializohet sipas tabelave të rezultateve të materializuara në mbledhjen e djeshme të KQZ-së”.

KQZ, SHTYHET NE 18:00 SHQYRTIMI I ANKIMEVE PER LEZHEN DHE SHKODREN

KQZ  shtyu për në orën 18:00 vendimin për kërkesat ankimore të dy partive, PS dhe PD, për qarkun e Lezhës. Pas rinumërimit të votave në kuti u konstatua mospërputhje e votave, mbi bazën e të cilave koalicioni i djathtë mori mandatin e katërt me një diferencë prej 39 votash. Po në 18:00 do të shqyrtohet dhe ankimimi i PR për Shkodrën ku pretendon për një mandat. Shtyrja u bë me kërkesë të përfaqësuesve ligjorë të PS dhe PR.

Për 7 orë, deri rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, KQZ u mor me hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave të 10 kutive, që i përkasin qytetit të Lezhës, për të cilat PD kërkonte rivlerësim të tabelave të rezultateve të tyre, pasi mungonin tabelat origjinale. 

Në mbyllje të  rinumërimit rezultoi mospërputhje e votave, edhe mes atyre të raportuara nga grupet e numërimit në sistemin elektronik të KQZ-së për këto qendra, mbi bazën e të cilave u bë edhe ndarja e mandatit, duke i dhënë koalicionit të djathë mandatin e 4 me një diferencë prej 39 votash. Nga ana tjetër, PS kërkonte pavlefshmëri në 6 qendra të votimit në këtë qark, pasi, sipas tyre, fletët e votimit ishin më të shumta në numër se sa ai i votuesve që kishin marrë pjesë në proces.

Hapja e 10 kutive të votimit në Qarkut të  Lezhës dhe 6 kutive me materiale zgjedhore nxorri në pah parregullsitë e shumta që ka pasur në ditën e votimit dhe gjatë numërimit. 

Nëse KQZ vërteton pretendimet e PS, për pavlefshmërinë në gjashtë 6 Qendra Votimi, pritet të shikohet si do vendoset për marrjen e vendit, pasi KQZ nuk ka kuorumin prej 5 anëtarësh, dhe pritet që çështja të kalojë në Kolegj Zgjedhor.

 DALJA NE SHESH E PARREGULLSIVE
Për 7 orë, deri rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, KQZ u mor me hapjen e kutive të votimit.

Hapja e 10 kuvite u bë me kërkesë të PD -së e cila kërkonte rivlerësim të tabelave të rezultateve të tyre, për shkak se mungonin tabelat origjinale të rezultateve.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste, kërkonte pavlefshmëri në 6 Qendra të Votimit në Lezhë. Dhe u hapën 6 kutitë e materialeve zgjedhore.
 
Nga hapja e kutive u konstatua se kishte mospërputhje mes rezultatit të grupeve të numërimit dhe atij të hedhur online duke bërë që për 39 vota më shumë t’i jepej mandati i katërt Partisë Demokratike.
 
Në kutitë e hapura janë konstatuar mungesa e materialeve zgjedhore; proces-verbalit të mbylljes, regjistër të posaçëm të panënshkruar apo regjistër bosh, si dhe u konstatuan mospërputhje mes fletëve të fotokopjuara të nisura nga KZAZ-të dhe rezultateve në tabelat e KQZ.
 
Përfaqësuesi i PS-së Eridian Salianji tha se PS do të kërkojë përsëritje të votimeve në qarkun e Lezhës, ku ndodhi incidenti me vrasjen e simptatizantit të LSI-së dhe në  qendrën e votimit  në Mamurras, rezulton të kenë votuar 156 votues emigrantë të cilët, sipas PS nuk kanë qenë fare në Shqipëri.
 
 Redaksia online
(e.s/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit