Ndryshimet e reja në ligjin për dhunën në familje parashikojnë për herë të parë programe rehabilitimi edhe për dhunuesit.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi sqaroi në Komisionin për të Drejtat e Njeriut se pjesëmarrja në këto programe do të jetë e detyrueshme.
“Programet e rehabilitimit nuk përfshinë vetëm viktimat, por edhe dhunuesit, me qëllim parandalimin e përsëritjes së dhunës dhe ndryshimin e sjelljeve, dhe modeleve të ndryshme të sjelljes. Një risi e rëndësishme është lidhja e këtyre programeve me vendime gjyqësore, duke parashikuar, pasojë ligjore në rast të mos pjesëmarrjes së dhunuesit në programet e urdhëruara. Sa i përket programit të rehabilitimit të dhunuesit, do të jenë e detyrueshme pjesëmarrja në këto programe”, tha Denada Seferi, zëvëndësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në këto programe do të përfshihen edhe dhunuesit që kanë varësi nga alkooli apo droga. Etleva Sheshi, përfaqësuese e ministrisë së shëndetësisë theksoi se përgjegjësi do të kenë si institucionet qendrore, ashtu edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
“Ministria e mirëqenies sociale, por njëkohësisht dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, janë të përcaktuara që duhet të marrin masa për të ngritur dhe për të ofruar shërbime dhunuesve që janë përdorues të alkoolit ose të drogërave, ose për dhunues të tjerë, nëpërmjet programeve të ndryshme të rehabilitimit të cilat janë të vendosura që nga vendimi i gjykatës kur trajtohen një rast dhune’, tha Etleva Sheshi, drejtore e Barazisë Gjinore në Ministrin e Shëndetësisë.
Ndryshimet e reja në ligjin për dhunën në familje, që u miratuan në komision parashikojnë po ashtu monitorimin e agresorëve me GPS që të shmanget shkelja e urdhrit të mbrojtjes, gjoba deri në 500 mijë lekë për shpërndarjen e fotove intime online dhe ndëshkime të rënda për punëdhënësit që tolerojnë ngacmimet në zyrë.
Komente










