Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi një projektligj falë të cilit 400 familjeve do t’u jepet mundësia të disponojnë, në mënyrë të plotë, pasuritë e akorduara më parë, si formë kompensimi për humbjen e banesave të tyre.
Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni tha se qëllimi i ndryshimeve ligjore është ndihma e sa më shumë familjeve në nevojë.
“Në fund të korrikut ne përfundojmë draftin e pare të ligjit të rishikuar, i cili do t’i shpërndahet ekspertëve, shoqërisë civile, donatorëve, botës akademike, shoqatave që përfaqësojnë interesat e grupeve vulnerabël, bashkive dhe ministrive apo institucioneve publike që adresojnë çështjet që lidhen me grupet vulnerabël, për të marrë mendimet dhe sygjerimet e tyre.Qëllimi ynë është që nëpërmjet ndryshimeve ligjore në ligjin aktual të strehimit të bëjmë të mundur përfshirjen e sa më shumë kategorive në nevojë, të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, si përfitues direkt të programeve të strehimit, të cilat gjithashtu do të reformatohen për t’ju përgjigjur nevojave aktuale për strehim”, tha Ministrja në fjalën e saj.
Drejtori i përgjithshëm i ALUZINI në përgjigje të pyetjeve të deputetëve bëri me dije se, deri më tani nuk është evidentuar asnjë grup tjetër i madh familjesh të patrajtuara ligjërisht për të drejtën e tyre mbi pronën, siç ishte rasti i Bovillës.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)