LEZHE - Vjedhësit e materialeve për skrap po çmontojnë mbrojtëset metalike në rrugën Kodhel-Autostradë në Lezhë, të vendosur vetëm 6 muaj më parë.

Bulonat e mbetura në rrugë dhe reduktimi i pjesëve metalike tregojnë qartë se hajdutët punojnë fare të qetë gjatë natës duke i çmontuar ato.

Banorët e zonës përshëndetën investimin e munguar prej vitesh në rrugën e tyre të amortizuar, por tashmë shprehin keqardhjen që mbrojtëset e saj po çmontohen dhe askush nuk e ndal këtë krim.

Sipas banorëve të zonës, grabitësit e materialeve për skrap punojnë nën hundën e policisë sapo bie nata.

Edhe pse pikat e grumbullimit të skrapit janë përgjatë rrugës, askush nuk kryen asnjë kontroll për të bërë të mundur arritjen tek personat që po shkatërrojnë investimin e munguar prej dekadash.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)