Kryeministri Edi Rama foli dhe për ligjin e ndryshuar për portet turistike. Shefi i qeverisë, iu referua pretendimeve të PD se ky ligj i ri favorizon klientët privatë të qeverisë, duke thënë se janë harbime të Sali Berishës.

“S’kemi bërë ndryshime ligjore për portet turistike. Kemi bërë një ndryshim të vetëm për të hequr mundësinë e një pasoje absurde. Ndryshimi nuk lidhet me garat. Nëse ne duam të japim një koncesion apo një partneritet për të ndërtuar një port, është 100% e sigurt që bëhet me garë. Ndryshimi që kemi bërë lidhet me rastet kur dikush investon për një resort dhe do të bëjë edhe një marinë. Me ligjin e pandryshuar, për marinën që dikush do të bëjë pranë resortit të tij, duhet garë që të vijë një tjetër dhe të fillojë një sherr që të mos mbarojë kurrë. Kjo s’ndodh në asnjë vend të Evropës.

S’ka asnjë çudi, përveç harbimit të atyre që e duan me çdo kusht Shqipërinë të bllokuar, të atyre që, si në asnjë vend tjetër, siç ma thonë miqtë e huaj, nuk kemi parë të vijë ndonjë forcë e brendshme nga ndonjë vend tjetër që ka negociuar me BE-në apo që është në proces për të hapur negociatat dhe të kërkojë me gjithfarë lloj të zezash që të bllokohet vendi nga vjen.

Ne nuk jemi një vend që vijmë nga një konflikt etnik, fetar apo ideologjik, as nga luftë civile, siç janë vende të tjera që kemi në rajon. Nuk i ka parë kush serbët e Malit të Zi apo malazezët në opozitë që të kuturisen nëpër kryeqytetet e Evropës dhe të kërkojnë që vendi i tyre të vihet në listën e zezë e jo të mbështetet për t’u futur në BE. Ne kemi një lloj specieje që është unike, që nuk e ka pasur asnjë vend i kontinentit ku ne jemi në këtë proces”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Prokurimet publike/ Rama: Jemi lider në rajon, Jonaid Myzyri u bë target balte, por hetimet e nxorën pa faj! Diella s’po fle, së shpejti prokurime me AI