Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar sot paradite stërvitjen e fundit në Cesena para se të nisej drejt Helsinkit për ndeshjen e tretë të grupit në Ligën e Kombeve kundër Finlandës.

Trajneri Maran ka patur në dispozicion të gjithë futbollistët përveç Luis Hasës, i cili ka qenë me temperaturë dhe është nisur drejt Tiranës. Mesfushori do të qëndrojë në kryeqytet dhe pasi të kthehet kombëtarja do të bashkohet në grumbullim për ndeshjen e fundit që është kundër San Marinos më 6 tetor në Tiranë.

Kombëtarja ka në dispozicion 26 futbollistë për ndeshjen kundër Finlandës, teksa fillimisht në grumbullim ishin ftuar 29. Ivan Balliu nuk u paraqit për shkak dëmtimi, ndërsa portieri Simon Simoni është bashkuar me kombëtaren U-21. Sëfundmi edhe largimi i Hasës e ka çuar në 26 numrin e futbollistëve në dispozicion, teksa 3 prej tyre do të duhet të shkojnë në tribunë kundër Finlandës, pasi UEFA nuk lejon më shumë se 23 lojtarë në protokoll.