TIRANE- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike përsëriti sot ftesën ndaj opozitës për të miratuar 3 pr/ligjet e vendosura si kusht nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat.

”"PS mos ta shndërrojë në peng statusin e vendit kandidat. Jemi të gatshëm të shqyrtojmë 3 ligjet e integrimit, të mbledhim komisionet përkatëse për 3 ligjet. Kuvendi është vendi ku gjendet zgjidhja politike.  PD mirëpret çdo propozim të palës tjetër për 3 reformat. Jemi të hapur për çdo lëshim nëse opozita na jep këtë mundësi....Javën e shkuar ne miratuam pa debat amnistinë. Është e trishtueshme fakti që biem lehtësisht dakord për lirimin e të burgosurve, ndërkohë që duke mos votuar ligjet për integrimin po burgosim aspiratën e madhe të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë”,  tha Astrit Patozi, kreu i grupit PD, në një prononcim për media nga kryesia e Kuvendit.

Sipas tij, “mosvotimi i tre reformave dhe për pasojë humbja e shansit për marrjen in-extremis të statusit të vendit kandidat, do të ishte goditja më e rëndë që mund t’i bëhej Shqipërisë në 100 vjetorin e Pavarësisë”.

“Asgjë nuk do ta justifikonte dështimin. Jo pas 100 vitesh, por edhe pas një muaji askush nuk do të na gjykojë ne sesi e nderuam Ismail Qemalin dhe sesi vlerësuam kontributin e Vlorës për shpalljen e Pavarësisë, por se çfarë bëmë ne që ky vend të ecte qoftë edhe një gjysëm hapi përpara drejt Europës së zhvilluar. Fatmirësisht po na kërkohet thjesht të votojmë tre reforma, detyra e parë dhe e fundit e çdo parlamentari", tha Patozi.
"Shqiptarët na kanë votuar që të marrim vendime të drejta për të sotmen dhe ardhmen e këtij vendi dhe asgjë më të vlefshme se integrimi nuk ka sot. Ndaj dhe ftoj grupin parlamentar të PS-së, që të ulemi dhe më pas të votojmë reformat", u shpreh kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi

Socialistët kërkojnë uljen në tryezë për zgjidhjen e Fierit si kusht për miratimin e 3 ligjeve, por kryetari i mazhorancës Berisha i ka dhënë përgjigjie negative dhe ftesës për një tryezë të dytë nga ana e kreut të PS Rama. I cili ka kërkuar uljen në takim bashkë me të partitë parlamentare për të
zgjidhur "Fierin" e më pas do të votohen dhe të tre ligjet.
(sg/shqiptarja.com)