Kështu u shpreh ambasadori Bernd Borchardt sot në takimin e parë të Këshillit Vendor për Siguri Publike në Librazhd, krijuar me ndihmën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Librazhdi është qyteti i dytë, pas Elbasanit, që krijon një Këshill të tillë, i cili mobilizon të gjithë aktorët vendas të trajtojnë së bashku çështjet e lidhura me kriminalitetin, dhunën në familje dhe ekstremizmin e dhunshëm.
Prezenca e OSBE-së po punon për të krijuar Këshilla Vendorë për Siguri Publike edhe në shumë bashki të tjera.
“Së pari, më lejoni t’ju përgëzoj që arritët të krijoni Këshillin e Parë Vendor për Siguri Publike në Librazhd. Përgëzime, ju jeni bashkia e dytë që e ka krijuar këtë këshill pas Elbasanit. Ky këshill do të ndihmojë sigurinë e komunitetit duke funksionuar përmes bashkëpunimit ndërmjet agjencive, bashkëpunim në të cilin çdo aktor kryesor ka rëndësi dhe rol unik.
Duhet të thyejmë stereotipin që siguria e qytetarëve është detyrë ekskluzive e Policisë. Është përgjegjësi e secilit prej jush, përfshirë vetë qytetarët. Për të pasur komunitete më të sigurta, duhet të angazhohen aktivisht të gjitha palët që të identifikojnë dhe të adresojnë sfidat e mundshme që mund të lindin. Këshilli vendor për siguri publike mund të jetë vendi i përsosur për të diskutuar këto përparësi dhe për të adresuar me hollësi të gjitha çështjet.
Kam besim që përmes këtij Këshilli do të jeni në gjendje që të përmirësoni komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit në dobi të komunitetit. Gjithashtu, kam besim se me angazhimin tuaj të plotë ju do të promovoni strategji zhvillimi, partneritete sistematike dhe do të jeni në gjendje që të përshtateni në mënyrë proaktive, në dobi të sigurisë së komunitetit tuaj. Do të përmirësoni kapacitetet tuaja për të parandaluar problemet dhe, ndërkohë që rritet siguria, rritet edhe besimi tek institucionet që përfaqësoni.
Siguria ka ndikim të drejtpërdrejtë tek mirëqenia dhe prosperiteti i qytetarëve. Institucionet funksionale dhe bashkëpunuese ofrojnë një klimë besimi ndërmjet qytetarëve. Kjo do të sjellë një qëndrueshmëri të përgjithshme që është kyç për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe besimin institucional.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do t’ju mbështesë gjatë punës tuaj duke qenë e pranishme në takimet tuaja, duke ju ndihmuar për vendosjen e një standardi sigurie dhe duke ofruar trajnim për anëtarët e këtij këshilli. Pres me padurim suksesin tuaj në këtë sipërmarrje”.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com