/ ATSH/- Kur të rinjtë behën bashkë në ide e vullnet për të përmirësuar jetën në komunitet, rezultatet arrihen shumë shpejt.
Për të rinjtë e qytetit të Lezhës, pas 20 vitesh mungesë të kinemasë në qytet, kinemaja ishte një nga hapat e parë të tyre për të ndihmuar dhe ndikuar në jetën sociale të tyre.
Ideja e kinemasë lindi rreth një vit më parë kur një grup të rinjsh të Lezhës, "Vizioni Rinor", pjesë e organizatës ndërkombëtare World Vision, kreu një pyetesor me 500 moshatarë dhe banorë të tjerë të Lezhës. Mes listës së institucioneve që do të dëshironin të hapeshin në qytetin e tyre, 80% e të pyeturve zgjodhën së pari kinemanë.
Pas kësaj, të rinjtë i parashtruan idenë bashkisë dhe në janar 2015 mes kësaj të fundit dhe World Vision u nënshkrua marrëveshja përkatëse.
Për drejtoreshën e Pallatit të Kulturës, Albana Përvathaj, "Është bukur të kesh ide dhe është e mrekullueshme kur ato realizohen".
"Hapja e një kinemaje në Lezhë, sado e thjeshtë në kushte dhe paraqitje, mbetet për ne një tjetër simbol krenarie. Ajo na mëson të mos dorëzohemi asnjëherë, pasi kur troket në dyert dhe zemrat e duhura, ato nuk mbyllen. Faleminderit të gjithëve që na jepni kurajo për të shpresuar në një të ardhme më të mirë për Lezhën dhe banorët e saj", u shpreh Arditi, njëri nga anëtarët e grupit.
Kinemaja mban emrin "Post-Drin" dhe filmi i parë i shfaqur në të, simbolikisht ishte "Dritat e qytetit", nga Charls Chaplin. Post-Drin" do të jetë së pari një kinema jokomerciale. Biletat do të kushtojnë nga 50-100 lekë të reja dhe në të nuk do të shfaqen filmat më të fundmë të kinematografisë ndërkombëtare, por do të promovohen vlerat ndër vite të kinemasë shqiptare dhe asaj të huaj.
Kinemaja do të shërbejë si një qendër ku artistët e Lezhës dhe dashamirësit e ekranit të madh të mund të mblidhen, të eksperimentojnë dhe të promovojnë krijimet e tyre.