LIBRAZHD - Qindra banorë të komunave të thella të rrethit të Librazhdit vazhdojnë prej një jave të jenë të bllokuar nga dëbora dhe në errësirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Grupe punë të OSHEE nga Durrësi, Shijaku, Tirana e Gjirokastra, janë bashkuar me grupet e Elbasanit dhe Librazhdit për të riparuar defektet e rënda që shkaktoi moti i keq në këto zona. Ata shprehen se po bëjnë maksimumin në një terren ku nuk mund të lëvizin në këmbë së bashku me materialet që u nevojiten.

Administratori i OSHEE, Ardjan Çela, i shoqëruar nga një grup pune, inspektoi fshatin Gizavesht, komuna Qendër e Librazhdit, ku moti i keq ka rrëzuar dhjetëra shtylla dhe ku po punohet së bashku me banorët e zonës për rikthimin e energjisë.

Banorët e këtyre zonave shprehen se një situatë e tillë kishte vite pa u parë. Por, pavarësisht mungesës së energjisë elektrike, ata i tremben bllokimit te rrugëve, të cilat në raste të emergjencave shëndetësore mund t'u rrezikojnë jetën.

Këto komuna janë të bllokuara që prej datës 28 dhjetor, kur debora nisi të bjerë me intensitet. Në disa zona trashësia e deborës i kaloi 50 cm dhe nëse reshjet do të vazhdojnë, situata pritet të përkeqësohet./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)