Muaji i Letërsisë është çelur sot në bibliotekën e qytetit të Lushnjes, me promovimin e librit “Skenat e padukshme të jetës sime”, të autores lushnjare Esmeralda Zhuga Hatija.
Në ambientet e bibliotekës, në prani të botuesve, shkrimtarëve, familjarëve dhe dashamirësve të letërsisë, u prezantua libri i parë i autores, përmes të cilit ajo sjell kujtime, ëndrra dhe botën e saj të brendshme.
Botuesja Mimoza Xhindi, një prej personave që e ka inkurajuar autoren e re për librin e saj të parë, ndër të tjera shprehet se Esmeralda në këtë libër ka hedhur të gjithë fëmijërinë dhe ëndrrat e saj dhe është një krijuese premtuese për t'ju shtuar armatës së madhe të shkrimtarëve lushnjarë.
“Lushnja është qyteti i artit dhe kulturës. Njoh poetë të Lushnjës, si Kozma Gjini, Alit Koreshi etj., të cilët i kanë dhënë vlera Lushnjës dhe qytetit, si dhe kanë pasuruar bibliotekën me librat e tyre. Qyteti i Lushnjës, përveç artistëve që në fushën e artit dhe krijimtarisë ka nxjerrë, po fillon të nxjerrë edhe shkrimtarë të rinj.
Sot promovohet libri i parë i Esmeralda Zhugës, në të cilin flitet për ëndrrat e saj, të cilat ishin mbyllur në sirtar. Ëndrra që, si çdo njeri në fëmijëri, ëndërron të bëhet dikush, por jeta është ajo që e ka sfiduar Esmeraldën me të papriturat e saj.
Ajo insistoi të kërkonte ndihmë me shkrimet e saj. Ajo m’i prezantoi dhe unë i thashë të mos e ndërpresë ëndrrën. Shkrimet e saj janë pjesë e artit. I uroj suksese!”- u shpreh Xhindi.
Ndërkohë për autoren, ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi letrar. Esmeralda Zhuga Hatija shprehet se në botimin e saj të parë ka vendosur një pjesë të jetës dhe botës së saj të brendshme, duke e parë këtë libër edhe si një inkurajim për brezin e saj.
“Ky është libri im i parë. Kam zgjedhur ta bëj promovimin në qytetin tim të lindjes, sepse unë jam nga Lushnja. Libri flet për të gjithë historinë time, që nga fëmijëria deri tani. Janë ëndrrat e mia dhe shpresoj që në këtë libër të gjitha vajzat të gjejnë nga një pjesë të jetës së tyre.
Brenda librit ka forcë, ka shpresë, ka dhimbje, ka zhgënjim, por në fund të ditës, çdo njeri që ka dëshirën dhe vullnetin, ia arrin për çdo gjë.”- tha Zhuga.
Një prej lexueseve të librit është edhe Manushaqe Hasa, e cila shprehet se botimi i ka lënë mbresa dhe se në faqet e tij ka gjetur edhe pjesë nga jeta e saj.
“Unë e kam lexuar. Është një libër që më ka lënë mbresa. Jam shumë e surprizuar. Flet për jetën, për fëmijërinë, për çdo gjë që na përfshin në jetët tona. Gjejmë edhe veten tonë brenda librit të Esmeraldës dhe tek Esmeralda shikoj një shkrimtare të ardhshme.”-përfundoi lexuesja.












Komente
Komento