Për të përmirësuar situatën në vend sa i takon sigurisë rrugore dhe për të minimizuar numrin e aksidenteve, kryeministri Rama tha se së shpejti do të hyjë në zbatim një paketë e re ligjore që përfshin 60 masa të reja.
RAMA: DO TË ANULOJMË KONCENSIONET MONOPOL
Kryeministri Edi Rama deklaron se koncensioni i kolaudimit të mjeteve është i korruptuar dhe tregu do të liberalizohet.
"Qytetarëve nuk do t’iu duhet më të presin në rradhë pafund për të kolauduar automjetet e tyre", ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama,duke folur në një aktivitet me temë sigurinë rrugore, të zhvilluar sot në hotel “Sheraton”.
Sistemi korruptiv i kolaudimit, sipas tij do të marrë fund dhe pas një ekspertize ligjore të situatës, ka shumë gjasë të liberalizohet.
“Është e paanashkalueshme si masë afatgjatë e veprim afatshkurtër, vendosja e standardeve të kolaudimit të automojeteve. Si mund të kemi siguri në rrugë me standard automjetesh të predispozuar të të çojnë në katastrofë?!
Ministria e Transportit ka qenë e qartë për tu thënë qytetarëve që mbajnë rradhë për të kolauduar automjetet dhe i paguajnë kohë e shumë para, jo vetëm nga buxheti i shtetit dhe xhepi i tyre, një koncesioni korruptiv, arbitrar. Ky është koncesion në shqyrtim. Do të bëhet anulimi apo relativizimi i këtyre koncesioneve monopol. Por ky nuk është proces që bëhet: ‘Hajd të anulojmë partizançe! Por kërkon ekspertizë ligjore”, ka thënë kreu i qeverisë, Rama, ndërsa ka shpjeguar se ky process është në fund dhe “ose do ta relativizojmë ose liberalizojmë kolaudimin”.
MILIONAT E HEDHURA KOT PER KAMERAT E SIGURISE
“Miliona Euro janë shpenzuar për kamera në rrugët e Tiranës dhe të vetmet kamera që funksionojnë realisht janë ato te Kryeministria. Asnjë kamera nuk është në funksion. Sistemi, sipas tij “është mizerabël dhe paratë janë shpenzuar për premtime e inagurime”. Kështu ka thënë Kryeministri Edi Rama, ndërsa ka folur për vendosjen e kamerave të sigurisë në rrugë, që do të ndihmojnë për sigurinë në rrugë, luftën kundër krimit etj.
Vendosja e procesit të standardeve evropiane dhe eleminimi i kaosit, vendosja e elementeve të sigurisë dhe lidhja e qartë, e prerë mës të dhënave personale dhe përdorimit të automjeteve përkatëse, ndalimi i mjeteve të paqarta në origjinë dhe shkatërrimi i mjeteve korruptive që vazhdojnë të mbijetojnë, ishin veç të tjerave pika ku u ndal Rama në fjalën e tij, si masa që do të ndërmerren. Rama foli edhe për përmirësim të sinjalistikës rrugore, duke thënë se "tashmë dihen akset problematike dhe është bërë një analizë e pikave ku kanë ndodhur vdekjet."
Ai tha se verifikimi i gjendjes fizike të rrugëve tanimë do të bëhet në mënyrë kompjuterike.
Ai vërejti se projekti do të fillojë “të transformojë historinë e policisë së shtetit, duke lidhur online në kohë reale, 24 orë në 24, patrullat e qeverisë së shtetit në rrugë me qendrën e monitorimi në departamentet përkatës, që do të thotë se me futjen e këtij elementi, çdo polic, do të jetë jo vetëm në kontakt me qytetarët dhe anasjelltas.
60 MASA PËR SIGURINË RRUGORE. ZGJIDHJA BRENDA NJË VITI
Puna intensive për sigurinë rrugore shkon më tej se sa vetëm ndërtimi fizikisht i rrugëve, “duke pasur si bosht ndërveprimi institucione që lidhin bashkë politikën e transportit, politikat e rendi, politikat arsimore, shëndetësore e padyshim shoqërore e dhe të sigurimeve, shoqërinë civile, që ka pasur e ka rol aktiv dhe pse nuk është dëgjuar kurrë, me ekspertë që janë e mund vënë vazhdimisht në alarm shoqërinë”.
“Po përgatisim paketën e masave lidhur me rrugët e sigurinë e infrastrukturës, që ka për të përfunduar nga java tjetër në dispozicion për konsultimin e fundit para se ta çojmë në parlament, qeveri apo për udhëzime. Kjo integron gjithë aspektet që prekin këtë element dhe synon të ndërveprojë këtë veprim që fola, kur përveç qasjes afatgjatë ka objektiva afatshkurtër, konkretë për harkun e një viti. Paketa e re garanton lidhje reciproke të ndërgjeshmërisë e transparencës me biznesin e përfshirë në ndërtimin e rrugëve.
Së dyti, e sjell sigurinë rrugore si ndërhyrje të integruar ndërinsitucionale, si organizim tërësor të shtetit e shoqërisë.
Shërben si instrument i racionalizimit infrastruktor të Shqipërisë, që nuk mund të mbetet peng i epshit për të marrë lekë nga arka e shtetit. Përsa i përkët marrëveshjeve me biznesin në ndërtimin e rrugëve u kemi dhënë rëndësi të veçantë të paguajmë një mijë borxhe të trashëguara. Një qeveri me borxhe nuk ka gojë të kërkojë hesap. Çlirimi i kësaj sipërmarrjeje nga borxhet, do të lehtësojë shumë marrëdhënien mes kësaj sipërmarrjeje e qeverisë, por dhe marrëdhënien ekonomike në vend, do të bëhet vijimësi në kuadrin e një plani një vjeçar veprimi që do të zhvilllohet sot dhe ka nisur nga verifikimi i cilësisë së punës së rrugëve në rrugë. Duke verifikuar pagesën e borxheve në funksion të verifikimit të çdo fature të nënshkruar më parë nga supervizorë, që jo në një rast e kanë lëvizur lapsin, jo sipas asaj që kanë parë, por sipas asaj që kanë marrë, nga ana tjetër, do të eleminojmë borxhet e reja”.
PUNA ‘PATRIOTIKE’ ME LICENSAT E NDËRTUESVE
Përballë një situate, që Rama e ka cilësuar “disafish dramatike, se nga një anë mungesa e sigurisë rrugore është vrastare, nga ana tjetër, cilësia e rrugëve tona është tepër e ulët”, Kryemnistri ka thënë që “pjesa më e madhe e ndërtueseve të rrugëvë janë të papaguar”.
“Kjo që ka ndodhur këtu, në këtë sektor, meqë konsiderohej nga qeveria e mëparshme si prioritare, si rruga drejt Evropës si investim madhor, gati i një gjenerate, është diçka e pandodhur. Jo vetëm në Evropë, por në asnjë vend afrikan nuk kemi arritur të gjejmë një shembull tjetër në gjithë analizën, se si e kanë trajtuar këtë lloj borxhi në qeveri në vende të tjera të globit. Se nuk mund të ketë qeveri që u thotë sipërmarrësve: ku e ke kontratën, vazhdo merr lekët në bankë, po nuk bëre 70 përqind të punimeve, të heq licensën. E pastaj të thotë: konsideroje këtë patriotike”.
SHQIPTARËT SOT SI PARA 20 VITEVE KUR HODHËN KURSIMET TE “LANA”
Një shtet të tërë sot e gjejmë mes rrugës, një shoqëri e tërë që derdhet buzë rrugës, duke investuar para pa asnjë plan, me standarde e rregulla, njëlloj sikur jemi 20 e ca vite më parë, kur shqiptarët e sapo dalë nga frigoriferi i komunizmit i hodhën kursimet e tyre te Lana.”, ka thënë më tutje Rama. Ai e ka cilësuar këtë “situatë dramatike por edhe situatë që përbën këmbanë alarmi, jo vetëm për qeverinë e mëparshme, as vetëm për policinë, por me siguri për gjithë shoqërinë e qytetarët në veçanti”.
“Ministria e Brendshme solli shembull shumë të thjeshtë. Tani shqiptarët janë njerëz të shëtitur e duhet të bësh mijëra kilometra, dhjetëra udhëtime me makinë në vendet e BE-së të shohësh një polic. Mund të qëllojë të mos shohëh e të mos dish ç’pamje ka një polic hollandez, farancez etj, çka do të thotë se nuk është prezenca e policëve në rrugë që garanton sigurinë, por rendi ligjor dhe vetëdija qytetare në respektimin dhe ruajtjen e këtij rendi në bashkëpunim konstant me policinë. Qytetarët evropianë janë ruajtësit më të mëdhenj të rendit në rrugë, se nuk pranojnë dot të shohin dikë që shkel rregullat e mos lajmërojnë menjëherë policinë”.
DEBATI PËR GJOBAT
Rama u shpreh se ka “nevojë për transformim rrënjësor në këtë fushë”. Ai tha se nuk do të vijojnë të jepen më patenta me korrespodencë. Pikërisht gjithë këto masa janë drejtimi i rëndësishëm i këtij plani vjetor për Ramën.
“Synimi është që si sot një vit të kemi një bilanc për të gjithë këto drejtime që të nxjerrin në pah qartë se jemi në rrugën e duhur drejt BE-së”.
Ai foli konkretisht edhe për debatin e pagimit apo të gjobave të automjeteve dhe a duhet policia apo jo të vendosi gjoba?!
“Nuk po goditen vetëm ata që janë mësuar t’i llastohen ligjit për shkak të statusit soicial, por po goditet shkelja e ligjit dhe llastimi i shëtitësve të bulevardit të Tiranës përballë ligjit. Çdokush ka të drejtën jo vetëm të shkojë kudo që do, por edhe të respektojë ligjin kudo ku shkon. Nuk është fatkeqësi që ka marrë kaq jetë shqiptarësh në rrugë, por papërgjeshmëri e shumë aktorëve, duke filluar nga aktorët shtetërorë”.
Ai u shpreh se një rol i madh do t’i jepet edhe arsimit, “sistemit arsimor në këtë proces, edukimit për mënyrën si këmbësori duhet të sillet kur del nga shtëpia, si duhet të sillet kur hipën në makinë. Do të bëjmë ato që themi, nesër do të themi ato që do të bëjmë, të bindur se do të kthejmë plotësisht drejtimin e gjithë sigurisë rrugore në adresimin nga BE-ja”, përfundoi Rama.
Redaksia online