Deputeti Taulant Balla së bashku me përfaqësuesin e Ministrisë së Mjedisit kanë qenë dje në Orenjë të rrethit të Librazhdit për të parë nga afër procesin e luftimit të sëmundjes së procesionares, një sëmundje që ka dëmtuar rëndë pyjet me pisha në të gjithë vendin tonë.

Luftimi mekanik i procesionares është një projekt i Ministrisë së Mjedisit për luftimin e këtij dëmtuesi të pyjeve me pishë të zezë, në 6600 ha në të gjithë Shqipërinë. Në rajonin e Elbasanit janë 1600 ha nga këto 780 ha janë në Librazhd. Për zbatimin e këtij projekti janë punësuar në Librazhd rreth 600 veta me kontratë pune dhe të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore po ashtu edhe sigurimeve shëndetësore.

Në Orenjë jane 125 ha për pastrimin e këtij insekti dëmtues në pishat e zeza dhe janë të punësuar 120 persona. Kjo ka një ndikim jo vetëm në pastrimin e pishave por edhe në jetën social ekonomike të zonave të thella.
 
“Bëhet fjalë për një projekt që shpëton pyjet me pisha të Librazhdit, të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, nga një sëmundje siç është procesionarja. Ka dhe një dimension shumë të mirë, është dimensioni i punësimit sezonal, i cili në opinionin tim është pjesa më e rëndësishme për arsye se përmes këtij projekti, në rrethin e Librazhdit do të mbulohen rreth 780 ha pyje me pisha me një numër prej 600 punëtorësh sezonal. Të cilët jo vetëm do të trajtohen me një pagë që do të përfshijë edhe sigurimet shoqërore, por krijojnë një hapësirë sezonale punësimi të cilën unë shpresoj ta përsërisim serish edhe në muajt nëntor dhe dhjetor.”- tha deputeti Balla.
Falënderoj Qeverinë dhe Ministrinë e Mjedisit që bëri të mundur alokimin e një fondi shumë të madh për luftimin e kësaj sëmundje të pishave.
 
“Është një projekt që ka përfshirë katër rajone të Shqipërisë. Në rajonin e Shkodrës, Dibrës, Elbasanit dhe Korçës. Në rajonin e Elbasanit janë planifikuar të bëhen rreth 1600 ha. Sot jemi tek objekti i Librazhdit, ku po bëhen rreth 700 ha me pisha të cilat po pastrohen nga ky dëmtues i pyjeve.”- u shpreh inxhinieri i Ministrisë së Mjedisit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)