Puna e papaguar dhe ekonomia e përkujdesit do të njihen për herë të parë si kontribut real në ekonomi. Ky është një nga ndryshimet kryesore që sjell ligji i ri për barazinë gjinore, sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala.
Të martën ajo u takua me studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale, në një takim ku jo vetëm përgëzoi hapat përpara dhe arritjet, por theksoi edhe faktin që pabarazitë mbeten. Sala përmendi faktin që sot 36% e deputetëve në Kuvend janë gra dhe se rreth 10% e buxhetit kombëtar tashmë planifikohet me qasje të përgjegjshme gjinore.

“Barazia në letër nuk është barazi në jetë,” tha Sala, duke theksuar se ligji i ri nuk është thjesht një rishikim teknik, por një zgjedhje politike për ta vendosur barazinë gjinore në qendër të zhvillimit dhe demokracisë.
Sipas saj, sfidat janë ende të forta: hendeku në paga, pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës dhe pesha e madhe e punës së papaguar që bie mbi to.

Ligji i ri zgjeron detyrimet si për institucionet publike ashtu edhe për sektorin privat. Integrimi gjinor bëhet detyrim në çdo politikë publike dhe parashikohet kalimi gradual drejt përfaqësimit 50% për secilën gjini në vendimmarrje.
Ministrja tha se sfida kryesore tani është zbatimi. Ministria ka nisur përgatitjen e akteve nënligjore, forcimin e mekanizmave dhe riorganizimin e Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore.
Në të njëjtin takim, përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta, u shpreh se ligji lidhet edhe me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, por mbi të gjitha, sipas tij, ai zgjeron hapësirat për më shumë mundësi për vajzat dhe gratë.

"“Hartimi dhe zbatimi i Ligjit të ri “Për Barazinë Gjinore” është një detyrim që rrjedh nga procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por arsyeja më e rëndësishme e zbatimit të tij është që në thelb ligji i ri transformon jetën tuaj duke zgjeruar hapësirat për akses në mundësi më të gjëra që ndihmojnë të realizoni ëndrrat tuaja", tha ai.
Komente








