Libri i ri “Bij dhe dashnorë”, një
libër që shvesh shpirtrat e burrave

Libri i ri “Bij dhe dashnorë”, një<br />libër që shvesh shpirtrat e burrave
Një histori prekëse për gjithë ato femra që janë ndier të krahasuara me të paarritshmen nënë dhe për gjithë ata meshkuj që kanë ndier vargonjtë e pushtetit mëmësor.
 
 “Bij dhe dashnorë” është portretizimi i parë modern i një fenomeni që më pas, falë Frojdit, do të njihej si kompleksi i Edipit. Kurrë s'ka pasur djalë më të varur nga dashuria e nënës dhe më të mbushur me urrejtje për të atin sesa Pol Moreli, protagonisti i këtij romani. Kurrë, me përjashtim ndoshta të vetë autorit D. H. Lawrence. Në këtë roman ai përfytet me dashuritë e papajtueshme që do t'i faniten tërë jetën: për të dashurën e tij shpirtërore të fëmijërisë dhe për nënën e tij. Duke përdorur fjalët e vetë Lawrence-it, ky libër ka për qëllim të përshkruajë zotërimin e një gruaje, e cila, “teksa djemtë e saj rriten, i kthen ata në dashnorë, në fillim të parin e pastaj të dytin. Këta bij janë të nxitur, vazhdimisht të nxitur, të hyjnë në jetë nga dashuria reciproke për nënën e tyre. Por kur burrërohen, nuk mund të dashurojnë, sepse nëna është prania më e fuqishme në jetët e tyre, ajo i mban të lidhur.” Natyrisht që nëna nuk i ka vërtet dashnorë bijtë e saj, por gracka psikologjike e saj është shumë e fortë. E kështu, teksa Poli rritet dhe burrërohet, ai pranon se arritjet e tij, duhet të jenë po aq edhe të nënës së tij.

Cikli i lidhjeve të Polit me gratë është nganjëherë i tmerrshëm dhe autori nuk bën asgjë që t'ua zbusë fuqinë. Ai nuk tutet edhe nga përshkrimet sensuale dhe të gjalla të peizazheve, lulëzimeve dhe drithërimave që prekin protagonistin e ndjeshëm.
 
“Bij dhe dashnorë” i zhvesh krejtësisht shpirtrat e burrave. Pak libra tregojnë një të vërtetë kaq të plotë e të komplikuar, mbi dashurinë që ndërron, kaq vendosmërisht e pavendosur. Është gati përcëlluese, kjo prekje e tillë e njerëzimit. Në të trajtohet fëmijëria dhe adoleshenca dhe gjithçka që lidhet me to, duke përfshirë këtu edhe frikën, turpin, vetëndërgjegjësimin, ndjeshmërinë e tepruar emocionale, zgjimin seksual dhe bindjen kryelartë se, për ta thënë me fjalët e Pol Morelit, pikërisht ti “do t'ia ndryshoje fytyrën tokës në një mënyrë a një tjetër”.
 
Në roman ka edhe freski dhe thellësi me të cilat autori prezanton familjen Morel; a thua se kjo është e vetmja familje në botë ku prindërit nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, babai pi, mamaja nuk duron të dashurën e të birit, nuk ka para, arti dhe letërsia janë një strehë, e kështu me radhë. Në moshën 27-vjeçare, Lawrence-i ishte i edukuar mirë dhe shumë i lexuar, por stili i “Bij dhe Dashnorë” është mrekullisht i paditur, pa ironi angleze që ta prishë magjinë. Ironia nuk i përkiste Lawrence-it dhe, në kohën kur shkroi këtë libër, ai nuk kishte as kohë për të.

Në fillimet e tij, romani pati një pritje të vakët nga kritika, së bashku me akuzat për imoralitet. I përzgjedhur nga Modern Library, si një nga 100 librat më të mirë të shekullit të XX, sot ai konsiderohet si një kryevepër nga kritikët e shpesh, edhe si vepra më e arrirë e D. H. Lawrence.

The Guardian do tw shkruante pwr kwtw libwr: Si mund të jetojmë një jetë më të mirë, më të përmbushur? Një tematikë e rëndë, masive, me të cilën pak shkrimtarë kanë guxuar të përballen. E megjithatë, ai ia doli mbanë triumfalisht. Nuk ka asgjë të ngjashme me “Bij dhe Dashnorë” në tërë letërsinë. Është një libër shumë i rëndësishëm, i shkëlqyer.
 
David Herbert Richards Lawrence (1885 –1930) ishte një shkrimtar, poet, dramaturg, përkthyes, kritik letrar dhe piktor anglez, i njohur me akronimin D. H. Lawrence. Veprat e tij letrare më të njohura janë romanet “Bij dhe dashnorë”, “Ylberi”, “Gra të dashuruara” dhe “Dashnori i Ledi Çatërleit”. Vepra e tij përshkruan, ndër të tjera, çnjerëzimin e shkaktuar nga moderniteti dhe industrializimi. Ajo përqendrohet veçanërisht mbi llojin e lidhjeve që mund të ndërtohen në të tilla kontekste. Autori eksploron tematika si shëndeti emocional, çiltërsia, gjallëria dhe instiktet.

Për veprën e tij, por edhe për opinionet e shprehura në shumë artikuj dhe ese, sa ishte gjallë, ai u sulmua shpesh dhe përjetoi edhe censurën zyrtare e përndjekjen intelektuale. Për t'iu shmangur këtyre, gjysmën e dytë të jetës e kaloi në mërgim. Kur vdiq, kishte reputacionin e një pornografi që kishte shpërdoruar talentin e tij të madh. Shkrimtari bashkëkohës E. M. Forster qe  nga të parët që iu kundërvu këtij imazhi publik duke e cilësuar atë si “një nga shkrimtarët me më shumë imagjinatë të gjeneratës tonë”. Më vonë, qe kritiku i famshëm nga Cambridge, F.R. Leavis, që mbrojti integritetin artistik dhe seriozitetin moral të autorit, duke e vendosur atë në Olimpin e letërsisë angleze.

bij dhe dashnore
 
 Bij dhe dashnorë
 
Autori: D. H. Lawrence
Përktheu: Krenar Hadëri
Zhanri: Roman
Data e botimit: Mars, 2016
Numri i faqeve: 526
Çmimi: 1200 lekë
Koleksioni: Klasikët Botërorë

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri