Tregtarët e karburanteve, produktet e të cilëve janë të pamarkuara, apo nuk kanë përqindjen e duhur të substancës markuese do të përballen me gjoba që shkojnë nga 200 mijë lekë deri në 1 milionë lekë (afërisht 10 mijë dollarë). Ndryshimet e fundit të Qeverisë në Ligjin për Akcizat parashikojnë ashpërsim të ndëshkimeve ndaj tregtuesve të karburanteve, pavarësisht kundërshtive të ashpra që ka ngritur biznesi vendas ndaj koncesionit të markimit.

“Gjobë, për herën e parë të konstatuar, sa 2- fishi i detyrimeve fiskale që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të pashënjuar/të pangjyrosur, të gjendur në depozitë/mbajtës, por në çdo rast jo më pak se 200 000 lekë; për herën e dytë të konstatuar, sa 3-fishi i detyrimeve fiskale që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të pafiskalizuar, të gjendur në depozitë/mbajtës, por në çdo rast jo më pak se 500 000 lekë; dhe për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, sa 5-fishi i detyrimeve fiskale që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të pashenjuar/të pangjyosur, të gjendur në depozitë/mbajtës, por në çdo rast jo më pak se 1 000 000 lekë; përveç gjobës së parashikuar në shkronjën “a”, të këtij neni, njëkohësisht, konfiskohet e gjithë sasia e produktit të gjendur në depozitë/mbajtës”, theksojnë ndryshimet në Ligjin për
Akcizën, të publikuara në Fletoren zyrtare.

Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve markimi në çdo vend të botës bëhet vetëm për produktet që përjashtohen nga akciza dhe jo ata që përfshihen në akcizë. Ndërkohë që, sipas tregtarëve, kompania koncesionare në Shqipëri nuk ka instaluar as teknologjinë e nevojshme për të markuar karburantet. Në dhjetorin e shkuar, kompania koncesionare GFI bllokoi për një ditë tregtinë e karburanteve në vend për t’i bërë presion Qeverisë ta lejonte të markonte edhe naftën bruto që nxirret nga nëntoka shqiptare.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)