Pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama për ndryshime në Kodin Penal për çdo lloj dhune të ushtruar për shkak të detyrës dhe protestave të shumta të mjekëve, situata nuk ka njohur ndyshime. Rasti më i fundit vjen nga qyteti i Lezhës.

Një mjeke, identiteti i së cilës nuk bëhet ende i ditur, është goditur mesditen e së premtes nga një 65-vjeçar në ambientet e urgjencës. Siç raporton gazetari Julian Hila, 65-vjeçari me inicialet P.P ka shkuar të marrë ndihmë mjekësore me bashkëshorten, por pretendon se bluzat e bardha nuk i janë përgjigjur në kohë.

Aktualisht mjekja dhe 65-vjeçari po merren në pyetje nga blutë e Lezhës.

Ky është rasti i dytë, brenda një harku kohor shumë të shkurtër që goditet një mjek në detyrë. Pak javë më parë u dhunua barbarisht një nga uniformat e bardha, po në spitalin e Lezhës, i cili mori plagë të rënda dhe u dërgua me urgjencë drejt Traumës, në Tiranë.