Lidhja e Mitës dhe Tuk
Jakovës, Enver Hoxha në mes

Lidhja e Mitës dhe Tuk<br />Jakovës, Enver Hoxha në mes
TIRANE- Sulmi politik i Enver Hoxhës kundër Tuk Jakovës është një mitralim i vërtetë në dy batare të gjata dhe të pamëshirshme: 1951 dhe 1955. Duke qenë se depërtimi tek arsyet e vërteta përse Hoxha kreu internimin, burgosjen dhe më pas gijotina e gjithëpushtetit të tij funksionoi në mënyrë automatike, të “pavarur”, për t’ia marrë jetën Jakovës, do të jetë temë e një cikli tjetër shkrimesh (me shpresë realizimi brenda këtij viti), prandaj në rrëfimin e tanishëm se cilat qenë akuzat e Enverit për Tukun do të qëndrojmë fare pak.    

Veç ajo që është shumë e habitshme ka të bëjë me një rrethanë, të cilën po e tregojmë në çast: Tuk Jakovën e ka sulmuar edhe Nexhmije Hoxha.
Ndërsa i shoqi, të paktën, për shkak se në prill 1985 ndërroi jetë, që prej këtij viti nuk e ka goditur dot më, këtë vazhdon dhe e bën me zell bashkëshortja e tij. Ja fragmenti që ndodhet në faqen 319 të librit të saj “Jeta ime me Enverin” (1998).

Në ato rradhë flet për Konferencën e Tiranës (maj 1956): “Ata nuk guxuan të dilnin në mbrojtje të Koçi Xoxes, por kërkuan rehabilitimin e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, që ishin dënuar me burgim si elementë antiparti në mbështetje të vijës jugosllave, duke ngritur çështje të tilla se gjoja nuk është Enver Hoxha që ka themeluar PKSH, por kanë qenë Miladini e Dushani dhe pse këta nuk vihen në stendat e Muzeut etj.

Për të sqaruar ata që nuk e njohin historinë e Partisë së Punës, po shënoj, në parantezë, se Bedri Spahiu nuk ka qenë i prirur për marrëdhënie të mira me Jugosllavinë. Nga kjo pikëpamje ai ishte një “nacionalist”, por në Plenumin e Komitetit Qendror që dënoi Tuk Jakovën për pikëpamjet e tij antiparti në mbështetje të Jugosllavisë titiste (duhet thënë se Dushan Mugosha e kishte bërë punën e tij helmuese me të kur ishin bashkë në Brigadën e Parë Sulmuese, në kohën e Luftës), Bedri Spahiu u solidarizua me Tukun nga mëria që kishte ndaj Enverit, nga që ky e kishte kritikuar për gabimet që kishte bërë Bedriu në Gjirokastër, qysh gjatë pushtimit italian”.

Tani fare pak radhë nga disa qindra e qindra që mbi Tuk Jakovën derdhi si zift i zierë Enver Hoxha.
23 shkurt 1953: “Mbi veprimtarinë oportuniste të shokut Tuk Jakova.-Nga analiza që i bëri Plenumi i  IX i Komitetit Qendror të PPSH të gjithë veprimtarisë së shokut Tuk Jakova, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror, u konstatua se veprimtaria e shokut Tuk Jakova si udhëheqës dhe si komunist, që nga viti 1943 dhe deri më sot, karakterizohet nga nji oportunizëm i thellë, liberalizëm i patolerueshëm, mungesë urrejtje në masën e duhur kundrejt armikut të klasës, mungesë të vigjilencës revolucionare, mungesë përpjekjesh për ngritjen ideologjike personale dhe neglizhenca serioze në kryerjen e detyrave që i ka pas ngarkuar partia...”

Trembëdhjetë paragrafe më poshtë: “...Në rast se partia do të ishte vënë në rrugën oportuniste të shokut Tuk Jakova, kjo pa tjetër do të çonte në likuidimin e partisë dhe të pushtetit tonë popullor..”.

Në 1955: “Nga analiza që i bëri plenumi i Komitetit Qendror të partisë më 15-17 qershor të këtij viti veprimtarisë së Tuk Jakovës, anëtar i Komitetit Qendror të partisë dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave ...

Duke gjykuar dhe interpretuar nga pozita anti-parti, anti-marksiste, revizioniste dhe karrieriste zhvillimin e situatës ndërkombëtare, Tuk Jakova ka pasur formuar bindjen se duhej të përmbysej vija e drejtë marksiste-leniniste e partisë sonë dhe të zëvendësohej me një vijë të përgjithshme trockiste, nacionaliste borgjeze dhe kapitullonjëse e një vijë e tillë duhej të ndërtohej nga një udhëheqje anti-marksiste me Tuk Jakovën në krye....Tuk Jakova është për revizionimin e vijës së partisë në drejtimin e shuarjes së luftës kundra tendencave anti-parti, ay është për një jetesë paqësore me tendencat antiparti në gjirin e partisë, është për shndërrimin e partisë sonë marksiste-leniniste në një parti borgjeze dhe social-demokrate...”
 
24 maji, ditëdashuria e shndërruar në ditë fatkeqësie
 
Në fillim të marsit 1943, në Korçë, ku jetonte familja Leka, bija të së cilës qenë, bashkë me dy vëllezër, Dhora e Mita (kjo e fundit kishte sapombushur të shtatëmbëdhjetat dhe qe nxënëse në klasën e gjashtë të Liceut), u shpall shtetrrethim. Në banesën e tyre, e cila qe bazë shumë aktive e luftës kundër pushtuesve, mbërriti me një frymë kryetari i këshillit nacionalçlirimtar dhe u tha: “Do t’ju rrethohet shtëpia, prandaj ikni!” Kështu nëna me të katër fëmijët e saj (i ati prej vitesh nuk jetonte më), ikën menjëherë dhe u strehuan në një banesë tjetër, tek familja Stratoberdha, edhe ajo me Lëvizjen Nacionalçlirimtare.

Dëgjuan tërë natën krismat e armëve që afroheshin dhe kur ato mbërritën fare pranë, u futën të gjithë në mbi tavan, mes pezhishkave që u ranë mbi fytyrë e trup. Por italianët nuk u ndalën, shkuan më tej në operacionin e tyre të spastrimit. Shtetrrethimi u prish vetëm pas dy ditësh dhe për të dalë nga Korça familjes Leka iu desh të visheshin si fshatarë. Shkuan në Voskopojë, qytezë nën kontrollin e partizanëve, ku në Shën Prodhon, tek Manastiri, ndodhej edhe një spital lufte.

Mita (Dhimitra Leka) ndodhej këtu kur në 25 mars i braktisi mësimet dhe erdhi në Voskopojë në një konferencë rinie të qarkut e gjithë klasa e saj. Më pas të gjithë liceistët qëndruan me partizanët.

Ishte në muajt e fillimit të jetës së re në Voskopojë kur pa për herë të parë Sejfulla Malëshovën, të porsardhur nga Franca: Po ashtu edhe Miladin Popoviçin, i cili i dukej njeri i mirë si edhe Dushan Mugoshën, që prej natyre i linte përshtypjen e një të rrepti. Pa edhe Enver Hoxhën, i cili atë kohë nuk qe i njohur. Madje ishte rasti i takimit me të, kur Dhimitra kuptoi se kishte emër si shënjuese e mirë. Ndërsa në një farë poligoni po provonin të gjithë të qëllonin, Hoxha iu afrua dhe i tha “Moj shoqja Mita më kanë thënë që ti shtie mirë! A nuk do ta provosh edhe tani?” “Shtini ju sefte!”, i qe përgjigjur ajo, ca për modesti dhe ca për respekt.

Kur në 25 gusht 1943 u krijua Brigada e Parë Sulmuese Dhimitra u bë pjesë e saj, duke u rreshtuar në batalionin e katërt, saktësisht në kompaninë e tretë dhe në skuadrën e tretë. Në majin e vitit 1944, kur në përbërje të forcave për sigurinë e tij, po shkonin në Kongresin e Përmetit, rrugës ku ndodhej një shtab luftarak, Miladin Popoviçi i pati dhuruar një pushkë të shkëlqyer (“Mita ti shtie shumë mirë, prandaj unë kam qejf të të dhuroj një maliher”).

Të gjitha këto hollësi si edhe shumë të tjera duhet t’i marrësh vesh në një bisedë kokë më kokë me Mitën, sepse ka prirjen të jetë e rezervuar dhe se nuk e ka shkruar një libër kujtimesh. I vetmi që ajo ka botuar titullohet “Letërkëmbim i dhimbshëm”, publikuar në 1999, i cili përfshin korrespodencën me të shoqin e saj në vitet e internimit dhe të burgosjes së tij, deri në çastin e vdekjes: 1957-1959.

Të dëbuar në Berat, pasi në nëntor 1956 u pati ardhur njoftimi se aty qenë internuar për pesë vjet, në 24 maj 1957 ndëshkimi politik u bë më i ashpër. U krye izolimi i plotë i Tukut në Kalanë e Kaninës.

Vështirë të mendohet se caktimi i kësaj date ka qenë thjesht një rastësi. Enverizmi ishte një regjim i organizuar mjaft mirë në bizantinizmin e vet. Dihej prej Hoxhës e të tjerëve krerë që 24 maji ishte një ditë shumë e shenjtë për çiftin Jakova. Qe ditëdashuria, ditëfejesa dhe madje ditëdasma e tyre. Në këtë 24 maj ndërsa nëpërmjet Kongresit të Përmetit pushteti komunist i pasluftës do të hidhte themelet e tij të rënda, do t’i ngrinte të vetat brishtësisht edhe familja Jakova.

Por i pari shumë shpejt do të vërsulej të shkatërronte të dytin.
Sipas librit të letërkëmbimit dy ditë më pas nga kjo ngjarje tronditëse (katër fëmijët e vegjël mbetën pa baba), Tuku, duke dëshmuar qëndresë të fortë psikologjike, po ashtu dëshmuar natyrën e tij krejt paqësore si edhe modestinë e një punëtori marangoz që jetën e pati nxjerrë me djersën e vet, i bëri bashkëshortes letrën e parë. Një fragment i saj: “Té dashurit e mij! Mita, Vjosa, Gimi, Besnik, Bujana. Harrita mirë në vendin që më kanë caktue.

Këtu klima asht e mirë, ushqimin na i japin të mirë e të bollshëm. Kohën e kalojmë mirë, lozim shah, lexojmë libra, tregojmë përralla dhe historira, kështu që nuk po mërzitemi fort. Këtu nuk ka mundësi të paktën tash për tash të punoj zanatin dhe të nxjerr ndonjë lek”. Më 7 qershor 1957 do t’i shkruante të shoqes: “Fëmijve thuaj të bëhen të mirë, të mos sillen rrugave dhe të dëgjojnë ty, se kur të kthehem nga shërbimi do t’i due shum dhe veçanërisht ata që janë bërë ma të mirë e ma të ndigjueshëm” (“Dërgimi me shërbim” ishte një sajesë për të mos u shkaktuar të vegjëlve ndonjë traumë, por që nuk mbijetoi gjatë).

Në 15 shtator 1957 Tuku i kërkoi Mitës gazetat në rusisht “Pravda” dhe “Kohët e reja”. E theksojmë këtë hollësi, sepse Enver Hoxha e pati akuzuar se ishte indiferent dhe mosmirënjohës ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Nexhmija se antisovjetizmi i Tukut vinte prej lidhjes së ngushtë të tij me jugosllavët.

Vëmë në dukje po ashtu një detaj: Ditëdërgimi i kësaj letre qe ditëlindja e Gimit. Mbushte 10 vjeç.
Në 25 tetor letra tjetër e Tuk Jakovës thoshte që në fillim “Dje “festova” 5 mujorin e arrestimit. Bleva pak raki dhe e piva duke ju kujtue ju dhe ditën fatkeqe të 24 majit”. Ditëdashuria e tyre u qe shndërruar në ditë fatkeqësie!

Në 8 nëntor 1957 prej një letre tjetër të tij mësojmë se është dita e lindjes së vetë Tuk Jakovës. Ja edhe një simbol tjetër i trishtë i një kohe me shumë pabesi. Në 8 nëntor komunistët shqiptarë patën themeluar partinë, e cila shumë shpejt do të bëhej partia e Enver Hoxhës dhe e gjithëpushtetit të tij. Çfarë duhet të ketë ndjerë Tuk Jakova në ato dy tetë nëntor lindjeje (1957-1958), të cilat i kaloi në një izolim më represiv në Zvërnec dhe pastaj në Burgun e Vjetër në Tiranë, i dënuar nga partia e tij?

Duke qenë se letrat e Mitës të vitit 1957 hetuesia nuk ia kthehu, në librin e saj epistolar e para e tyre që shfaqet është e 12 janarit 1958, nisur nga Berati. Në 27 prill Tuku i shkruante: “Shumë e dashur Mita, kjo është letra e parë që po të shkruaj nga burgu siç të kanë thënë edhe ata shokët e degës aty, unë u dënova me 20 vjet burg”. Në 6 maj ajo e thërret shokun e saj të jetës me fjalët e ëmbla “Xhan i Mitas”.

Në 24 maj 1958 letra e nisur nga Burgu i Vjetër nis “Kjo ditë për ne ka qenë gjithnjë shumë e dashtun. Çdo vit kjo datë na përtërinte kujtimet e paharrueshme që na lidhin ne të dyve”.
 
Ta jap fjalën Tuk
 
Në kongresin e Përmetit nga komisar i Brigadës së Parë Tuk Jakova u emërua komisar i Divizionit të Parë. Mori edhe gradën e kolonelit. Në ato ditë, pas vrasjes së Ramizesë dhe deklarimit të Nako Spiros në Helmës se çfarë kishte në zemër e fejuara e tij që donte një tjetër, ishte vetëm çështje personale e tyre, pra pushkatimin e saj e konsideronte një krim, nisur edhe prej një gjykimi jo miratues të asaj vrasjeje edhe prej Enver Hoxhës, mes delegatëve dhe partizanëve të shumtë në Përmet u krijua një atmosferë më e çlirët për dashurinë.

Dhora Leka ato ditë ishte në gjendje shumë të rëndë shpirtërore, sepse i qe vrarë, prapa krahëve dhe në mënyrën më të dyshimtë, i fejuari, Jorgo Plaku, komisar i çetës së Devollit. Nga që, sepse kishte mbaruar Tekniken e Tiranës, dinte anglisht, ai rrinte vazhdimisht me një mision britanik. Flitej se ia kishin marrë jetën pikërisht për shkak të këtij bashkëpunimi.

Një ditë ndërsa Dhora dhe Mita po ecnin nëpër qytet, përballë tyre u shfaqën Tuk Jakova dhe Miladin Popoviçi. Tuku i thirri të motrën dhe i tha “Do të vish pak tek baza ime”. Pastaj shtoi “Do të bisedojmë. Le të vijë edhe Mita!” Kur shkuan Dhora hyri brenda në zyrën e komisarit, kurse Dhimitra qëndroi në korridor. Kur e motra doli, i tha “Të kërkon Tuku!” Atëherë Mita hyri. Të dy u ulën në një si gjysmë divani. Tuk Jakova nisi të fliste: “E di pse të thirra edhe ty? Sepse Dhora është shumë e dëshpëruar për vrasjen e të fejuarit. Nuk është mirë kështu, ka rënë moralisht. Duhet t’i flasësh, t’i japësh kurajë të mos e lëshojë veten”.

“E di, iu përgjigj Mita, nga ajo vdekje edhe unë u dëshpërova shumë sepse ishte shumë njeri i mirë”.
Më pas komisari e pyeti “Po ti si po shkon në brigadë?” “Shumë mirë,  shoku Tuk, por nuk jam e kënaqur për shumë thashetheme që kam dëgjuar”. “Çfarë?” “Nuk guxoj të qesh një çikë me një djalë dhe më hapin fjalë”. “Pse, çfarë të kanë thënë?” “Më kanë thënë për këtë dhe atë, edhe për ju shoku Tuk më kanë thënë.

Po pse ne të dy kemi gjë? Ja kemi gjë ne të dy?”
Ai se si e pa. Mita u hutua krejt. Ja kishte thënë komisarit këtë brengë të saj fare sinqerisht, sepse i kishte vërtet një shqetësim të madh pyetjet “Ke gjë me këtë apo atë” Mes shumëve i kishin përmendur edhe emrin e Tukut. Asgjë nuk kishte me kërkënd, por fjalënaja ndizej prej natyrës së saj të shoqërueshme dhe të gëzueshme. Mita këndonte nëpër pushimet e brigadës apo kur shpërndaheshin nëpër baza. I binte edhe kitarës, madje edhe kur ajo ishte qull nga shirat. Kjo fundit i vinte pas bashkë me intendencën, rrinte tek mushka që mbante ushqimet.

“Po sikur kjo të ndodhte Mita, çfarë do thoshe?”
Po i fliste kështu komisari i saj!! Dhimitra ngriu dhe ndjeu zemrën që i bëri lëmsh rrahjet.
“Gjykoje Mita këtë mendimin tim! Unë do iki, do të shkoj me divizionin dhe nuk do të kemi më rast të rrimë e të bisedojmë si sot, prandaj sa të jemi këtu në Përmet gjyko me qetësi. Pastaj më thuaj po ose jo”.

Tukun ajo e kishte parë dhe takuar shumë herë, madje në një rast, kur qe e sëmurë, ai e kishte hipur në kalin e tij. Ai ishte i bardhëm shumë i bukur. Komisari nuk i hipte kurrë. E përdorte vetëm për të ndihmuar të plagosurit. Doemos që simpati për të kishte, fshehurazi, edhe pse kishin një diferencë prej 12 vitesh.

“Kemi dalë në mal sepse kryesore kemi luftën, të çlirojmë vendin, vazhdoi të fliste Tuk Jakova, por kjo nuk do të thotë gjë. Nuk ka gjë më të bukur Mita që edhe shokun e luftës ta kesh edhe shok jete. Prandaj ndjenjat nuk mund t’i ndalojë as lufta, po të kemi fat e të shpëtojmë. Ne nuk do t’i trembemi luftës, do të luftojmë, madje të mos e kursejmë veten”.

Pastaj vazhdoi: “Veten në luftë të mos e kursesh, sidomos kur e ke armikun përballë. Ai i armatosur, ti e armatosur. Por një këshillë të jap. Kur të bëhen pushkatimet, kurrë të mos marrësh pjesë! Nuk ka gjë më të ulët se të marrësh pjesë në një pushkatim, pavarësisht se ai dënohet me gjyq. Ke para një njeri të paarmatosur, pa asnjë forcë për t’u mbrojtur, kurse ti e ke në dorë. Mos merr pjesë kurrë!”

Tuk Jakova qe përskuqur lehtësisht në fytyrë, por përpiqej me shumë mund të mos e bezdiste me vështrimin e tij, i cili tashmë ishte prej një të shumëdashuruari.
“Kështu pra, përsëriti, ne do të luftojmë, sepse këtë kemi detyrën kryesore, por s’ka më e bukur se shokun e luftës ta kesh edhe shok jete”.

“Nuk kam çfarë mendohem, Tuk”, foli menjëherë Mita. “Po ta jap fjalën që tani. Edhe unë e kam menduar këtë dashuri, por nuk e kam shkuar ndër mend kurrë që unë Mita, një partizane e thjeshtë, do bëhesha shoqja e jetës e komisarit të brigadës. Prandaj unë nuk kam çfarë mendohem më. Të jap fjalën!”
U ngritën në këmbë. Tuku e mori afër dhe e puthi në ballë.

Aq shumë u trondit Mita, sa duke dalë, në vend të gjente shkallët për të zbritur, hyri në dhomën ngjitur ku një grua po gatuante.
Shkoi menjëherë tek familja ku kishin bazën dhe rrinte bashkë me të motrën. Sa ra në shtrat i hipi një temperaturë e lartë. Plot dyzetë.

Atë natë të 24 majit 1944, nëpër kllapi temperature, Dhimitra Jakovës i dilte para sysh, si vegim, fytyra e të vëllait, Petros. Të dy kishin diferencë të madhe moshe, sepse i ati, emigrant në SHBA, kthehej rrallë në shtëpi dhe shtatzënitë e nënës qenë me shumë vite të largëta nga njëri-tjetri. Kështu Petro, pasi kishte kryer studimet për agronomi në Greqi dhe Mita qe fare e vogël, u bë për të një mësues.

Njeri me karakter të mrekullueshëm, pas vdekjes së të atit që Dhimitrën e la nëntë vjeçe, ai e rriti atë shpirtërisht, mbi të gjitha i nguliti parimet e mirësjelljes në shoqëri. Kështu kur ajo qe pesëmbëdhjetë mote jete ai ishte njeriu i vetëm të cilit i pati premtuar se do t’ia thoshte të parit emrin e të dashurit të zemrës.

Por nuk e kishte mbajtur dot fjalën. Ishte magjepsur nga Tuk Jakova dhe e pati pranuar pa u këshilluar me të vëllanë. Kur ta mësonte këtë gjë çfarë do të thoshte Petro: pati vepruar drejt apo gabueshëm? Ndërkaq të motrës, Dhorës, edhe pse e kishte aty, hë për hë nuk i tha gjë. I hapi rrugë vuajtjes së saj shumë të madhe ato çaste.
Familja Jakova


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë