Ligji i ri, Shehaj: Falet kush
deklaron të dhënat deri në dhjeto

Ligji i ri, Shehaj: Falet kush<br />deklaron të dhënat deri në dhjeto
TIRANE- Kreu i Tatimeve, Brisida Shehaj ka paraqitur dje ndryshimet ligjore që parashikojnë ashpërsimin e ndëshkimeve për evazion fiskal, duke theksuar se debitorëve do t’u mbahet 50% e xhiros, deri në shlyerjen e borxhit tatimor. Në një deklaratë për mediat, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj theksoi se të gjithë subjektet me shkelje kanë një shans t’u shpëtojnë ndjekjes penale e gjoba, duke vetëkorrigjuar deklaratat tatimore. 

“Të gjithë taksapaguesit, të cilët deri më datë 31 dhjetor 2015, korrigjojnë deklaratat tatimore, do t’u falet gjoba dhe ndaj tyre nuk do të bëhet kallzim penal. Pas datës 1 janar 2016, tatimpaguesit që korrigjojnë deklaratat tatimore, dhe paguajnë të gjithë detyrimin, bashkë me gjobat e interesat, do t’i shmangen kallëzimit penal. Të dyja këto kategori përjashtohen nga kjo lehtësi në rast të shkeljeve të konstatuara më parë nga administrata tatimore”, tha Shehaj në deklaratën për shtyp ku pasqyroi të dhënat e deritanishme të aksionit kundër evazionit, si dhe ndryshimet ligjore në ligjin e tatimeve të sapomiratuara nga Kuvendi.

“Për të gjithë tatimpaguesit që kanë borxhe ndaj administratës tatimore, do të bëhet monitorimi në vend i xhiros, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të shumës jo më pak se 50% e xhiros së realizuar”, tha Shehaj duke ju referuar bizneseve debitorë.

Gjobat e reja
Duke u ndalur te ndryshimet e reja në ligjin për tatimet, Shehaj tha se ashpërsimi i ndëshkimeve shtrihet nga bizneset e mëdha, te ato të vogla, për të gjitha aspektet e aktivitetit. Sipas saj, çdo ushtrim aktiviteti në adresa të padeklaruara, do të gjobitet me 500 mijë lekë.

“Mospagimi në afat i kësteve të tatimfitimit, apo tatimfitimit të thjeshtuar mbi fitimin (për biznesin e vogël), ndëshkohet me një gjobë sa 15% e këstit për t’u paguar. Për çdo punonjës të padeklaruar në kohë, vlera e gjobës është 500 mijë lekë, ndërkohë që mosdeklarimi i pagës reale të punonjësve gjobitet po me 500 mijë lekë”, tha kreu i tatimeve.

Aksioni
Sipas Shehajt, nga shtatori janë ushtruar mbi 47 mijë kontrolle dhe se ka konstatuar vetëm 8% shkelje, ndërkohë që niveli i shkeljeve të konstatuara në krahasim me disa ditë më parë është ulur me 3%. 

Gjithashtu kreu i tatimeve raportoi se ka një rritje me 35 për qind të deklarimit të të ardhurave nga biznesi në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar, e përkthyer në shifra, 4 miliardë lekë (afërsisht 35 milionë dollarë) më shumë.

“Deri në datën 23 shtator janë kryer 47 mijë kontrolle. Në një studim të përgjithshëm që kemi bërë vetëm 8% e tyre janë gjetur në shkelje dhe kjo për faktin se Administrata Tatimore ka menduar që të trajnojë taksa-paguesit të jenë në përputhshmëri me ligjin dhe jo ti gjobisë ata”, theksoi Shehaj.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Sot 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, si lindi dhe historiku i kësaj dite

Sot 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, si lindi dhe historiku i kësaj dite