Shkolla e fshatit Ishull-Shëngjin është në kushte skandaloze. Janë 250 nxënës të cilët përballen çdo ditë me një ambient të tillë. Ambientet e shkollës janë tërësisht të amortizuara, banjot janë jashtë funksionit, ndërsa në kohët me shi fëmijët duhet të dërgohen nga prindërit pasi oborri është i mbuluar nga uji.

Ky është një objekt ku 250 nxënës të arsimit 9-vjeçar në fshatin Ishull-Shëngjin të Bashkisë Lezhë marrin dije. Banorët i thonë shkollë, por ajo çfarë shikohet në realitet më shumë ngjanë me një objekt ku futen njerëzit për të përballuar frikën. Kjo shkollë nuk plotëson asnjë kusht elementar për zhvillimin normal të procesit mësimor.

Godina është amortizuar saqë ka nisur ti bije dhe suvaja, banjot janë jashtë funksioni, rrejeti elektrik është i dëmtuar plotësisht, ndërsa oborri përmbytet sa herë që ka reshje shiu.

Prindër dhe nxënës thonë se kushtet në këtë shkollë janë të papërshtatshme për mësim, ndaj kërkojnë që të ndërhyhet.

Kushtet higjenike janë të papërshtashme për mësim. Ne i kemi bërë kërkese bashkisë, i bëj thirrje shtetit që të verë dorë në këtë shkollë sepse është e dëmshme për fëmijët të mësojnë në këto kushte”, tha Petrit Pali, përfaqësues i qeverisë së Nxënësve

Drejtori i Shkollës, Ded Luli, tregon se gjendja ne të cilën ndodhet kjo shkollë është e njohur për Bashkinë dhe Drejtorinë Arsimore, por deri tani ka munguar ndërhyrja.

Godina është tepër e amortizuar. Duke filluar nga soleta, suvatimi i jashtëm i brendshëm janë pothuajse jashtë çdo lloj kushti normal. Këto kushte ndikojnë në procesin mësimore edhe në shëndetin e fëmijëve. Lagështira gjatë të gjithë dimrit është e pranishme dhe ajo ka ndikimet e veta.” , u shpreh Luli.

Kjo shkollë është ndërtuar në vitin 1995 por cilësia e dobët e punimeve ka bërë që të amortizohet shumë shpejt dhe që prej asaj kohe nuk është bërë asnjë ndërhyrje tjetër duke e lënë në mëshirë të fatit.

[gallery]24612[/gallery]

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com