LIBOHOVE - Një pallat tri katësh në qytetin e Libohovës, rrezikon shembjen totale si pasojë e rrëshqitjes së dheut nën të. Alarmin e kanë dhënë familjet e mbetura në këtë godinë 40-vjeçare të gjendur në pjesën qendrore të qytetit të Libohovës në juglindje të Gjirokastrës. Banorët jetojnë me frikën e shembjes së të tri kateve të godinës, e cila mezi mbahet në këmbë në krahun e tij të majtë ballor. Shkak për këtë situatë është bërë rrëshqitja e dheut nën pallat dhe amortizimit të godinës.

Kjo situatë ka mbretëruar gjatë viteve të fundit kur dhe janë konstatuar të çarat e para anësore dhe rrjedhimisht për t’i shpëtuar gjëmës, gjashtë familje të cilat jentonin në krahun lindor të pallatit, braktisën banesat.

Bashkia e Libohovës është mjaftuar vetëm me ngritjen e një komisioni teknikësh për të verifikuar gjendjen e krijuar prej vitesh duke mos dhënë rrugë se ku do të akomodohen familjet e rrezikuara. Një e çarë e madhe me një gjatësi deri në 5 metra horizontalisht, është kërcënim real për shembjen pingul të të tri kateve në pjesën e majtë të godinës. Veç kësaj, është shoqëruar edhe me një devijim të murit mbajtës anësor të godinës gati në 30 gradë. Dikur pallati banohej nga nëntë familje ndërsa sot vetëm tre kanë ngelur dhe ato gjenden në krahun e kundërt të tij ku gjendja është edhe më e sigurtë.

Mungesa e një alternative për të jetuar ka “ngujuar” në godinën tri katëshe tre familjet, të cilat jetojnë me frikën e të nesërmes. Pallati është ngritur me kontribut vullnetar në vitet ’70 nga një njësi ushtarësh për të siguruar në banesë familjet e oficerëve.

Sipas specialistëve urbanistë, ndërtimi i pallatit, është kryer pa marrë parasysh një studim të thellë gjeologjik për truallin, i cili sipas tyre rezulton të jetë i paqëndrueshëm. Në Libohovë ka mjaft banesa kryesisht ato private që janë të rrezikuara nga shembja dhe kjo është konstatuar edhe nga vetë gjeologët. Këta të fundit, para pesë viteve kanë dhënë alarmin për rrezikun që mbartin dhjetëra banesa në këtë qytet, i cili shtrihet në këmbët e malit Bureto.

Lëvizjet e herëpashershme tektonike jo të ndjeshme, sollën një situatë kritike pesë vjet më parë kur disa prej shtëpive u shembën pas një moti me shira të rrëmbyeshëm disa ditor.

Libohova banohet sot nga 2500 banorë ku gati 30% e tyre gjenden në emigracion. Statusin si Bashki e ka fituar në ndarjen e re administrative në vitin 1992 ndërkohë që banorët e saj shprehen se do të ishin më të privilegjuar po të ishin komunë.

pallati libohove

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)