Liburn Aliu: Bashkimi etnik
zgjidhet me qeveri e qytetarë

Liburn Aliu: Bashkimi etnik<br />zgjidhet me qeveri e qytetarë
TIRANE - Deputeti i Lëvizjes Vetvendosje! në Kosovë, Liburn Aliu ka komentuar në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqiptarja.com” hapat që duhet të ndërmerren për të arritur bashkimin kombëtar. Sipas tij, çelsi i zgjidhjes për bashkimin e Shqipërisë është kombinimi i rrugëve institucionale me ato të organizimit qytetar jashtëinstitucional.

Nga ana tjetër ai ka nënvizuar se pengesa për bashkimin është Kushtetuta aktuale e Republikës së Kosovës dhe plogështia e qeverive në Kosovë dhe Shqipëri. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje! synon bashkëpunimin me të gjitha subjektet që kanë për synim Bashkimin Kombëtar dhe rrejdhimisht edhe me listën për Shqipërinë Natyrale. Liburn Alu ka firmosur peticionin për shfuqizimin e Konferencës së Londrës. 
 
Si mendoni ta realizoni bashkimin e Shqipërisë me Kosovën? Kush janë rrugët që duhet të ndiqen?
Lëvizja Vetëvendosje!, synon realizimin e të drejtës për vetëvendosje për qyetarët e Kosovës dhe përveç kësaj punon në afirmimin e përpjekjes për bashkim kombëtar kudo në botë, si dhe në ngritjen e vëtëdijes tek qytetarët në lidhje më këtë çështje. Jashtë kufijve të Republikës së Kosovës ne inkurajojmë idenë e të drejtës për vetëvendosje si dhe organizimin qytetar më këtë synim.

Primare pra konsiderojmë ngritjen e vetëdijes tek qytetarët për realizimin e bashkimit kombëtar si një nevojë të shqiptarëve në ballkan në funksion të mirëqenies dhe sigurisë. Bashkimi i shqiptarëve në një shtet në territoret ku ata janë shumice dhe kanë kontimunitet territorial, ndërton kushtet për stabilitet e paqe në ballkan. Stabiliteti aktual i Ballkanit është i vendosur në kurriz të shqiptarëve. Politika e shqiptarëve në të gjitha pjesët e territorit të ndarë, ishte dhe mbetet e zellshme të bëj kompromise në për hir të stabilitetit në ballkan.

Janë shumë marrëveshje që nënshkruan përfaqësuesit politik në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, të cilat ndonëse nuk përmbushin kërkesat e shqiptarëve u bënë në emër të ruajtjes së stabilitetin në Ballkan. Në të gjitha këto marrëveshje qytetarët nuk u pyetën asnjëherë. Ata u lanë të shpresojnë se me mërrëveshjet do të vijë dhe një mirëqenie për ta. Kompromiset, plogështia e politikës së shqiptarëve vetëm sa inkurajuan këto shtete të cilat vetëm  sa intensifikuan veprimin e tyre politik, armiqësor kundrejt shqiptarëve.

Shqiptarët provuan dhe po provojnë që të mbajnë stabilitetin e ballkanit mbi kurriz dhe kjo gjë nuk është shpërblyer asnjëherë, përkundrazi për pasojë sot kemi zbrazje të vazhdueshme të territoreve shqiptare nga shiptarët kudo jashtë Republikës së Shqipërisë. Mendojmë se ky koncept është shterruar tanimë.
Rrjedha e deritanishme politike e sjell domosdonë e zgjidhjes së drejtë të problemit të shqiptarëve dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ishte si hap i parë.
 
Kush është pengesë për këtë?
Pengesë për këtë është Kushtetuta aktuale e Republikës së Kosovës dhe plogështia e qeverive në Kosovë dhe Shqipëri. Prandaj vetëdijësimi i qytetarëve dhe organizimi i tyre politik krijojnë kushtet për realizim të bashkimit. Kombinimi i rrugëve institucionale me ato të oganizimit qytetar jashtëinstitucional janë çelësi i zgjidhjes.
 
Kosova me kë duhet të fillojë negociatat për të realizuar bashkimin e shqiptarëve?
Republika e Kosovës në vend të negociatave me Serbinë që po e coptojnë Kosovën dhe po e degradojnë shtetin, duhet të fillojë bisedat me Republikën e Shqipërisë për të realizuar bashkimin.
 
Ju keni firmosur një peticion që kërkohet shfuqizimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, a keni ju si parti një program të detajuar për këtë çështje?
Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ka vendosur kufinjtë e padrejtë në mes të shqiptarëve dhe për pasojë përgjatë shëkullit të kaluar she për pasojë shqiptarët nën pushtimin Serb, Maqedon, Malazias dhe Grekë, i janë nënshtruar terrorit nga cilido regjim i këtyre shteteve. Të mos harrojmë që popullata e Kosovës, si pasojë e terrorit dhe dëbimeve, është përgjysmuar një herë në vitet e para të pushtimit serb dhe ajo gjysmë e mbetur është përgjysmuar sërish ndërmjet dy luftrave botërore.

Politikë e njëjtë vijoi edhe në kohën e Titos kur vazhdoi dëbimi i shqiptarëve për në Turqi edhe në atë të Milosheviqit me luftën e fundit dhe përjetimet e freskëta ku të gjithe jëmi dëshmitar. Fat i njejtë i përcolli shqiptarët që jetonin në tokat e tyre, kudo jashtë Republikës së Shqipërisë. Prandaj e mbështes edhe shfuqizimin e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër.

A keni një mendim të unifikuar në partinë tuaj për të sjellë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Maqedoninë, Çamërinë dhe Malin e Zi?
Synimi i bashkimit të territoreve të banuara me shumicë shqiptare dhe me kontinuitet territorial në Shqipëri është njëri nga elementët themelor që i bashkon aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!

Përderisa në Republikën e Kosovës jemi të organizuar dhe veprojmë si lëvizje, ne inkurajojmë dhe mbështesim veprimin e organizuar politik burimor të shqiptarëve në territoret ku ata jetojnë me synim realizimin e të drejtës për vetëvendosje dhe bashkimin kombëtar.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me listën për Shqipërinë Natyrale?
Lëvizja Vetëvendosje! synon bashkëpunimin me të gjitha subjektet që kanë për synim Bashkimin Kombëtar dhe rrejdhimisht edhe me listën për Shqipqrinë Natyrale.   

Një pyetje e fundit që ka edhe pak lidhje me "bashkimin kombëtar". Si ju duket vendimi i Rames për të marrë në kabinetin e tij si këshilltar rajonal Shkëlzen Maliqin? Është njëriu i duhur për pozicionin e duhur?
Me vendosjen e Maliqit për këshilltar rajonal, Rama u ka dhënë mesazh të qartë ndërkombëtarëve se nuk do ta mbështesë bashkimn kombëtar në ndërkohë që ndoshta tek qytetarët e Republikës së Shqipërisë ka krijuar iluzionin për të kundërtën.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në një depo nafte në jug të Rusisë, guvernatori i rajonit akuzon Kievin për sulm me dron

Zjarr në një depo nafte në jug të Rusisë, guvernatori i rajonit akuzon Kievin për sulm me dron