LEZHË- Dy persona kanë përfunduar në pranga në Lezhë pasi dyshohet se mashtruan katër shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit në Kosovë. Në prangat e policisë kanë rënë: B.B. 29 vjeç dhe I.L. 24 vjeç, të dy nga Tirana.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe kundrejt shumës prej 1000 euro ata kanë mashtruar 4 shtetas që vinin nga vendet e treta, për t'i transportuar nga Tirana në Kosovë. 

NJOFTIMI I POLICISË:

Lezhë - Goditet një tentativë e kontrabandimit të migrantëve nga vendet e treta, 2 në pranga 

Specialistët e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme ndaluan shtetasit B.B. 29 vjeç dhe I.L. 24 vjeç, nga Tirana. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata dyshohet se kundrejt shumës monetare 1.000 euro kanë mashtruar 4 shtetas që vinin nga vendet e treta, për t'i transportuar nga Tirana në Kosovë. 

Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe operative u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i të dyshuarve. 

Ata akuzohen për veprat penale "Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, mbetur në tentativë" dhe "Mashtrim". Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.