Lidhja e shkrimtarëve, kritikat
në KQ të PPSH për Petro Markon/PDF

Lidhja e shkrimtarëve, kritikat<br />në KQ të PPSH për Petro Markon/PDF
Në fund të dhjetorit 1973, një stuhi kritikash do të zbrazeshin  mbi krijimtarinë e Petro Markos,  dhe për disa gabime të rënda që kishin ndodhur në botimin e disa artikujve në revistën “Nëntori”.

Për komitetin Qëndror, Xhemal Dini, harton një relacion për mbledhjet e organizatës bazë të Partisë, ku ishin trajtuar pikërisht këto çështje: romani i Petro Markos “Një emër në katër rrugë”, një dramë e tij botuar në revistën Nëntori me titull “Niku i Martin Gjinit” dhe disa artikuj të botuar po në Nëntori, ku dukej qartë sipas hartuesit të relacionit se nuk është reflektuar pas mbajtjes së plenumit 4 dhe nuk goditet “veprimtaria armiqësore e rrufjanëve politikë F. Paçrami dhe T. Lubonja...”

Në relacionin e tij Xhemal Dini informon se përgjegjësit për këto gabime në revistën “Nëntori” janë: Fatmir Gjata kryeredaktori i revistës, Andon Kuqali sekretar i kolegjiumit të revistës dhe redaktori Gjergj Zheji. Pak më poshtë ai komunikon vendimin për ti larguar nga detyra Gjatën, Kuqalin e Zhejin.  

Më tej ai shkruan në relacionin e tij për mbledhjen e datës 18.12.1973 ku u diskutua mbi romanin “Një emër në katër rrugë” të P. Markos dhe përgjegjësinë që mban për botimin e tij anëtari i organizatës bazë shoku Llazar Siliqi, si redaktor i librit. Mes 13 pikave ku evidentohen pikat e dobëta dhe të gabuara në këtë vepër letrare bie në sy pika 5 ku shkruhet: “Figura e Profesorit (shoku Enver Hoxha) në roman del mjaft e dobët, e zbehtë, ashtu siç nuk duhej të jepej figura e udhëheqësit tonë. Një trajtim i tillë është krejtësisht i patolerueshëm”, shkruan Xhemal Dini në këtë relacion. Dokumenti i plotë botohet për herë të parë për lexuesit e Shqiptarja.com dhe ruhet në fondin 14 në AQSH.
  

 
Shokut Jakup Mato – Komiteti Qendror i PPSH
 
RELACION
Në disa mbledhje të fundit të organizatës bazë të Partisë si dhe në mbledhjen e organizatës profesionale, u mor në analizë gjendja në revistën “Nëntori” dhe masat për rregullimin e gjendjes. Gjithashtu, në mbledhjen e fundit të organizatës bazë të partisë u diskutua rreth romanit të Petro Markos “Një emër në katër rrugë” dhe mbi përgjegjësinë që mban për botimin e këtij romani, anëtari i organizatës sonë shoku Llazar Siliqi, i cili ka qenë redaktor i librit.
Për sa i përket gjendjes në revistën “Nëntori”, ku në disa numra janë botuar artikuj që kanë të meta e dobësi të karakterit ideor si dhe drama e gabuar ideologjikisht “Niku i Martin Gjinit” e Petro Markos, organizata bazë e partisë, pas një diskutimi të gjerë vuri në dukje se:
1. Artikulli i Arsen Mustaqit, botuar në numrin 10 të revistës, mbi pasqyrimin e luftës kundër revizionizmit në poezinë popullore, megjithëse është botuar pas punimeve të Plenumit IV të KQ të PPSH, nuk lidhet me idetë e plenumit dhe nuk godet veprimtarinë armiqësore të rrufjanëve politikë F. Paçrami dhe T. Lubonja, të cilët e përbuznin këtë traditë. Nga të meta të tilla vuajnë edhe artikulli i V. Qurkut mbi dekadentizmin dhe artikulli i N. Z. Tomës mbi disa probleme të traditës në tregimin tonë, botuar po në këtë numër.
2. Drama e Petros Markos është krejtësisht e gabuar nga ana ideore. Ajo ka këto të meta kryesore:
a) Ngatërrohet dhe vulgarizohet principi i historizmit në letërsi. Në vend që të interpretohen ngjarjet dhe fenomenet e epokës së Skënderbeut sipas botëkuptimit tonë, aktualiteti ynë vishet me një petk historik dhe realitet ynë transplantohet mekanikisht në shekullin XV.
b) Në qendër të veprës vendoset një hero i sëmurë, i lëkundur, që është gati të dezertojë e të tradhtojë, pra kemi tendencë të deheroizmit.
c) Veprën e përshkon një frymë patologjizmi, sensualizmi. Personazhet pozitivë janë skematikë e pa botë të brendshme.
d) Vepra ka dobësi të theksuara artistike, një gjuhë e stil arkaik e klasikegjant.
Për të gjitha këto u ngarkuan me përgjegjësi shokët drejtues të revistës “Nëntori” dhe redaktorët përkatës.
Organizata bazë e partisë vuri në dukje se shoku Fatmir Gjata në punën e tij si kryeredaktor i revistës ka pasur të meta. Këto qëndrojnë në mungesën e organizimit të mirë të punës në revistë, në mungesën e vigjilencës revolucionare dhe mprehtësisë së punonjësit të shtypit të partisë, në nënvleftësimin e detyrës, ka lejuar të botohen në revistë materiale të gabuara.
Shoku Andon Kuqali, si sekretar i kolegjiumit të revistës, nuk e ka kryer mirë detyrën e tij, nuk e ka organizuar mirë punën, nuk u ka kërkuar llogari redaktorëve dhe i ka munguar vigjilenca revolucionare e mprehtësia politike, ka bërë teorizime të gabuara në artikujt e tij.
Përgjegjësi për këto gabime të revistës ka gjithashtu redaktori Gjergj Zheji, si redaktor i sektorit të kritikës, të cilit gjithashtu i ka munguar vigjilenca revolucionare dhe mprehtësia politike e punonjësit të shtypit. Në artikujt e tij ai ka bërë teorizime të gabuara.
Për të gjitha këto organizata bazë e partisë vendosi se është e nevojshme të merren masa për rifreskimin e kuadrit të redaksisë:
1) Të largohet nga detyra e tij si kryeredaktor shoku Fatmir Gjata.
2) Të largohet nga detyra e tij si sekretar kolegjiumi
shoku Andon Kuqali.
3) Të largohet nga detyra e tij si redaktor shoku Gjergj Zheji.
4) Të diskutohet në mënyrë të veçantë me qëllim që edhe të ndihmohet konkretisht redaktori i revistës Faik Ballanca, i cili krahas të metave si redaktor, si interesimi i pakët për problemet e revistës, ka dërguar për botim një roman të cilin Shtëpia Botuese ia ka kthyer si libër me të meta ideore.
Shokët F. Gjata dhe A. Kuqali i pranuan vërejtjet e organizatës bazë dhe u solidarizuan me vendimet e saj.
Të gjitha këto probleme, një komision i përbërë nga shokët Th. Frashëri, K. Buza, F. Kongoli dhe V. Koreshi, pasi studioi gjendjen në revistën “Nëntori” i shtroi në mbledhjen e organizatës profesionale. I tërë kolektivi diskutoi gjerësisht dhe aprovoi vendimet e mësipërme.
Në mbledhjen e organizatës bazë të partisë dhe në organizatën profesionale shokët drejtues të Lidhjes, D. Agolli, Xh. Dini, A. Kondo, bënë autokritikë për një drejtim e kontroll më të afërt dhe shtruan detyra për të ardhmen si për sekretariatin, ashtu edhe për kryesinë e Lidhjes që duhet të merren më tepër me këto probleme dhe të forcojnë në mënyrë të veçantë kontrollin paraprak.
Më datë 18.12.1973 u mblodh organizata bazë e partisë për të diskutuar mbi romanin “Një emër në katër rrugë” të P. Markos dhe përgjegjësinë që mban për botimin e tij anëtari i organizatës bazë shoku Llazar Siliqi, si redaktor i librit.
Organizata bazë vuri në dukje se romani vuan nga të meta të theksuara ideore:
1) Në roman mungon një analizë marksiste e fenomeneve dhe problemeve shoqërore, politike, ekonomike të kohës për të cilën bën fjalë autori.
2) Regjimi shtypës i Zogut paraqitet vetëm në anën e tij morale të degjeneruar, por nuk del e nuk jepet në radhë të parë se Zogu dhe aparati i tij, regjimi i tij, ishin miq të egër të popullit, shtypës të tij, përfaqësonin interesat e feudo-borgjezisë, përfaqësonin një pushtet politik thellësisht reaksionar e të urryer.
     3) Jepet me fjalë të përgjithshme varfëria e masave, por nuk jepet revolta e tyre kundër sistemit. Nuk jepet në mënyrë të drejtë lufta klasore.
     4) Nuk del gjendja e mjeruar e fshatarësisë dhe e klasës punëtore në regjimin zogolljan.
     5) Figura e Profesorit (shoku Enver Hoxha) në roman del mjaft e dobët, e zbehtë, ashtu siç nuk duhej të jepej figura e udhëheqësit tonë. Një trajtim i tillë është krejtësisht i patolerueshëm.
     6) Aktiviteti i grupit komunist dhe komunistët dalin të zbehtë e skematikë. Veç kësaj del ideja sikur komunizmi tek ne është importuar nga jashtë.
     7) Romanin e përshkon një frymë aventurizmi, sensualizmi. Ka tendenca natyralizmi, frojdizmi dhe ekzistencializmi. Ana biologjike sundon mbi anën sociale.
     8) Femra shqiptare nuk del si forcë sociale, por si një faktor që shpërdorohet, bile edhe si e keqe e shoqërisë.
     9) Libri ka tendenca përçarjesh krahinore.
     10) Në roman idealizohet jeta e fshatit Dhrimarë.
     11) Disa figura reale si Demiri nga Peqini e ndonjë tjetër i ka trajtuar nga pozita subjektiviste.
     12) Emigracioni nuk trajtohet si një plagë e rëndë ekonomiko-shoqërore e asaj kohe, por jepet me ngjyra ekzotike, turistike.
     13) Romani është pa vlerë edhe nga ana artistike, ka kompozicion të dobët, i mungon dramaciteti, karakteret janë të patipizuar, është i mbushur me retorizëm, deklaratizëm, emfazë etj.
Organizata bazë e partisë kritikoi shokun Llazar Siliqi si redaktor i këtij libri për konceptim jo të drejtë e jo të shëndoshë ideologjik mbi parimet e pasqyrimit të realizmit socialist në një vepër, për sentimentalizëm dhe familjaritet ndaj autorit, për mungesë vigjilence revolucionare.
     Shoku Llazar pranoi gabimin jo plotësisht, nuk reagoi plotësisht ndaj vërejtjeve që iu bënë dhe organizata bazë i la kohë të reflektojë e të thellohet më tej në autokritikën e tij.
     Përballë të gjithë këtyre gjërave organizata bazë e partisë vendosi të merren këto masa:
     1) Të luftojmë konceptin se ndikimet e huaja janë kapërcyer, se s’kemi më për të bërë në këtë drejtim.
     2) Të ngremë nivelin tonë ideo-politik.
     3) Të forcojmë më tej kontrollin në procesin krijues.
     4) Të forcojmë kontrollin punëtor në krijimtarinë letrare dhe artistike.
     5) Të shkruhen në shtypin tonë disa artikuj mbi problemet që dalin nga drama, nga romani dhe të trajtohen ato.
     6) Të bëhet një mbledhje e gjerë me shkrimtarë e artistë ku të shtrohen këto probleme.
     7) Të forcohet praktika e filluar mbi diskutimin paraprak të veprave në procesin krijues.
 

Sekretari i organizatës bazë
 
(Xhemal Dini)


  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë