TIRANË - Kuvendi do të mblidhet të enjten për të miratuar përbërjet e komisioneve parlamentare por dhe të delegacioneve të përhershme.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta njoftoi sot për datën e seancës së ardhshme parlamentare pas mbledhjes së konferencës së kryetareve.
 
“Me konsensus kemi rënë dakord për rendin e ditës. Në thelb është konstituimi i komisioneve të përheshme të Kuvendit me drejtimin e tyre, dhe përbërjen në përputhje me rregulloren. Po kështu do miratohet dhe përbërja e sekretariateve dhe delegacioneve të përheshme të Kuvendit dhe miratimi i zv./kryetarit të Kuvendit të propozuar nga mazhoranca, Vangjel Dule.”-sqaroi Meta.
 
Kryetari i parlamentit nënvizoi se opozitës i është dhënë konsensus duke i dhënë drejtimin e 3 komisioneve pavarësisht se mazhoranca është ndjeshëm më e madhe se mazhoranca e parlamentit të kaluar.
 
“I kemi dhënë opozitës konsensusin, pavarësisht raporteve elektorale të shprehura në Parlament, ku mazhoranca është ndjeshëm më e madhe se ajo e mëparshme lidhur me drejtimin e komisioneve të përhershme, do të ruhet raporti i mëparshëm, 3 komisione.

Opozitës i është lënë me konsensus, Komisioni i Integrimit, i cili do të drejtohet nga Majlinda Bregu, i Medias dhe Arsimit, me kryetar Genc Pollon, si dhe ai i Çështjeve Sociale nga Albana Vokshi. Kuvendi do të ketë gjithsej 8 komisione parlamentare, pesë prej të cilave i drejton mazhoranca. 

LIGJET E MIRATUARA NGA BERISHA
I pyetur nëse në rend të ditës do të përfshihen dhe ligjet e miratuar nga qeveria Berisha, Meta u përgjigj: Do të veprohet në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe kompetencat që na jep rregullorja. Me transparencë të plotë dhe në bashkëpunim me këshillin e Ministrave sa i takon rendit të ditës.”

I pyetur nëse Berisha dhe Topalli do të jenë pjesë e delegacioneve të përhershme të Parlamentit Meta u përgjigj:
 
”Të gjithë ata që kanë kërkuar të jenë në komisione janë dhe sigurisht që do të jenë emrat do të bëhen publik të enjten. “

I pyetur për SHQUP, Meta tha “Nuk është çështja më e rëndësishme, që shqetëson Ramën apo mazhorancën,  pavarësisht nga problemet e kontestimet për vendimin në fjalë.

Jam i bindur se kjo mazhoranca është e prirur qartë drejt përmbushjes së axhendës europiane”.

LIGJET QE FIRMOSI BERISHA PAS 23 QERSHORIT
Që pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit deri në mbledhjen e fundit të kabinetit, Berisha firmosi për të dërguar në Parlament për miratim 4 projektligje dhe 8 marrëveshje, të cilat presin të shqyrtohen nga parlamenti i ri, ndoshta këtë të enjte.

Një nga katër projektligjet që ka shkuar në Parlament nga kabineti “Berisha” kërkon plot 84 vota dhe është një ndryshim në Kodin e Procedurës Civile. Projektligji i dytë i rëndësishëm, i miratuar nga kabineti Berisha, është ai i Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar.

I treti është ai për njoftimin dhe konsultimin publik dhe që ka të bëjë me thirrjen e grupeve të interesit në hartimin e projektligjeve dhe i katërti, një ndryshim në marrëveshjen me kompaninë franceze "Eurokopter", për furnizimin e Shqipërisë me helikopterë. 

 
Redaksia online
(sg/mag/shqiptarja.com)