Bashkia e Librazhdit ka çelur zyrtarisht sezonin turistik 2026, duke vënë në fokus pasuritë natyrore dhe potencialin e madh që ofron zona për vizitorët vendas dhe të huaj. Rajoni shquhet për peizazhet e veçanta, ku përfshihen monumente natyrore, liqene akullnajore, shpella dhe  Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Një ndër destinacionet më të frekuentuara mbetet zona e Fushë-Studenit, ndërsa rëndësi të veçantë merr edhe kalimi i rrugës historike Via Egnatia në territorin e Librazhdit, e cila krijon lidhje me pika të tjera turistike dhe kulturore të vendit.

Sipas autoriteteve vendore, investimet në infrastrukturë dhe promovimin e turizmit kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik të zonës dhe në përmirësimin e jetesës së banorëve.

"Vitin që kaluam kishim 192 mijë vizitorë vendas dhe të huaj. Bashkia Librazhd do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë sepse paralelisht me rikonstruksionin e rrugëve ne zhvillojmë dhe turizmin malor. Kemi bërë një punë shumë të mirë duke promovuar të gjitha resurset turistike. Këtu mendojmë që deri në fund të vitit të kemi mbi 300.000 turistë” tha Mariglen Disha, kryetari Bashkise Librazhd

“Ka një potencial në rritje. Paketa e Maleve ka një numër të konsiderueshëm aplikantësh për të investuar në këtë zonë. Duke qenë se Korridori i 8 kalon ngjitur me Librazhdin, destinacioni i rradhës do jetë ky. Bashkia Librazhd po punon shumë mirë duke vënë në dispozicion të gjitha mundësitë dhe mbështetjen për sektorin privat. Po investojmë në këtë fushë me Ministrinë e Turizmit dhe të Bujqësisë. Po përafrojmë legjislacionin për agro turizmin që të shtohen agro turizmet dhe të lehtësojmë procedurat për ta dhe të ndihmojmë në certifikimin e tyre” tha Ministri Andi Salla

Në kuadër të hapjes së sezonit u zhvillua edhe aktiviteti “Egnatia Fest 2026”, që mblodhi operatorë turistikë, biznese lokale dhe përfaqësues të traditës e kulinarisë së rajonit. Eventi promovoi vlerat natyrore, kulturore dhe agroturistike të Librazhdit.

Të pranishëm në aktivitet ishin kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, si edhe deputetët Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici. Ata vizituan stendat e rreth 50 operatorëve dhe sipërmarrjeve lokale që prezantuan produkte tradicionale, oferta agroturizmi dhe atraksione turistike të zonës.