Ligjet/ Bardhi akuza Prokurorit të Përgjithshëm: Olsian Çela s’ka kapur as standardin e Arta Markut! S’kemi marrë asnjë përgjigje për individët me rekorde kriminale

Ka vijuar me debate të forta dhe akuza mbledhja ditën e sotme (8 Nëntor), te Komisionit të Ligjeve, për çështjen e Buxhetit faktik 2025, në institucionet ligjzbatuese.

Diskutime me tone të larta pati edhe për çështjen e Prokurorisë së Përgjithshme. Opozita fillimisht kërkoi llogari pse Prokurori i përgjithshëm nuk ishte prezent të mbronte buxhetin e tij, teksa më pas deputeti Gazment Bardhi e akuzoi kreun e akuzës Olsian Çela se nuk i ka kthyer asnjë përgjigje që prej kur ka nisur detyrën, kërkesave të PD, për disa subjekte politike për Ligjin e Dekriminalizimit.

Madje ai nënvizoi se “Çela nuk ka kapur dot as standardin e Arta Markut që kur ka ardhur në detyrë”. Edhe Oerd Bylykbashi theksoi se veprohet aq në heshtje nga institucionet për verifikimin e politikanëve, sa pritet që të ndodhin vrasjet, duke e quajtur papërgjegjshmëri të Prokurorit të Përgjithshëm. Përfaqësuesi i Prokurorisë u përgjigj se Sektori i Dekriminalizimit kishte shumë ngarkesë dhe se vërejtjet e transmetuara në Komision do ia përcillte kreut të PP.

Bardhi ndër të tjera kërkoi që PP t’i thoshte Komisionit se nëse ishin të paaftë për të bërë detyrën, ta mbyllnin si sektor dhe të mos shpenzoheshin paratë kot. Më herët në Komision kishte raportuar për Buxhetin faktik 2025 edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Pjesë nga diskutimet në Komisionin e Ligjeve:

Gazment Bardhi: Grupi parlamentar i PD ka paraqitur disa kërkesa për verifikim në Prokurorinë e Përgjithshme për të pastruar jetën publike nga individë me rekorde kriminale. Nuk ka ndodhur kurrë që në 4-5 vite nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme. Kemi kërkuar verifikim për Mark Babanin, i mbaroi detyra, ku sektori që është gjallë apo t’i themi rahmet pastë, nuk ka sjellë gjë. Kemi çuar për gjyqtarë e prokurorë dhe ne nuk kemi marrë përgjigje. Kjo është heqje dorë me vetëdije nga Prokurori i Përgjithshëm. Ka afate, meqë qenka i zënë me këto aktivitete e huaja. Janë shkelur të gjitha afatet. Iku mandati, ka shkuar në shpi burri huaj, ndoshta partia e verifikoi para Prokurorisë së Përgjithshme dhe zyrtarisht nuk kemi përgjigje. Çfarë pune bën ky sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Kur do kemi përgjigje, e keni funksion kushtetues dhe Kuvendi ju jep lekë të përmbushni funksionin.

Pse keni hequr dorë nga detyrimi kushtetues? Nuk kemi përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme që kur ka ardhur Olsian Çela, nuk ka kapur as standardin e Arta Markut! Sa ç’është në atë detyrë nuk ka sjellë asnjë përgjigje për çfarë i merrni lekët. Hajdeni këtu, na thoni jemi të paaftë dhe na e merrni këtë funksion.

Oerd Bylykbashi: Është heshtje e qëllimshme. Po na shtohen rastet e ushtarëve, ata me dënime caktojnë kush janë deputetët. Të heshtet deri në vrasje nuk është harresë dhe prokurori i Përgjithshëm është përgjegjës.

Përfaqësuesi i Prokurorisë: Sektori i dekriminalizimit është me ngarkesë jo të vogël, për të bërë një verifikim të një subjekti duhen adresuar në disa institucione. Është cikël i mbyllur. Drejtori i koordinimit në PP është ai që bën shpërndarjen dhe jep përgjigjet e verifikimit të subjekteve. I mbajta shënim, do ta bëj problem dhe do njoftoj Prokurorin e Përgjithshëm dhe do tu kthej një përgjigje.

A.Q/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 11:38

    Buxheti 2025, a duhet pranuar amendamenti i PD-së për minimumin jetik?



×

Lajmi i fundit

Gjykata Ndërkombëtare Penale: SHBA dhe Rusia po ndërhyjnë në hetimet tona! Po kërcënohemi si organizatë terroriste

Gjykata Ndërkombëtare Penale: SHBA dhe Rusia po ndërhyjnë në hetimet tona! Po kërcënohemi si organizatë terroriste