Bllokimi i qarkullimit në Urën e Vjetër të Milotit, mbi lumin Mat, ka krijuar kaos në trafik në kulmin e sezonit turistik. Prej një jave, kjo urë është mbyllur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për shkak të dëmtimeve serioze në strukturë dhe themele.

Çështja është diskutuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Lezhës, ku opozita kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të shmangur kolapsin rrugor.

"Ura e Milotit po sjell përshtjellim për Lezhën dhe për krejt veriun, a keni noj mundësi si bashki?", tha Soveljan Kosova, këshilltar i opozitës.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, deklaroi se qeveria pritet të ndërhyjë në mënyrë emergjente për të riparuar urën, por nuk dha asnjë afat.

"Ka ardhur zv/ministri, drejtori i rrugëve dhe deputeti Kadeli. Ka premtim që do të aksesohet ura për mjetet deri në 3.5 ton, por nuk mund të bëhet menjëherë”, u shpreh Ndreu.

Si zgjidhje afatgjatë, Ndreu theksoi rëndësinë e ndërtimit të autostradës Milot–Balldren, një investim i mbetur pezull, që pritet të rifillojë së shpejti.

"Do hapet procedura e re, dhe do lobojmë fort sepse Milot–Balldren është e vetmja shpëtim për trafikun e Lezhës."

Deri atëherë, trafiku ne aksin Lezhe-Milot do të jetë i pashmangshëm për lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve.