TIRANE - Ka nisur sot aksioni në të gjithë vendin për zbatimin e ligjit që ndalon pirjen e duhanit në mjediset publike. Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero tha sot për mediat se në ndryshim nga më parë Task Force kundër duhanit është shtrirë me kontrolle “në të gjitha qarqet e vendit ndërkohë që në Tiranë janë angazhuar 52 inspektorë sanitarë në kuadër të saj”.

Nga kontrollet e realizuar deri në mesditën e sotme, Pipero tha se nga 30 subjekte , vetëm një rast është gjetur duke mos e zbatuar ligjin, ndaj të cilit është vendosur gjobë.

Gjithashtu, Pëllumb Pipero u shpreh se qëllimi kryesor nuk është gjoba, por zbatimi i ligjit, ndërsa kërkoi bashkëpunimin edhe të bizneseve private për ambiente pa duhan.

Ligji antiduhan ka hyrë në fuqi prej vitit 2007, e megjithatë zbatueshmëria e tij ka qenë thuajse minimale.

(Gre.M/Shqiptarja.com)