Lidhja e Prizrenit, si i zbuloi Kristo
Frashëri dokumentet e panjohura

Lidhja e Prizrenit, si i zbuloi Kristo <br />Frashëri dokumentet e panjohura
Akademik Kristo Frashëri edhe pse aktualisht ndodhet në një gjendje të rëndë shëndetësore në këtë 100-vjetor të Pavarësisë shfaq një zell të jashtëzakonshëm për të qenë pjesëmarrës me mendimin e tij historik, akademik dhe publicistik në të gjitha mediumet. Ai konsiderohet si një nga personalitetet më të zëshme kur bëhet fjalë për të debatuar mbi çështje të rëndësishme të historisë e të kombit. E telefonojmë shpesh për gjithçka, për himnin, për historinë e Tiranës, për firmëtarët e Pavarësisë, Lidhjen e Prizrenit, për Ismail Qemalin dhe ai me gjithë shpirt bëhet pjesëmarrës dhe ndihmës i medias në çështje delikate që prekin thelbin e historisë kombëtare. Akademik Kristo Frashëri i bën sfidë sëmundjes si rrallëkush. Është guximtar ashtu si dhe më mendimet që shpreh. Nuk del dot më nga shtëpia, por nr. i tij i telefonit gjendet në çdo celular të gazetarëve. Ende na vjen në vesh ai zëri i tij i përmbajtur, frymëmarrja e vështirësuar, por që pikon mendime të qarta e të prera, kur ne jemi ende të paqartë me qëndrimin e politikanëve për çështje të mprehta të historisë dhe mënyrës si interpretohet ajo. Ku e gjen vallë gjithë atë energji “profesori” kur është duke luftuar me sëmundjen në shtrat?! Sipas bisedës me birin Gjegjin e gjejmë një përgjigje: Kristo Frashëri dëshiron të jetojë e “të arrijë 100-vjetorin e Pavarësisë”. Akademik Kristo Frashëri i është dedikuar historisë dhe çështjes kombëtare. Nuk ka kaluar shumë kohë dhe në Prizren janë promovuar dy nga veprat e tij. Janë dy tekste të ndryshme, por që kanë pikë referimi përpjekjet për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Njëra është vepra e fundit madhore e tij, me titull “Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881)“ botuar nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila u mundësua nga Universiteti “Kristal“ dhe botimi tjetër më modest me titull “Frashëri – Shkëlqimi dhe Rrënimi i tij“, cili është botuar dy vjet parë, më 2010-n, mundësuar nga “Qendra Frashëri“ në Tiranë, vepër e cila kishte mbetur e papromovuar deri më sot.


I biri Gjergji rrëfen odisenë
Si lindi vepra te Frashërinjtë


Zoti Gjergji, është e vërtetë që vepra e babait tuaj, Lidhja e Prizrenit, është botuar dhe promovuar enkas për 100-vjetorin e Pavarësisë?
-Vepra e Frashërit mbi lidhjen e shqiptarëve në Prizren, është botuar duke u zgjeruar dhe thelluar dekadë pas dekade, në koherencë kështu me ecurinë e rritjes së nivelit kulturor të popullit të vet dhe me ndërgjegjen kombëtare të pjesëve të copëtuara (ndara), në zgjimin e tyre kombëtar për t’u bashkuar. Pikërisht, vepra është zgjeruar dhe thelluar enkas me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, të cilën personalisht, unë –djali i tij, e ndjej më mirë se kushdo tjetër, se si ai po lufton me moshën e tij dhe me lutjet, që ta arrijë ta shohë mëngjesin e 28 Nëntorit 2012. Dëshiron shumë të marrë diçka me vete në strajsën e mërgimit të përjetshëm, të marrë më vete koncepte e projekte të aktualizuara, për t’i treguar (kumtuar) Shpirtrave të Shenjtë të Kombit, jo se ç‘ishte dhe si Është Shqipëria, por se si ajo Mund të Bëhet për njëqind vjetët e ardhshëm.

Kur dhe ku u bë promovimi i veprës?
-Vepra “Lidhja Shqiptare e Prizrenit“ e Prof. K. Frashërit doli nga shtypi para 15 ditësh, dhe u promovua fillimisht në Prizren më 10 qershor, në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim“, organizuar nga Ministria e Diasporës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rastin e 134-vjetorit të Lidhjes Shqiptare së Prizrenit. Falënderoj personalisht kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademikun Gudar Beqiraj që më caktoi të thosha disa fjalë në Prizren rreth promovimit të veprës së Prof. Kristo Frashërit për “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit“. Ky takim në Prizren ishte për veprën e historianit dhe prezantimin e Akademisë sonë shumë i rëndësishëm. Ai ishte edhe për mua, për besimin që mu dhurua nga ana e Akademisë sonë të Shkencave i vlefshëm dhe detyrues për të ardhmen.
Nuk më është dhënë asnjëherë rasti të promovoj qoftë edhe një punë sado të vogël e modeste të Profesor Kristo Frashërit. Sepse Ai është im Atë, dhe promovimi i një vepre të babait nga i biri nuk është e zakonshme - si të thuash nuk është e udhës të bëhen vlerësime midis pjesëtarëve të familjes, sepse kjo punë i takon kryesisht Kritikës së mjedisit qytetar. Por po e përsëris, për rastin konkret e mora këtë detyrë me kënaqësi e modesti të veçantë, sepse gjithkush duhet të mundohet me çiltërsi dhe kurajë në këto momente, për t’u afruar dhe gjetur gjuhën e përbashkët me atdhetarët. Shqiptarët kanë me shumicë historianë të politikës dhe të konjunkturës së pushtetit. Kristo Frashëri ka qenë dhe është për mua, historiani i bashkimit kombëtar, qytetari i pozicionuar, që kemi nevojë sot më shumë se kurrë. Kur mbaron së lexuari këtë vepër, çdo shqiptar nxjerr detyra, se çfarë duhet të bëjë në të ardhmen…

Cilat janë dimensionet e monografisë?
-Monografia është mjaft e ngjeshur si vëllim. Ajo zë rreth 750 faqe. Ka një hyrje mjaft interesante, e cila është një punë shkencore më vete. Në këtë hyrje autori ka analizuar qindra vepra të botuara më parë mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit duke nënvizuar për secilin botim vlerat historike dhe shkencore të tij. Vetëm për këtë analizë shkencore, autori duhet përgëzuar në mënyrë të veçantë, pasi askush deri sot nuk ka guxuar të depërtojë në këtë pyll të dendur të historisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Vijnë pastaj faqe kushtuar historisë së mirëfilltë të Lidhjes, të cilat janë ndarë në 24 kapituj. Pa leximin e tyre është pothuaj e pamundur të perceptohet rëndësia historike dhe shkencore e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më në fund punimi ka edhe një bibliografi të pasur të veprave që autori ka shfrytëzuar.

Si mund të skicohen disa nga rezultatet kryesore të analizës shkencore të autorit në këtë vepër?
- Qëkurse e kemi mësuar në bankat e shkollës historinë e Lidhjes së Prizrenit, madhështia e veprës së saj është rrënjosur thellë në ndërgjegjen dhe kujtesën tonë historike. Unë e kam për nder të paraqes, monografinë e një historiani, që e ka trajtuar me shumë dashuri dhe seriozitet historinë e saj, historinë e një ngjarjeje, që tronditi për katër vjet me radhë, jo vetëm pushtetin osman, por edhe diplomacinë evropiane.
Për hartimin e kësaj teme autori ka punuar vite të tëra. Kur flasim për Kristo Frashërin kam të drejtë t’ju them – se ai për këtë vepër ka punuar dekada të tëra. Kam qenë i mitur (drejt fundit të viteve 50‘) kur dëgjoja gjyshin tim, Anastas Frashërin, (që më mbante përherë pranë ku rrinte në verandën e shtëpisë), i cili fliste mbrëmjeve me tim Atë për Lidhjen e Prizrenit, dhe e shtynte atë me kujtimet dhe amanetet e tij që të shkruhej kjo vepër madhore e popullit shqiptar - vepra e Prizrenit, siç e quante ai. Më se 60 vjet është rritur kjo monografi në tavolinën e Profesor Kristos dhe është lëmuar nga dora e tij deri në formën që kemi sot përpara.
Ndonëse Lidhja e Prizrenit është një ngjarje që zgjati katër vjet, ajo përfaqëson për autorin ngjarjen më të rëndësishme të Shqipërisë që ndodhi gjatë sundimit pesë shekullor osman. Për nga rëndësia historike, ai e shikon Lidhjen e Prizrenit si një urë lidhëse midis dy ngjarjeve të tjera më madhore të historisë së shqiptarëve - midis Epopesë së Skënderbeut të shek. 15, e cila konsakroi përjetësisht ekzistencën e kombit shqiptar dhe e shpëtoi atdheun nga zhdukja, dhe Shpalljes së Pavarësisë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 Nëntor 1912, e cila krijoi shtetin shqiptar të pavarur. Midis këtyre dy ngjarjeve të mëdha, sipas historianit Frashëri, qëndron Lidhja e Prizrenit, e cila provoi, se shekujt e sundimit osman nuk e kishin zhdukur as dobësuar ndërgjegjen kombëtare. Monografia e tij provon, se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka një meritë të veçantë, të cilën nuk e kanë njohur kuvendet e shumta të zhvilluara para saj, se Lidhja e Prizrenit ndryshonte rrënjësisht nga Lidhjet e mëparshme, të cilën pas analizave e çmon në disa aspekte:
E Para, se në Prizren u mblodhën delegatë nga të gjitha viset shqiptare, ndryshe nga ato të mëparshme që kishin karakter krahinor – u mblodhën delegatë nga Çamëria deri në Prevezë, nga Shkodra në Tetovë.
E Dyta, Lidhja e Prizrenit bashkoi luftën për mbrojtjen e trojeve, me luftën për krijimin e shtetit shqiptar.
Si veçori të Tretë, autori e shikon atë si të parën organizatë që parashtroi kërkesën që Shqipëria e pavarur të ishte një shtet demokratik, me institucione që të zgjidheshin dhe jo të emëroheshin, me pushtet qendror dhe pushtet lokal të veçuar.
E Katërta, autori e ka parë Lidhjen e Prizrenit si të parën organizatë që shkriu në lëvizjen e vetme për të njëjtin qëllim – luftën e armatosur me aksionet politike dhe me veprimtarinë diplomatike.
E Pesta, e sheh si të parën organizatë, e cila i dha lëvizjes kulturore shqiptare po atë vlerë, sa edhe të lëvizjes politike.
Sipas autorit, me këto veprimtari, Lidhja e Prizrenit është organizata më përfaqësuese, më e larta që përfaqësoi ideologjinë e Rilindjes Kombëtare, bashkimin në një shtet të vetëm i të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, feje dhe ideje.

Ç’mund të thuhet për dokumentacionin e shfrytëzuar të monografisë?
Historiani Frashëri ka ndërtuar monografinë duke u mbështetur në burime të mirëfillta dokumentare. Në plan të parë ai ka shfrytëzuar dokumentet që kanë dalë në kohën e vet nga vetë organet e Lidhjes Shqiptare. Shumë prej tyre janë të pajisura me shkrimet e krerëve të Lidhjes, qoftë të Qendrës, qoftë të rretheve. Një vend të veçantë zënë edhe shkrimet e botuara në ditët e Lidhjes Shqiptare, nga udhëheqësit e saj të kulturuar. Prej tyre vendin kryesor e zënë shkrimet e dala nga pena e Abdyl Frashërit, i cili me të drejtë mund të konsiderohet si ideologu i Lëvizjes Kombëtare shqiptare dhe si diplomati më i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nuk mungojnë edhe kujtimet e disa prej pjesëmarrësve të Lidhjes së Shqiptarëve. Por një peshë të rëndësishme në trajtimin e monografisë kanë zënë edhe raportet e ambasadorëve dhe konsujve të fuqive të mëdha, të vendosur në Gadishullin Ballkanik – anglezë, francezë, italianë, rusë, gjermanë, austro-hungarezë, etj., drejtuar qeverive të tyre. Vetëkuptohet, se aktet diplomatike mbajnë njoftime të vyera mbi veprimtarinë e Lidhjes. Megjithatë ato që e ngrenë lart vlerën shkencore të monografisë janë analizat dhe sintezat e autorit, i cili sipas mendimit tim është treguar i kujdesshëm dhe objektiv. Koha me siguri do të sjellë dokumente të reja mbi Lidhjen e Prizrenit. Por më lejoni të shfaq mendimin tonë, se vlerësimi realist shkencor i historianit tonë klasik mbi Lidhjen Shqiptarë të Prizrenit nuk do të lëkundet dhe aq më pak do rrëzohet, veçse do çmohet gjithnjë e më tepër.


Si nisi vepra “Lidhja
Shqiptare e Prizrenit”

Një vepër mbi “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit“ akademiku Frashëri e pati botuar edhe më parë. Kjo vepër tashmë vjen e plotësuar dhe nuk është thjesht një ribotim për faktin se tregu ka kohë që është boshatisur nga kjo vepër. “Botimi nuk ka pasur qëllim të plotësojë vetëm këtë boshllëk të tregut. Nuk është thjesht një ribotim”, pohon historiani. Tema mbi Lidhjen e Prizrenit si kulminacion - tempull i përpjekjeve të Rilindësve për bashkimin dhe pavarësinë e shqiptarëve nën një shtet të vetëm, ka qenë temë jetësore e formimit të Kristo Frashërit si historian. Kujtojmë punimet e tij të para shkencore qysh në vitet ‘50‘ të shekullit të kaluar, madje veprën e tij themeluese prej 255 faqesh me këtë titull botuar në vitin 1979, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Megjithatë botimi i tij i parë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave u përgatit në vitin 1984 në dy vëllime. Vëllimi i parë prej 370 faqesh mundi të dalë nga shtypi vetëm në vitin 1989. Vëllimi dytë me dokumente të mbledhura deri në vitin 1984, mbeti atëherë pa u botuar. Ky vëllim u përfshi në një monografi më të plotë të veprës që Shtëpia Botuese „Toena“ botoi në vitin 1997. Por edhe kësaj radhe, megjithëse u bë një hap i madh për realizimin e botimit të plotë, mbeti pa u botuar vlerësimi kritik që autori i ka kushtuar me profesionalizëm historiografisë kushtuar Lidhjes së Prizrenit. Meqenëse nga botimet e mëparshme nuk ka mbetur asnjë vëllim në treg, gjë që tregon interesin e publikut për këtë ngjarje madhore të historisë së Kombit Shqiptar, kjo monografi po ribotohet e zgjeruar dhe e thelluar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Këtë radhë, monografia mbi Lidhjen e Prizrenit botohet e plotë, me vëllimin e parë të botuar më 1989, me vëllimin e dytë të vitit 1997 mbushur me dokumentet më të reja, përfshirë edhe vështrimin kritik të pabotuar deri më sot, të gjitha tashmë në një vëllim të vetëm. Meqenëse Akademik Kristo Frashëri nuk shkonte dot vetë në Prishtinë për arsye shëndetësore, atë e përfaqësoi i biri Gjergj Frashëri, arkitekt dhe studiues i njohur.


Monografia
Frashëri – Shkëlqimi dhe Rrënimi i tij

Promovimi i veprës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” në qytetin e Prizrenit, Kosovë, është shoqëruar me një tjetër vepër: monografia “Frashëri – Shkëlqimi dhe Rrënimi i tij“. Promovimi i kësaj monografie u bë më parë më datën 23 Qershor në qytetin e Përmetit në një takim të organizuar nga Seksioni Shqiptar i CIOFF-it, Bashkia e Qytetit Përmet, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Këshilli i Muzikës Shqiptare. Me këtë rast u promovua edhe një herë vepra e Kristo Frashërit mbi Lidhjen e Prizrenit edhe përpara publikut përmetar. “Promovimi i tyre bëhej në qytetin e Përmetit, i cili aktualisht është kryeqyteti i Dangëllisë, nga rrjedh familja jonë, gjyshërit dhe gjyshet e mia”, rrëfen i biri Gjergj Frashëri. Sipas librit të historianit të njohur Kristo Frashëri, Frashëri del për herë të parë në burimet osmane si fshat qysh në vitin 1431-1432. Monografia përshkruan historinë e këtij nga fshati qysh prej kësaj kohe dhe deri me djegien e tij të plotë nga grekët më 1914. Mbas kësaj kohe Frashëri hyri në periudhën e rrënimit të tij që vazhdon deri në ditët e sotme. “Më vjen mirë që erdhi rasti të tregoj, se një shtysë për shkrimin e librit të tij mbi “Frashërin“, im atë e ka marrë fillimisht si një detyrim familjar prej tre fëmijëve të tij, prej meje dhe dy motrave të mija të mërguara, Zanës dhe Arbanës”, -thotë Gjergji, duke theksuar se “Ne e kemi ndjerë si nevojë shpirtërore dhe krenari kombëtare, për të treguar në viset e huaja, se nga vinim ne bashkë me fëmijët tanë, se cila ishte origjina jonë”. Por historiani atëherë 90-vjeçar, me siguri, nuk e mori këtë detyrë vetëm si detyrim familjar. Ai e ka ndjerë se për një punim të tillë kishte nevojë edhe qytetari shqiptar, i cili mendon sot për bashkimin dhe përparimin kombëtar.

Historia e një fshati si Frashëri

Libri mbi Frashërin është historia e një fshati, dikur të lulëzuar dhe sot pothuajse të braktisur. Kush e ka lexuar - ka parë se Frashëri ka një histori të veçantë, e cila ngjan sikur është historia kombëtare e Shqipërisë në miniaturë, me të gjitha meritat dhe me të gjitha fatkeqësitë e saj. Historia e Frashërit të historianit tonë, n’a porosit të mos i harrojmë fatkeqësitë që ka pësuar fshati në të kaluarën, i cili nuk dallon nga fatkeqësitë që ka pësuar kombi ynë. Qyteti i vogël Frashër shquhet edhe nga jeta intelektuale, pra edhe për nga jeta kulturore. Historiani Kristo Frashëri tregon me fakte , se ai është fshati që i ka dhënë Shqipërisë universitarët e parë, është fshati që i ka dhënë Shqipërisë tre yje të pashuar, tre pionierët e mëdhenj. Lexojeni historinë e fshatit dhe do të shihni se ku e gjeti frymëzimin burri i madh i kombit Abdyl Frashëri. Aty do të shihni, se ku e gjeti frymëzimin poeti i madh i kombit Naim Frashëri. Aty do të zbuloni gjithashtu, se ku e gjeti forcën filozofi i madh i kombit Sami Frashëri. Do t’a mbyll me apelin që lëshon autori në fund të punimit – Mos e braktisni Frashërin, mos e lini të shuhet nga harta gjeografike. Siç e ka thënë Mihal Grameno, Frashëri është për kombin shqiptar, si Jeruzalemi i Palestinës për të krishterët, dhe si Meka e Arabisë për myslimanët shqiptarë”. Të dyja monografitë u pritën me mjaft interes nga publiku përmetar. “Unë pata marrë më vete për këtë takim edhe fjalët përshëndetëse të historianit Kristo Frashëri, në pamundësi për të ardhur vetë për shkak të moshës”, thotë i biri duke na treguar me tej se ai shprehte keqardhjen që nuk vinte dot në qytetin e luleve, Përmetin, ku ai ka jetuar plot pesë vjet. Për atë janë kujtime të paharruara. Kujton veçanërisht studentët e tij. Por, në pesë vjetët e qëndrimit dhe të punës në Përmet arriti të shkruante edhe historinë e Përmetit (deri më 1939). “Ka dëshirë ta botojë. Atë e ka shkruar në konceptin e një trilogjie për tre qytete - Tiranën, që e ka botuar, Dibrën (Peshkopinë) që është në botim dhe Përmetin, që ende nuk ka plane botimi. Monografia tashmë e botuar e Frashërit nuk llogaritet në këtë trilogji. Ai është vendi i origjinës së të parëve të vet dhe të fëmijëve të tij”, rrëfen i biri Gjergj Frashëri.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete