TIRANË - Inspektorati Shtetëror Shëndetësor qëndror kreu sot një sërë inspektimesh në qytetin e Lushnjës, në kuadër të zbatimit të vazhdueshëm të ligjit Nr. 9636 dt. 06. 11. 2006 i ndryshuar 'Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit'.
Këto inspektime u ndërmorën pas denoncimeve të qytetarëve për raste të shkeljes së ligjit në Lushnjë.
Inspektimi i sotëm ishte pjesë e planit te punës të inspektimeve të kryera në të gjithë territorin e vendit nga ana e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Në inspektim morën pjesë edhe strukturat e sapo krijuara të ISHSH dega Fier dhe u krye në bashkëpunim me forcat e policisë së rendit.
Në inspektimin e sotëm inspektorët e ISHSH morën masa administrative me vlerë 300 000 lekë te reja/secila për 2 (dy) lokale ku nuk zbatohej ligji në fjalë.
Inspektimi u kryesua nga Eltar Deda, Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor si shprehje e vendosmërisë së Institucionit të drejtuar nga ai për zbatimin e ligjit Nr. 9636 dt. 06. 11. 2006 i ndryshuar 'Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit' në të gjithë vendin në mënyrë konstante dhe jo me fushata. ISHSH shpreh falenderimet për bizneset dhe qytetarët e Lushnjës të cilët mirëkuptojnë ISHSH në misionin e tij dhe janë bashkëpunes me të.
Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor thekson se do të vazhdojë inspektimet edhe në fusha të tjera të shëndetit publik ndihmuar nga fillimi i funksionimit të strukturave të ISHSH në qarqe nga data 1 janar 2015. /ATSH/