Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri pohoi në Komisionin e Ligjeve të martën se projekt-ligji për Sigurinë Publike, rrit më tepër sigurinë e qytetarëve, ndërkohë që rrit forcën parandaluese dhe hetuese të Policisë së Shtetit. 

“Kjo masa shtesë për kamerat  vlen dhe për një kopsht privat, shkollë apo kënd lojërash për fëmijët. Sot një pjesë patjetër i kanë, por mbi bazën e këtij ligji normohen mbi standarde të cilësisë. Dhe rregullohet marrëdhënia që duhet të ketë operatori privat me mbrojtjen e të dhënave dhe me Policinë e Shtetit (atëherë kur Policisë i duhet të parandalojë apo hetojë ngjarje kriminale). Kjo vlen dhe për një mjet transporti publik (taksi, autobus, mjet që transporton lëndë të rrezikshme), duhet të kenë masa sigurie shtesë. E ne nuk mund të presim që të ndodhin tragjedi në vend për t’u kujtuar për masat shtesë të sigurisë që duhet të ketë sipërmarrësi, qytetari, shoqëria e kështu me radhë” tha Tahiri.
 
Relatori Ulsi Manja tha se ky proejkt-ligj institucionalizon një marrëdhënie të nisur prej kohësh mes policisë dhe subjekteve private, sa i përket shkëmbimit të informacionit, apo edhe pamjeve të kamerave të sigurisë.
 
Deputetët e opozitës, Eduart Halimi dhe Gent Strazimiri, akuzuan se ligji sillej në Kuvend për shkak të mungesës së rendit dhe sigurisë, dhe për këtë shkak kërkoheshin masa shtesë nëpërmjet këtij projekt-ligji.
 
Ata po ashtu kërkuan të dinë edhe faturën financiare të tij.
 
Deputetët e opozitës akuzuan Ministrin se me këtë rast siguria po jepej me koncesion.

Ish-kryeministri Fino, kujtoi periudhën e vitit ’97 kur sipas tij qeveria e PD-së ia dha sigurinë popullit me koncesion. 

Ndërsa debatet u ashpërsuan Tahiri reagoi ndaj deputetëve të djathtë, duke përmendur se vrasjet, ndryshe nga koha kur ata qeverisnin, ishin dy herë më pak sipas tij.

"Ajo që po themi është që formalizimi i jetës shoqërore, rregullimi ligjori marrëdhënieve ndërmjet njerëzve apo shoqërisë dhe institucioneve e bën shoqërinë më pak të ekspozuar ndaj ngjarjeve kriminale. Shembuj si  ai i mëparshëm i kambistit ka pafund. Tani është kollaj që edhe në rastin e grabitjes së kambistit gishti t’i drejtohet Policisë. Por çfarë mund të bëjë Policia? Në çdo kryeqytet të botës për një njeri që lëviz me 100 mijë euro me vete, sigurisht është i ekspozuar përpara një ngjarje kriminale, në Romë, Berlin dhe kudo. Prandaj dhe bota e ndalon që t’i tërheqësh nga banka kaq shumë lekë, jo më t’i marrësh me vete dhe të lëvizësh nga një qytet në tjetrin" shtoi ai.

 
Po ashtu ai iu referua edhe rasteve të ngjashme në qytetet europiane, Romë, Madrid, Berlin, Londër, apo edhe New - York

Deputeti republikan Fatmir Mediu pyeti nëse prekej privatësia në këtë projektligj, dhe si duhej të administroheshin pamjet.
 
Kësaj pyetjeje iu përgjigj deputeti Manja, që iu referua Kodit të Procedurës Penale.



Ja fjala e plotë e Tahirit

Së pari ne duhet të mësohemi me idenë që siguria nuk është mall falas. Siguria kushton. Është çështje që duhet kontabilizuar dhe ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm. Ne, dhe me ‘ne’ kuptoj shoqërinë në tërësi.  Që të bësh vendin më të sigurt ka një faturë.
 
Sot që flasim qytetari shqiptar për sigurinë që ka paguan rreth 30 lekë të vjetra në ditë. Kaq është barra që ka çdo qytetar për sigurinë që kemi. Kjo bazuar mbi buxhetin që ka Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit në veçnati, për të garantuar sigurinë. Këtu pa futur hallkat e tjera të drejtësisë penale. Krahasuar me vendet e tjera të botës është shumë fare, fare, fare modeste. Është kjo arsyeja pse qeveria në dy vitet e fundit ka rritur financimin për Policinë e Shtetit, sepse ka qenë shumë herë më pak. Është kjo arsyeja pse ndër vite në Policinë e Shtetit kemi një infrastrukturë skandaloze.


Ky ligj ndërkohë nuk ka efekte financiare për buxhetin e shtetit. Pra, institucionet nuk kanë efekte financiare të parashikuara nga ky ligj.  Kjo nga njëra anë. Në rast se do më pyesni pastaj se cili është efekti financiar për subjektet private, këtu sigurisht që ka një lloj efekti financiar. Dhe po ua marr me shembuj: Sot që flasim në Tiranë privat të pakontrolluar nga shteti, të pakontrolluar nga asnjë lloj institucioni qoftë për standardin e sigurisë, qoftë për standardin e cilësisë, qoftë për standardin e të dhënave që mbledhin dhe shpërndajnë, janë mbi 2000 kamera sigurie nga privatët. Këto nuk i di njeri. Policia po bën një përpjekje për evidentimin dhe katalogimin e tyre. Po nuk i di njeri se kush i operon, si i operon, çfarë standard sigurie kanë dhe çfarë bëhet me të dhënat e tyre. Pra, po flasim për një situatë fakti që sot e kemi në jetën e përditshme. Po flas vetëm për Tiranën. Ndërkohë, po e njëjta situatë është edhe nëpër qytetet  e tjera të Shqipërisë.  
 
Mbi bazën e këtij ligji, ne këtyre subjekteve iu themi, marr shembull kamerat e sigurisë nuk mund të jenë kamera lodër. Nuk mund të jenë kamera që nuk japin asnjë lloj imazhi.  Duhet të kenë një standard të caktuar të imazhit. Sepse kanë ndodhur ngjarje kriminale kur ka qenë e pamundur të konsultohen kamerat gjatë hetimit penal dhe të përfitohen të dhëna të nevojshme për hetimin.

Vjedhja e bankës te ‘Stacioni i Trenit’ para disa muajsh, që ishte institucion mjaft i rëndësishëm financiar dhe kishte standard fare, fare skandaloz të kamerave të sigurisë. Gjë që nuk lejohet në asnjë vend të botës, për shkak të rëndësisë që ka, për shkak të funksionit që kryen, për shkak të vlerave të mëdha financiare e kështu me radhë.
 
Ndërkohë që ne themi  masat e sigurisë janë disa:
-Kamerat e sigurisë
-Kontraktimi i policisë private
-Vendosja e mjeteve teknologjike për shmangien e rreziqeve të caktuara supozoj për armët, vendosja e urave të kontrollit në njësi të veçanta të shërbimit, apo vendosja e pajisjeve të tjera, të cilat lejojnë identifikimin me mjete identifikuese, kartë identiteti për shembull. Ka disa lloj masash sigurie, të cilat ne i propozojmë me këtë  projektligj.
 
Që do të thotë, në rast se je në një lokal që ushtron aktivitetin nga ora 23:00 deri në 06:00 të mëngjesit, sigurisht duhet të kesh
- pajisje për të parandaluar hyrjen e klientëve me armë;
- dalje emergjence për frekuentuesit në rast rënieje zjarri;
- kontraktim të një kompanie sigurie private (vendet e zhvilluara kanë dhe numrin e punonjësve të kompanisë private të përcaktuar mbi bazën e raportit mes numrit të frekuentuesve dhe punonjësve të sigurisë policie, për shembull Anglia me 1 punonjës sigurie për çdo 20 frekuentues. Ne nuk po shkojmë deri këtu, por themi që duhet kontraktuar një kompani sigurie private për lokalet e natës.);
- kamera sigurie për pikat e karburantit që ushtrojnë aktivitetin  gjatë natës (vendet e tjera të botës nuk kanë fare operator që të shesë karburant gjatë natës, por përdorin automate ku qytetari fut lekët dhe merr karburantit vetë, e kjo për të shmangur kontaktin e grabitësit të mundshëm me kasierin që mban lekët  në xhep gjatë natës. Ne nuk po shkojmë deri këtu, sepse do të ishte barrë e shtuar financiare. Por po themi që minimumi duhet të ketë kamera sigurie. Kjo masa shtesë për kamerat  vlen dhe për një kopsht privat, shkollë apo kënd lojërash për fëmijët. Sot një pjesë patjetër i kanë, por mbi bazën e këtij ligji normohen mbi standarde të cilësisë. Dhe rregullohet marrëdhënia që duhet të ketë operatori privat me mbrojtjen e të dhënave dhe me Policinë e Shtetit (atëherë kur Policisë i duhet të parandalojë apo hetojë ngjarje kriminale). Kjo vlen dhe për një mjet transporti publik (taksi, autobus, mjet që transporton lëndë të rrezikshme), duhet të kenë masa sigurie shtesë. E ne nuk mund të presim që të ndodhin tragjedi në vend për t’u kujtuar për masat shtesë të sigurisë që duhet të ketë sipërmarrësi, qytetari, shoqëria e kështu me radhë.
 
Siç e thashë dhe në Komisionin e Sigurisë, përpara disa kohësh u grabit një kambist që mbante 100 mijë euro me vete dhe udhëtonte nga Tirana në Fier. Kjo situatë ndodh vetëm në Shqipëri! Sepse  në botë nuk ka qytetar që të ecë me 100 mijë euro me vete: i transportojnë paratë me bankë. Kambizmi ambulant është fenomen shqiptar. Nëse ky zotëri do i kish transferuar paratë nga Tirana në Fier me bankë, nuk do ishte subjekt i ekspozimit ndaj ngjarjeve kriminale.
 
Ajo që po themi është që formalizimi i jetës shoqërore, rregullimi ligjori marrëdhënieve ndërmjet njerëzve apo shoqërisë dhe institucioneve e bën shoqërinë më pak të ekspozuar ndaj ngjarjeve kriminale. Shembuj si  ai i mëparshëm i kambistit ka pafund. Tani është kollaj që edhe në rastin e grabitjes së kambistit gishti t’i drejtohet Policisë. Por çfarë mund të bëjë Policia? Në çdo kryeqytet të botës për një njeri që lëviz me 100 mijë euro me vete, sigurisht është i ekspozuar përpara një ngjarje kriminale, në Romë, Berlin dhe kudo. Prandaj dhe bota e ndalon që t’i tërheqësh nga banka kaq shumë lekë, jo më t’i marrësh me vete dhe të lëvizësh nga një qytet në tjetrin.
Ajo që dua të them është se barra financiare për sipërmarrësit, bazuar në këtë ligj është gjithmonë qindramijëra herë më e vogël sesa barra financiare apo kosto e paligjshmërisë dhe kriminalitetit. Përfitimi që kanë shoqëria, biznesi dhe qytetari është mijëra herë më e madhe sesa kosto që ka sot, që flasim pa hyrë ende në fuqi ligji.
Sa i takon barrës financiare për qytetarin kjo është sipas rastit, zero ose kur qytetarët bien dakort, këtu në rastet e pallateve, në mënyrë solidare aplikojnë masa sigurie shtesë. Kjo do të thotë që nëse asambleja e pallatit bie dakort se në këtë pallat duhet të merren masa sigurie shtesë, sepse kemi depozitat e ujit në bordrum dhe mund të jenë të ekspozuara ndaj riskut, ka një fqinj në pallatin tonë që ka qenë i dënuar për përdhunim apo ka qenë i dënuar për vrasje dhe sot është fqinji ynë, kjo do të thotë që duhet të marrim masa sigurie shtesë.

Policia vihet përpara detyrimit të njoftojë banorët që një ndër fqinjët tuaj ka rekorde kriminale të theksuara. Çdo kush duhet të jetë i vetëdijshëm për fqinjin që ka. Banorët mund të bien dakord për të marrë masa sigurie shtesë, supozoj të kenë roje sigurie në hyrje të pallatit apo të kenë kamera në hyrjet e jashtme të ambjenteve të komunitetit. Sot ka shumë njësi banimi që e kanë. Ne po flasim për marrëdhëniet që individwt në mënyrë kaotike janë përpjekur të rregullojnë.

Ndërkohë, ky ligj shtron bazën për të paracaktuar një marrëdhënie solide dhë të qëndrueshme në raport me individin, qytetarët, shoqërinë, institucionet vendore dhe shtetin dhe Policinë në veçanti. Në të gjitha rastet kostja është mijëra herë më e vogël sesa kostja e paligjshëmrisë dhe kriminalitetit. Kosto financiare po pse jo kosto e kaotizmit që prodhojmë me dashje në publik, duke kërcënuar besimin e qytetarëve te institucionet dhe Policia e Shtetit.

I kthehem sërish rastit të kambistit. Nëse për dikë është e lehtë të drejtoj gishtin te Policia e Shtetit kur një individ me 100 mijë euro në xhep grabitet, i kemi dhënë qytetarëve drejtimin e gabuar, kur ndërkohë duhet t’i themi që në asnjë mënyrë duhet të lëvizësh me 100 mijë euro me vete. Ku do që të shkosh në çdo vend të botës edhe në vendet që cilësohen si më të sigurtat në botë, nëse je një njeri që lëviz me 100 mijë euro në xhep je tepër i ekspozuar ndaj rrezikut për të qenë viktimë e një akti kriminal. Ne duhet të marrin masa për të shmangur këto premisa për ta bërë vendin më të sigurtë.
 


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)