Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe dënuan nëpërmjet një komunikate të përbashkët aktet barbare të kryera nga grupi i Shtetit Islamik në Libi. Ato i bëjnë thirrje palëve rivale të bien dakort për krijimin e një qeverie të bashkimit kombëtar.
Luftime të ashpra u shënuan gjatë javës së kaluar në qytetin e Syrtes (veri). Banorët kanë marrë armët për largimin e Shtetit Islamik nga qyteti që ata mbajnë nën kontroll që prej muajit qershor. Nga luftimet u shënuan dhjetëra viktima ndërsa xhihadistët ekzekutuan të paktën 34 persona.
"Jemi thellësisht të shqetësuar nga informacionet e fundit sipas së cilave luftëtarët kanë bombarduar zona me densitet të madh popullate në qytet dhe kanë kryer në mënyrë makabre akte dhune për të terrorizuar popullsinë libiane, konfirmon kjo komunikatë e përbashkët e publikuar dje në mbrëmje nga departamenti i Shtetit amerikan.