LEZHE - Krimi brenda familjes godet sërish. 49 vjeçari Pjetër Marku nga fshati Kallmet i rrethit të Lezhës është vrarë me armë zjarri nga i vëllai i tij Gjin Marku. Autori i vrasjes u arrestua menjëherë nga policia. Pjetër Marku u qëllua me plumba automatiku në pronën e vëllait të tij Gjin Marku, i cili është edhe autor i ngjarjes. Krimi ka ndodhur rreth orës 10:00 pas një debati mes dy vëllezërve, për shkak se viktima kishte futur bagëtinë në tokën e autorit, vëllait të tij, Gjin Markut.

Ky i fundit kishte vetëm 3 ditë që ishte kthyer nga Italia, dhe mëngjesin e sotëm ka gjetur të vëllain duke kullotur bagëtinë në tokën e tij. Ata kanë debatuar mes tyre dhe më pas Gjin Marku është kthyer në shtëpi ku ka marre armën dhe ka qëlluar mbi vëllain, duke e plagosur rëndë atë.

I plagosuri është dërguar menjëherë për në spitalin rajonal të Lezhës ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranë ku edhe ka humbur jetën. Pas ngjarjes 47 vjeçari Gjin Marku ka tentuar të largohet në këmbë, por është kapur nga policia sëbashku me armën e krimit, të cilën e kishte hedhur kur ka pare uniformat blu.

Burime nga policia e Lezhës bëjnë të ditur se mes dy vëllezërve nuk ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm dhe gjithçka ka ndodhur pas një grindjeje të çastit, që ka për motiv dëmin e shkaktuar në tokën e Gjin Markut nga vëllai i tij Pjetër Marku.