Sot dhe nesër në Kosovë do të qëndrojë Grupi Punues për Vizat (COWEB) i Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili ka për qëllim vëzhgimin nga afër të progresit të institucioneve kosovare në sundimin e ligjit dhe të çështjeve të tjera që lidhen me liberalizimin e vizave.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, konsideron që vizita e Grupit Punues për Vizat në Kosovë është shumë e rëndësishme, pasi do të njoftohet për punën e institucioneve kosovare në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Sipas njohësve të integrimeve, kjo vizitë pritet që çështjen e vizave të Kosovës ta shtyjë edhe më përpara. Ndërsa pas kësaj faze çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të kalojë në instancën e dytë brenda Këshillit, COREPER (ambasadorët e përhershëm në Këshill të BE-së), për të kaluar pastaj për votim në Këshillin e Ministrave të shteteve anëtare të BE-së. Zeri.info