LIBRAZHD, 10 Gusht /ATSH-Miranda Sadiku /.- Pas një hetimi disaditor, sektori për Narkotikët e Trafiqet në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Librazhd, kanë bërë të mundur finalizimin e operacionit të koduar "Xhyra 2 " ku edhe janë arrestuar katër persona për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike kryer në bashkëpunim" , "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike".
Burime të policisë bëjnë të ditur se " janë arrestuar Adriatik Qoshku, vjeç 33, lindur në Babje-Librazhd dhe banues në Tiranë, Ergest Çuni, vjeç 24 lindur e banues ne Poliçan-Berat, Shkëlqim Çepi, vjeç 38, lindur e banues në Xhyrë-Librazhd, si edhe Klodian Çuka, vjeç 29 lindur e banues në Xhyrë-Librazhd.
SAMSUNG CAMERA PICTURES
Sipas Policisë, arrestimi i tyrë u bë në aksin Babje - Librazhd ku edhe udhëtonin me automjetin fuoristradë e tipit Mitsubishi me targë AA 849 KI, në drejtim të Tiranës. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tyre policia ka gjetur dhe sekuestruar 50 kilogram lëndë narkotike mariuanë, 1. 000 euro si edhe 20 .000 lekë të reja, të cilat kanë shërbyer për blerjen e lëndës narkotike, një armë pistoletë Mimi Blow, një peshore elektronike si dhe sende te ndryshme që u kanë shërbyer personave për kultivimin e bimëve narkotike, 8 aparate celulare të markave të ndryshme, dhe 50 karta telefonike të kompanive të ndryshme.
Mësohet se sasia e lëndës narkotike ishte blerë nga shtetasit Adriatik Qoshku dhe Ergest Çuni në fshatin Xhyrë-Librazhd tek shtetasit Shkëlqim Çepi dhe Klodian Çuka të cilën pasi e kishin kultivuar dhe përgatitur ua kishin shitur shtetasve të sipërpërmendur, me qëllim tregtimin e saj në qytetin e Tiranës. Gjithashtu, gjatë operacionit, efektivat e policisë Librazhd, në vendin e quajtur "Shpella e Pisjasit" në malin e fshatit Xhyrë, Librazhd, kanë asgjësuar me anë të djegies 2 parcela me 222 bimë narkotike.
Nga informacionet e marra në rrugë operative, rezulton se autorë të kultivimit të bimëve narkotike, dyshohet të jenë shtetasit Shkëlqim Çepi, dhe Klodian Çuka, të cilët janë arrestuar më vonë gjatë operacionit në automjet së bashku me dy shtetasit e tjerë.
Po vijon puna nga ana e policisë, për zbardhjen e plotë të këtij trafiku, si dhe efektivat e policisë Librazhd po vijojnë kontrollin e territorit për evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike. Materialet i'u kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme./m.m/