Lezhë, Rama: TVSH e biznesit
në investime, jo më në xhepa

LEZHE - Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Lezha, ku zhvilloi një konsulim publik për buxhetin e vitit 2018, se aksioni anti-informalitet në biznese nuk do ndalet. Rama u ndal gjerësisht te propozimi i qeverisë për vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël, temë kjo e cila ka hapur edhe diskutime të forta nga opozita e cila e cilësuar si goditje ndaj sipërmarrjes dhe biznesit të vogël. Kreu i qeverisë tha se TVSH-ja e biznesit do përkthehet në investime dhe nuk do përfundojë më në xhepat e një grushti të pasurish siç ndodh aktualisht.

"Kemi nisur operacionin për ta çuar në një fazë të re luftën kundër informalitetit. Ajo çka nuk është normale është se beteja kundër reformës nga opozita bëhet me argumente katastrofike. Do mbyllen kaq biznese në ditë, do bëhet hataja, etj. Njësoj siç bëhej kur do zbatohej reforma në arsimin e lartë.
Ne do ta çojmë deri në fund këtë reformë për më shumë të ardhura dhe për më shumë investime. Është e papranueshme që një pjesë e të ardhurave që duhet t'i shkojë mbrapsht njerëzve përmes TVSH, përfundojnë në xhepin e një grushti të pasurish. Ne përpiqemi të bëjmë politika të drejta dhe jo politika që mbështesin të fortët ndaj të varfërve, apo kompanitë e mëdha në dëm të biznesit të vogël apo të konsumatorët. Ata që e mbështesin sot janë bërë mburojë e informalitetit", u shpreh Rama. 

Kreu i qeverisw sqaroi se biznesi i vogël e ka taksën zero deri në një kufi të caktuar, ndërsa ka shtuar se, tatimi mbi të ardhurat personale në shtet dhe privat nuk do të ndryshojnë. "Biznesi i vogël e ka taksën zero, do ta ketë zero deri në një kufi të caktuar. Mosdhënia dhe mos marrja e faturës së TVSH është arsyeja pse i bëmë pjesë të skemës. Rezulton se ka disa biznese që deklarohen si të vegjël e qahen si të vegjël por që nuk janë të tillë. Limitin 15% e kanë kompanitë e mëdha, aq do ta kenë", tha ai. 

Sa i takon rritjes ekonomike, Rama tha se synohet shifra 5% deri në fund të mandatit dhe kjo sipas tij do bëhet e mundur falë investimeve në infrastrukturë. “Sot jemi me rritjen ekonomike 4 për qind, por që të ndihet tek familjet duhet të arrijë në 5 për qind dhe ne jemi të sigurt se deri në vitin e fundit të mandatit do ta arrijmë përmes investimeve”, ka thënë Rama. Në dëgjesën publike të kryeministrit Edi Rama në Lezhë merrte pjesë edhe kryebashkiaku demokrat Fran Frrokaj i cili u shpreh se bashkia e drejtuar prej tij do bashkëpunojë me qeverinë nëse reformat rezultojnë të suksesshme. 

Investimet, Rama: Ndërtojmë rrugën Shëngjin-Velipojë
Më tej Rama ka premtuar se këtë mandat qeverisës do të realizohet plotësimi i segmentit Milot-Lezhë dhe do të nisë puna për rrugën lidhëse Shëngjin-Velipojë, e rëndësishme për turizmin. "Ne po dalim nga një situatë dramatike lidhur me investimet ku përveçse lamë një mal me borxhe, trashëguam një numër kontratash të shkruara keq. Do vazhdojmë të mbyllim një pjesë të këtyre kontratave dhe njëkohësisht do fillojmë disa vepra që janë shumë të rëndësishme. Do fillojë puna për rrugën që lidh Shëngjinin me Velipojën e cila do ketë rritje të turizmit, do jetë një rrugë strategjikle që i ka ardhur koha të bëhet. Jemi duke punuar prej kohësh për këtë projekt dhe jemi duke punuar për financimin e saj", tha Rama. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave