Aventura e Rolando Maran në stolin e kombëtares shqiptare nis këtë të shtunë. Shqipëria pret në “Air Albania” Bjellorusinë, në orën 20:45, në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, kompeticion ku kuqezinjtë synojnë vendin e parë në grup.
Pas disa ditësh përgatitje, trajneri italian thotë se idetë për skuadrën që do të hedhë në fushë janë të qarta, por pa zbuluar formacionin.
“Nis aventura ime si trajner i Shqipërisë. Është emocioni që të jep krenari, të bën të japësh më shumë dhe kjo më stimulon më shumë”, tha Maran.
Bjellorusia vjen në Tiranë pas një serie pozitive prej 6 ndeshjesh. Objektivi i kuqezinjve është kreu i grupit, synim që kapiteni Berat Gjimshiti pranon se sjell edhe presion.
“Duam vendin e parë, të kemi mundësinë për të shkuar për herë të tretë në Europian. Ky është synimi dhe kjo është rruga e duhur”, theksoi Gjimshiti.
Për sfidën me Bjellorusinë, Maran ka lënë në tribunë Adrion Pajazitin, Luis Hasën, Sabah Kerjotën dhe portierin Simon Simoni. Do të mungojë edhe Qazim Laçi, për shkak të një dëmtimi të pësuar një ditë para ndeshjes. Ndërsa lajmi i mirë është rikuperimi i Kristjan Asllanit.
Në këtë grumbullim mungojnë Armando Broja, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani, ndërsa pas dy vitesh është rikthyer portieri Etrit Berisha.
Pas Bjellorusisë, Shqipërinë e presin edhe tri ndeshje të tjera në Ligën e Kombeve, më 29 shtator ndaj San Marinos, më 3 tetor ndaj Finlandës dhe më 6 tetor sërish ndaj San Marinos.
Lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar
Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani dhe Simon Simoni.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti, Ernest Muçi dhe Sabah Kerjota.
Sulmues: Rey Manaj, Mirlind Daku, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi.











Komente
Komento