Liga e Kombeve/ Shqipëria pret kryesuesit e Çekisë, Tuci: I njoh, të luajmë si në Tbilisi! Ylber Ramadani: Kujdes topat e gjatë

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan këtë muaj dy ndeshjet e fundit në Grupin B1 të Ligës së Kombeve. Më 16 dhe 19 nëntor në "Air Albania" duke nisur nga ora 20:45 përballë do jenë Çekia dhe Ukraina.

Tanët me gjashtë pikë janë në vendin e tretë (me pikë të barabarta me vendin e dytë, Gjeorgjinë) dhe kërkojnë kreun për të pasur shanse të vijojnë më tej. Ndeshja e parë i gjen tanët përballë kryesuesve të Çekisë (7 pikë).

Kuqezinjtë prej së hënës janë të grumbulluar në Tiranë dhe këtë të mërkurë para medieve folën Indrit Tuci dhe Ylber Ramadani.

Tuci, sulmuesi i Spartës së Pragës i njeh mirë rivalët dhe tha se duhet të përsërisin lojën e zhvilluar në Tbilisi, ku tanët fituan 0-1 me Gjeorgjinë. Sulmuesi duket se do jetë nga minuta e parë dhe do bëjë debutimin si kuqezi para tifozëve të Shqipërisë.

"Tuci, ndjeni presion që jeni alternativë e rëndësishme me mungesat në sulm?

Nuk është se kam presion. E kam me qejf se luaj për herë të parë në "Air Albania", do jetë sold-out dhe jam i motivuar. Nëse më beson trajneri, jam i gatshëm gjithmonë për të bërë punën time.

Ju i njihni rivalët sepse luani në Çeki, sa na ndihmon kjo?

Po, i njoh edhe në stilin e lojës. I pamë në ndeshjen e parë, janë fizikë dhe luajnë me topin e gjatë, kanë shumë centimetra para. Të bëjmë njësoj si me Gjeorgjinë.

Gjendja fizike pas një dëmtimi?

Jam gati, kam bërë gjithë testet dhe kanë dalë me sukses. Mund të kem shqetësim të vogël, kjo nuk do të thotë asgjë. Këtu jemi për Kombëtaren.

Rivalët - Nuk janë pak tre gola në katër ndeshje, kemi shënuar. Një gol na mjafton për të marrë tri pikë. Qejfi jonë është për të shënuar. Në Kombëtare japim më të mirë, është tjetër gjë. Këtu jemi për kombin, japim më të mirën. Në klub unë mërzitem nëse nuk kam minuta, këtu jo.

Vitik, shoku im i skuadrës te Sparta u dëmtua dhe më vjen mirë që nuk luan kundër nesh.

Debutimin në ndeshjen e kaluar, e mendoni golin në "Air Albania"?

E mendoj çdo ditë para se të fle, e mendoj çdo ditë. Goli mirë se të vijë.

Një asist kundër Gjeorgjisë, emocioni?

Unë do gëzohesha shumë edhe nëse golin e shënon Ramadani", tha Tuci.

Ylber Ramadani, "luftëtari" i mesit të fushës vuri theksin te kujdesi për topat e gjatë.

"Ju e njihni Çekinë dhe Ukrainën, cili është më i vështirë?

Të dyja janë të forta, kanë qënë në Euro 2024 dhe kërkojnë kreun. Çekia është shumë e fortë fizikisht, po përgatitemi kundër tyre. Kemi tifozët dhe ata janë shtysë e madhe për ne.

Presioni për kreun dhe humbja për vendin e fundit?

Futbolli funksionon ndeshje pas ndeshje. Mendoj që presion kemi gjithmonë, e dimë si duhet të luajmë. Atje humbëm nga duelet dhe topat e gjatë, këtu do jetë tjetër ndeshje. Duhet një qasje serioze dhe të menaxhojmë presionin.

Mesfusha, më mirë me Bajramin para apo Laçin pas?

Luaj me këdo të jetë, ambientohem shpejt. Unë jam më pas, të ndihmoj mbrojtjen. Është trajneri që vendos. Unë nuk lodhem asnjëherë në fushë, jap gjithçka.

Ka qenë humbja me Çekinë ndeshja më e dobët për ju?

Unë nuk i shoh statistikat, nuk kam kohë. Shoh analizën e trajnerit dhe çfarë më thotë ai.

Çekia - Kanë një sulmues të gjatë, ta mbulojmë me dy veta. Është i fortë fizikisht dhe duhet të fokusohemi. Jemi këtu për të marrë dy rezultate pozitive.

Ndryshime nga ndeshja e kaluar - Qasja dhe përkushtimi në ndeshje", tha Ramadani.

Këtë të mërkurë në 15:00 Kombëtarja vijon stërvitjen e radhës në "Shtëpinë e Futbollit" në kryeqytet.

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    12 Dhjetor, 16:05

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Macron emëron Francois Bayrou si kryeministrin e ri të Francës pas rënies së qeverisë Barnier

Presidenti Macron emëron Francois Bayrou si kryeministrin e ri të Francës pas rënies së qeverisë Barnier