Ligji 7501, Nano e Ruli: Toka
të ndahet pa të drejtë shitblerje

Ligji 7501, Nano e Ruli: Toka<br />të ndahet pa të drejtë shitblerje
Shqiptarja.com vijon botimin e debateve në vitin 1991 në Kuvend për ligjin 7501 të ndarjes së tokave. Gjatë diskutimeve, deputeti Ndriçim Hysa kërkon që askush mos të ketë të drejtën e shitblerjes mbi tokën, por privatizimi të nis në një start të njëjtë. Ndërsa Tonin Alimhillaj propozon riorganizimin e kooperativave dhe më pas kalimin në një fazë të dytë.
 
Ndriçim Hysa –
Sot ne ndodhemi në një diskutim të vështirë e delikat. Nga takimet e bisedat me zgjedhësit e mi, lidhur me këtë projektligj, arrij në këto mendime.

Së pari, ky ligj është i domosdoshëm sot për kushtet, në të cilat ndodhet sot bujqësia jonë. Ne jemi dëshmitarë të konkurrimit të partive politike me programet e tyre lidhur me fshatin e në veçanti për tokën, ndaj unifikimi shtetëror, ligji për këtë problem, sot është i domosdoshëm.

Së dyti, për të bllokuar disa nga dukuritë negative, që vërehen sot nëpër ekonomitë tona, si rrëmbim toke, lënia e saj pa punuar etj, etj.

Së treti, për të riorganizuar kooperativat bujqësore mbi një bazë të re marrëdhëniesh, siç janë përputhja e interesave, vullnetarizmi e të tjerë faktorë, që e bëjnë të interesuar fshatarin për punë e për fitim. Këtë riorganizim e pranon sot si fshatarësia, ashtu dhe ne drejtuesit e ekonomive bujqësore, sepse jemi për të renë, për reformën.

Së katërti, për t’i hapur rrugë ekonomisë së tregut, mbasi sot bujqësia jonë është mbërthyer nga kornizat e hallkat burokratike, që nuk e lënë të marrë frymë lirisht e të dalë si prodhues i pavarur, qoftë si kooperativë, qoftë edhe si subjekt i pavarur.

Sot, megjithëse është konsideruar e pavarur, kooperativa bujqësore është lidhur me kontrata dhe për korrektësi i kërkohet çdo gjë që prodhon kooperativa e nuk i jepet as 50% e bazës materialo-teknike.
Kush humbet? Fshatarësia. Kurse industria, nuk dua të mohoj punën, po nuk pati lëndën furnizuese, merr 80% përqindëshin pa punuar.

Jam për atë që toka të jetë pronë e shtetit dhe t’u jepet në përdorim personave juridikë e fizikë, të mos shitet e të mos blihet, ndryshe në fshat do të lindë pabarazia qysh në ndarje, do të lindë konkurrenca e falimentimi qysh në dymujorëshin e parë, sepse nuk mund të vihen sot fshatarët në start të barabartë privatizimi.

Së dyti, si rezultat i drejtimit të centralizuar të ekonomisë, burimet e investimeve janë drejtuar në zonat me fushore të vendit, kurse zona si Dumreja me sipërfaqe të punueshme mbi 85% sot vuajnë për një pikë ujë, mbasi investimet për to kanë qenë simbolike para 20 a 30 vjetësh. Lind pyetja - A është e drejtë që fshatari i Myzeqesë ta ketë private tokën, kur ai I Dumresë nuk merr as 50% të prodhimit për njësi të sipërfaqes, me atë të Myzeqesë? A është e drejtë që disa zona fushore të gëzojnë frytet e investimeve shtetërore të vjela nga
djersa e fshatarësisë? Detyrimisht do të lindë pabarazia, do të lindë eksod masiv drejt këtyre zonave, ose në qytet, eksod që do të sillte pasojat e një lufte civile. Do të lindin e do të lulëzojnë ëndrrat e vjetra për tokat e trojet e të parëve, do të lindin bejlerët e çifligarët e rinj.

Mungesa e Kushtetutës dhe zhvillimet sociale nuk e krijojnë mundësinë që toka të privatizohet. Rehabilitimet e të gjithë njerëzve, brenda e jashtë vendit, si të dënuar politikë e ekonomikë, do të çojnë në blerje masive të tokës nga ai që ka grumbulluar para, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, ose me blerje nga firmat e huaja nëpërmjet të tretëve. Po a zhvillohet ekonomia e tregut me pronë shtetërore? Ne të bujqësisë themi se po, sepse vënia në përdorim nuk e mohon pronësinë e fshatarit mbi tokën. Prandaj të mbetet ligji, ashtu siç e ka paraqitur Këshilli i Ministrave.

Së fundi kam disa sugjerime për Këshillin e Ministrave. Duhet bërë një rivlerësim I veçantë i zonave, duke u dhënë përparësi zonave të pazhvilluara bujqësore nëpërmjet investimeve shtetërore. Në këtë drejtim, në emër të tre deputetëve të zonës së Dumresë, kërkoj që Qeveria të kujtohet se duhet investuar dhe këtu që është quajtur “hambari i Elbasanit”... Nuk mund të lë pa përmendur edhe atë që më kanë thënë shokët e mi specialistë; harresa për specialistët e bujqësisë nga Qeveria. Ky është një nga investimet më të mëdha që është bërë në bujqësinë tonë. Lënia e tyre në rrugë sot përbën një gabim të rëndë për Qeverinë, ndaj kërkojmë që ata të sistemohen, të futen në punë, dhe të jeni të bindur se ata me djersën e tyre do japin shumë për zhvillimin e bujqësisë dhe do të frenojnë çdo prirje, që
dëmton unitetin e popullit tonë në fshat.

 Tonin Alimëhilli - Fshatari sot po distancohet moralisht dhe ekonomikisht nga sistemi kooperativist, që e varfëroi dhe e shfrytëzoi deri në palcë për 50 vjet. Kohët e fundit me zgjidhjen e situatës ekonomike fshatçe të rrënimit psikologjik e material, kooperativat u shpërbënë dhe përfituan bejlerët e kuq të fshatit, pikërisht ata që janë përsëri për kooperativën. Në vitin 1991 në zonat më pjellore të vendit u lanë pa mbjellë mbi 65 mijë ha tokë ara, çka shënon një terror ekonomik të pajustifikuar, që u krye nga forcat konservatore për të frikësuar privatizimin në fshat. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti u shkatërruan ekonomi, u përvetësuan prodhime etj. Lind pyetja: Pse fshatarët nuk e duan kooperativën?
Pse ajo asnjëherë nuk qe pronë e tyre, nuk qe pronë e grupit, po çiflig i shtetit, i cili bëri si deshi vetë, deri në ndryshime demografike-territoriale, pa përmendur këtu skandalet e
marrëdhënieve financiare të çmimeve e tarifave, që e çuan kooperativën në varfëri të thellë.

Para kësaj katastrofe psikoekonomike është imperativ rehabilitimi i plotë i bujqësisë, i ndarë në privatizimin e tokës dhe të pronës kooperativiste në fazën e parë, që duhet të përfundojë, sipas meje, në shtator-tetor të këtij viti, dhe në fazën e dytë, qëndrimi moral dhe material I Qeverisë ndaj pronës në një të ardhme të afërt. Duhet të bëhet organizimi i ndërmarrjeve bujqësore aksionere të vogla dhe të mesme, që duhet të përfundojë në dhjetor të këtij viti. Kjo pauzë realizon edhe punësimin e specialistëve që kanë mbetur në fshat. Alternativa për ruajtjen e pronësisë së shtetit mbi tokën është mendësi regresive, është fatalizëm i periudhës moniste, me qëllim shfrytëzimin e pamëshirshëm të fshatit, tashmë jo me ligje, po me metoda operative ekonomike. Në procesin e privatizimit të prodhimit bujqësor toka duhet të jetë pronë me tapi e atij që e punon, në asnjë mënyrë e shtetit. Gjithashtu, qëndrimi 35-vjeçar ndaj tokës ka qenë spekulues, gjë që ka humbur plotësisht besimin e fshatit ndaj kësaj forme të pronësisë. Po jap disa shembuj. Në fshatin Shirokë të kooperativës së Dajçit janë bërë pronësime të padrejta në interes të ndërmarrjes bujqësore, pra të shtetit. Po kështu, nga tokat në pronësi të fshatit Dajç, i janë dhuruar rreth 60 ha kooperativës bujqësore në Oblikë, si në kohë të principatave mesjetare. Kooperativistët e Velipojës nuk u pyeten për sjelljen e 200 familjeve në tokat e tyre. E drejta e pronësisë mbi tokën nga ana e fshatarit, si dhe privatizimi paralel dhe i kontrolluar i mjeteve të mekanizuara të bujqësisë, përbëjnë elementin kryesor të ekonomisë së tregut në këtë sektor dhe shënojnë që në fillim rritje të rendimentit social dhe të prodhimit bujqësor. Në stadin e privatizimit shteti duhet të hyjë në marrëdhënie me fshatin për të zgjidhur problemin e asistencës, sigurimin e
bukës e të tjera masa favorizuese. Këto masa ne i marrim për të hyrë në ekonominë e tregut pa dhimbje.
 
 
Natyrisht, rruga e realizimit të privatizimit sot ka specifikën e vet në çdo zonë, në çdo rreth, por po t’i futemi me guxim e ndershmëri, do t’ia dalim në krye. Akti ligjor që do të nxjerrë Këshilli i Ministrave për procedurën praktike të ndarjes së tokës, duhet t’I nënshtrohet një diskutimi të gjerë, duke kërkuar mendime edhe nga deputetët e zonave bujqësore e, pse jo, edhe të specialistëve të huaj.
Së dyti, komisioni qeveritar i tokës të jetë në funksionet e një drejtorie qendrore, pasi kështu shkurtohen labirintet burokratike për zgjidhjen e problemeve të shumta, që dalin gjatë zbatimit të këtij ligji. Së treti, propozoj që forma e pronësisë së tokës, ky kyç konceptual e ekonomik bazë për rrugën e vendit tonë, që na vë para udhëkryqit drejt Lindjes a Perëndimit, të bëhet me votim
të fshehtë. Së fundi, shpreh besimin e bëj thirrje për të merituar indulgjencën ndaj spekulimeve, që janë bërë në kurriz të fshatit, gjithë deputetët do të votojnë për privatizimin e bujqësisë, duke
filluar nga toka. Kështu plotësojmë ëndrrën e madhe të bujkut shqiptar. Para se të mbaroj, kisha dhe nja dy gjëra rreth diskutimeve të parafolësve. U ngritën disa vështirësi në privatizimin e tokës. Një nga këto ishte me se do të punohet kjo tokë. Me privatizimin rritet koeficienti i mekanikës bujqësore. Prandaj kjo mekanikë fillimisht mund t’I përballojë pa frikë edhe punimet e kësaj toke.

Fatos Nano
Diskutimi i sotëm është një nga momentet vendimtare të veprimtarisë së këtij Parlamenti, për faktin se ai zhvillohet në kushtet e vështirësive të mëdha që po kalon vendi, veçanërisht fshati, dhe të një situate tepër të komplikuar në rajon. Është një barrë e rëndë për këtë Parlament të parë pluralist, që të gjykojë për këtë çështje me gjakftohtësi, me kthjelltësi e duke parë nga e ardhmja. Përgjithësisht, vlerësoj argumentet, që dhanë parafolësit si të PSsë,

ashtu dhe të PD-së. I vlerësoj se prej tyre del një fakt, që të gjithë ne, qoftë forca politike të pranishme në Parlament, qoftë ato që nuk kanë pasur fatin deri tani të jenë prezente, por që me zgjedhje të reja jam i sigurt që do të jenë të pranishme në këtë sallë, kanë ndërtuar përgjithësisht programe strategjike për çështjen agrare. Dhe duke u nisur edhe nga partia që përfaqësoj, nuk kanë arritur ende të detajojnë hapat e njëpasnjëshëm, që duhen hedhur në reformën ekonomike, në reformën e marrëdhënieve agrare, të cilat të bëhen realisht të kuptueshme nga populli dhe të zbatueshme në praktikë. Gjykimet që bëhen, vendimet që marrim, duhet t’i ballafaqojmë me dy kritere themelore.

E para, me mendësitë e kultivuara, në rastin konkret të fshatarësia jonë, e cila në kushtet kur janë shpërbërë strukturat e vjetra ekonomike dhe strukturat e vjetra të pushtetit, ka vepruar përgjithësisht në mënyrë spontane me vetëgjykim, gjë që ka çuar në një situatë tepër të ndërlikuar dhe përgjithësisht kaotike në fshat. Njerëz të veshur me pushtet deri dje në fshat kanë rrëmbyer ç’kanë mundur, të tjerë kanë mbetur edhe më tepër të pa pronë se ç’kanë qenë. Në këto kushte, kur vendi ka nevojë për stabilitet, kur të gjitha forcat politike janë angazhuar të mbështesin një Qeveri Stabiliteti, mendoj se projekti i paraqitur nga Qeveria përgjithësisht jep një zgjidhje tranzitore, dhe duke qenë se askush nga ne si forca politike nuk është ende plotësisht i përgatitur për zgjidhje të qarta, të plota, përfundimtare dhe të mbështetura praktikisht për çështjen agrare, duhet ta mbështesim këtë Qeveri, që edhe ajo të punojë për stabilitetin, që dhe konflikte të tjera, përveç konflikteve shumë të mprehta që ka vendi, të mos shtohen.

Kriteri i dytë do të ishte realiteti i krijuar në fshat, jo vetëm nga pikëpamja e diferencimit real pronësor dhe pasuror, që është krijuar në mënyrë spontane, por dhe nga pikëpamja e shpërbërjes së lidhjeve tradicionale, ashtu siç ishin, ekonomike, midis qytetit dhe fshatit, midis industrisë dhe bujqësisë. Urdhëroni të marrim një vendim solemn për privatizimin e menjëhershëm të tokës qysh sot.

Të dhënat që kemi ne, të mjerueshme por të vërteta, janë që fshatarësia ka arritur të mbrehë edhe djemtë në parmendë, sepse strukturat industriale në shërbim të fshatit janë bllokuar për konfuzionin e përgjithshëm, që ka përfshirë ekonominë dhe për mungesa të theksuara materialo-teknike etj. Pra, zgjidhja që kërkon fshati nuk mund të gjykohet jashtë zgjidhjes së përgjithshme të reformës ekonomike. Prandaj do të mbështesja deputetin Berisha në argumentet që dha se tashmë në këto momente kritike nuk ka organizëm tjetër, të autorizuar nga ky Parlament, më të fuqishëm sesa kjo Qeveri e Stabilitetit, që të luajë rolin e arbitrit suprem në zgjidhjen e konflikteve ekzistuese në fshat dhe në moslejimin e lindjes së konflikteve të reja. Mbi këtë bazë nuk duhet të na mundojnë mendësitë dhe paragjykimet e vjetra. Në qoftë se themi që shteti do të administrojë procesin e rishpërndarjes së drejtë të tokës në fshat, është fjala për këtë shtet ligjor që po institucionalizojmë. Është fjala për këtë Qeveri Koalicioni dhe Stabiliteti, që jemi angazhuar ta mbështesim dhe duhet ta mbështesim realisht. Është fjala për këto komisione shtetërore, të cilat, për mendimin tim, duhet të mbështeten dhe nga anëtarë të komisioneve parlamentare për çështjen e bujqësisë, që do të hyjnë në veprime konkrete për normalizimin e gjendjes në fshat, me synimin sublim që t’I shërbejnë rifillimit të veprimit, që nga cikli bujqësor i vjetshëm. Prandaj do të sugjeroja që, për të bërë të mundur që kjo Qeveri të ketë atributet ligjore të nevojshme për ta kryer këtë veprimtari ekzekutive me komisionet përkatëse, të mbështetura dhe nga anëtarë të Parlamentit, ta kalonim pa paragjykime projektin e paraqitur dhe kur them kështu mund të shmangim terma të tilla që na ndajnë. Konkretisht, neni 2 i projektit mund të formulohej: Toka në Republikën e Shqipërisë u jepet nga shteti për përdorim personave juridikë dhe atyre fizikë, duke ndaluar shitblerjen e saj”. Dhe që këtu të merrnim angazhimin e dispozitës së fundit të projektit të paraqitur që Këshilli i Ministrave, pas miratimit të Kushtetutës, të hartojë ligjin e plotë për tokën, në përputhje me kërkesat e reformës ekonomike. Këtë gjykim e mbështes në të gjitha argumentet, që sollën parafolësit, për realitetet e ndërlikuara që po përjeton fshati, për pasigurinë për veprimet që kanë dalë jashtë kontrollit. Për më tepër në kushtet e situatës së destabilizuar që kalon vendi, veprime të tilla do t’i shërbenin edhe qetësimit të gjendjes së brendshme, që është aq e nevojshme për të përballuar edhe destabilitetin e situatës në rajon.
 
Genc Ruli -
Problemi i tokës më duket se është nga problemet më të rëndësishme dhe më delikate që ky Kuvend ka përballuar ndonjëherë. Është problem jetik për kombin e për ekonominë, jo vetëm për të ardhmen, po për të sotmen e të nesërmen e afërt. Megjithatë në do t’i japim një zgjidhje që sot, një zgjidhje të tillë që t’i vlejë së ardhmes së afërt dhe një së ardhmeje më të largët. Reforma ekonomike, të cilën të gjithë kërkojnë ta realizojnë, meqë është e domosdoshme dhe imperative, për mendimin tim dhe të shumë kolegëve këtu, ka si hap të parë zhvillimin e bujqësisë, jo vetëm për faktin se atje jeton pjesa më e madhe e popullsisë dhe më e varfra njëkohësisht, por dhe për faktin se është ajo pjesë e ekonomisë, që ka shanset më të shumta të rigjallërimit. Por vetë zhvillimi i bujqësisë ka si imperativ të parë
privatizimin. Me vështirësitë që u përmendën, me pjesën më të madhe të tyre, unë bie dakord. Vështirësitë janë sot, këto vështirësi do të jenë dhe nesër. Kurse një pjesë tjetër e tyre më duket se janë më tepër hipotetike sesa reale. Problemi i mjeteve, i teknikës, që do të
ketë në dispozicion fshatari po të privatizohet, e të tjera probleme, përsëri ekziston, pra ato do të jenë të pakta, po të mos harrojmë se edhe sot nuk i kemi të shumta, dhe për më tepër, në këto ditë që po flasim, kur janë është çorganizuar krejt. U përmend që fshatarësia duhet të jetë në dritë të syrit të Qeverisë, të të gjithë kombit, me investime dhe me subvencione.
Patjetër duhet të jetë, po me aq sa janë mundësitë sot dhe dihet që mundësitë e shtetit sot janë të pakta. Ndihma indirekte mund të jetë diçka më e madhe, siç është fakti që në politikën tatimore ndaj fshatarësisë do të ketë një tolerancë mjaft të madhe për të mos e rënduar atë, në të kundërtën me atë që bëjmë ndaj privatit në qytet, apo ndihma që mund të jepet nëpërmjet kreditit. Megjithatë, çdo mundësi financiare që shteti do të arrijë të krijojë, qoftë dhe nga burime të jashtme, me prioritet, shpreh mendimin tim këtu, do ta përdorë në drejtim të bujqësisë. Për të mos u zgjatur do të thosha që problemi i tokës, për mendimin tim, duhet të rregullohet i mbështetur në pesë parime bazë, të cilat në një formë a në një tjetër duhet të gjejnë shprehje në ligjin për tokën.

Së pari, duhet të shpallet që toka mund të jetë objekt pronësie, si i individëve, personave juridikë ose i shtetit.
Së dyti, toka bujqësore që sot është fond i shtetit, duhet t’u shpërndahet familjeve fshatare, të cilat aktualisht jetojnë me aktivitetin bujqësor. Kuptohet që këtu kemi të bëjmë
me një kufizim, i cili dedikohet nga vetë rrethanat që kemi sot. Kjo shpërndarje duhet të bëhet në mënyrë të organizuar nga komisionet e tokës, duhet përcaktuar dhe afatin se kur do të fillojë ajo.
Së treti, kufijtë dhe madhësia e pronave të mëparshme mbi tokën në shpërndarjen e sotme nuk do të njihen. Lëvizjet tepër të mëdha, që janë bërë në fondin e tokës dhe në popullsinë tonë fshatare, në qoftë se do të mendonim në bazë të se drejtës mbi pronësinë e dikurshme, mbajtja e tyre parasysh sot, do të shkaktonte vetëm probleme dhe zgjidhje nuk do të jepte kurrë.

Së katërti, toka bujqësore nuk tjetërsohet për një periudhë të caktuar kohe. Duket sikur këtu kemi të bëjmë me një kufizim të së drejtës së pronësisë, që deklarohet si e drejtë e shenjtë dhe ne duhet ta bëjmë këtë të shenjtë, për arsye se kemi kohë që e kemi humbur nocionin se ç’është e drejta e pronësisë. Por në qoftë se vëmë një kufizim në të drejtën e pronësisë mbi tokën, në një nga elementët bazë të pronësisë, siç është tjetërsimi, e drejta e shitblerjes, këtë e bëjmë për hir të një të drejte më të madhe, që është e drejta kombëtare. Të mos harrojmë se toka si objekt pronësie nuk mund të barazohet me objektet e tjera të pronësisë, nuk mund të barazohet me një ndërtesë, nuk mund të barazohet me një automjet.

Ato janë pasuri, në radhë të parë individuale, pastaj dhe kombëtare; toka në radhë të pare është pasuri kombëtare, pastaj individuale. Kështu që shteti, i cili e njeh të drejtën e pronësisë së individëve mbi tokën, në të njëjtën kohë mendon që toka është një pasuri, e cila dhe nuk riprodhohet kollaj, dhe nuk gjendet kollaj. Shqipëria ka vetëm atë tokë, që ka dhe ky shtet, dhe çdo shtet që ngrihet mbi këtë tokë, duhet të kujdeset për përdorimin e kësaj pasurie kombëtare që kemi dhe jo me bollëk, mos themi që e kemi me pakicë. Prandaj, kufizimi i së drejtës së pronësisë në shitblerje bëhet, në radhë të parë për të ruajtur fshatarësinë nga ai migrim i madh që do të ndodhte. Por do të thoja që ne do ta kushtëzojmë dhënien e tokës individëve, jo vetëm me kufizimin e së drejtës së pronësisë për një periudhë të caktuar, po gjithashtu edhe duke vendosur që zotërimi dhe shfrytëzimi ekonomik i tokës t’u nënshtrohet rregullimeve ligjore. Nuk mund të lejojmë që një pronar në token bujqësore të ngrejë një ndërtesë. Çfarë do të ndodhte sikur nga konsideratat dhe interesat thjesht individuale gjithë Shqipëria të mbillte ndërtesa në vend të grurit? Në këtë rast do t’u kishim dhënë kënaqësinë dhe të drejtën që u takon me ligj gjithë pronarëve individualë, që tokën e tyre ta shfrytëzonin si të donin, por nga ana tjetër do të kishim humbur atë pasuri të madhe, siç është toka bujqësore, të cilën e kemi dhe të paktë. Prandaj mendoj që këto 5 pika do të ishin 5 parimet, mbi bazën e të cilave ne mund të bënim rregullimin e ligjit mbi tokën.
 
Shkrimi u publikua sot (01.09.2015) në Shqiptarja.com, versioni print
 
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hoxha: Protesta e opozitës e dhunshme, policia reagoi konfrom ligjit! 3 policë ende të Trauma

Ministri Hoxha: Protesta e opozitës e dhunshme, policia reagoi konfrom ligjit! 3 policë ende të Trauma