Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka bërë të ditur miratimin nga qeveria të projektligjit për ndërtimin e Liceut Francez të Korçës, një institucion i ri publik i arsimit parauniversitar, me orientim shkencor dhe fokus te teknologjia.
“Qeveria ka miratuar projektligjin për ndërtimin e Liceut Francez të Korçës, për krijimin e një institucioni të ri në arsimin parauniversitar. Kemi dëgjuar shpesh të flitet për Liceun Francez, edhe në historinë e arsimit shqiptar, por kësaj here flasim për një shkollë të re, e cila do të dalë me një diplomë të përbashkët, si për maturën shqiptare ashtu edhe për atë franceze, falë një marrëveshje mes dy qeverive tona, iniciativës së përbashkët të Presidentit Macron dhe Kryeministrit Edi Rama. Ministria e Arsimit prej dy vitesh ka punuar shumë fort, janë përgatitur të gjitha kurrikulat e përafruara, për një lice francez për orientim shkencor”, u shpreh Ministrja Mirela Kumbaro.
Shkolla do të jetë publike dhe falas për nxënësit shqiptarë, ndërsa do të jetë e hapur edhe për nxënës nga rajoni. Projekti parashikon ndërtimin e godinës së re me klasa, bibliotekë, laboratorë dhe mensë.
“Është falas për fëmijët shqiptarë, por e hapur edhe për nxënës nga rajoni”, përfundoi ajo.
Liceu do të ofrojë mësim në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe frëngjisht, me kurrikula të njehsuara me ato të Francës dhe mësimdhënie nga mësues francezë, në bashkëpunim me mësuesit shqiptarë për lëndët si gjuha shqipe, letërsia dhe historia e Shqipërisë.








Komente
Komento