TIRANE - Pas njoftimit se të hënën paraplegjikë e tetraplegjikë dhe të verbër do të protestojnë para kryesisë së Kuvendit, në një reagim për shtyp Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë konsideroi të nevojshme të sqarojë personat me aftësi të kufizuara dhe opinionin publik se ky projektligj sjell risi, respekton barazinë e të drejtave për të gjithë grupimet e personave me aftësi të kufizuara dhe bazohet mbi Konventën e OKB-së mbi këtë grupim.

Në këte deklaratë MMSR shtron 5 pika ku bazohet dhe justifikohet hartimi i këtij projektligji duke përsëritur gjithashtu më shumë se një herë se është i domosdoshëm për të eliminuar gradualisht diferencat aktuale në trajtimin e grupeve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi, etj.

Duke i’u referuar në mënyrë indirekte dhe deklaratave të kreut të Shoqatës së të Verbërve, zotit Sinan Tafaj, se po cënohen hapur kompetencat dhe fondet e shoqatave të PAK, në pikat 3, 4 dhe 5 të deklaratës për shtyp te MMSR flitet për ndryshime të nevojshme në të gjithë legjislacionin shqiptar, konfigurimin shumë-disiplinor të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe ngritjen e një Këshilli Kombëtar që përfshin edhe 5 anëtarë, persona me aftësi të kufizuara (përfaqësues organizatash).

Në deklaratë, përveçse ripërsëritet disa herë se ky projektligj është në përputhje me dispozitat e e Konventës së OKB-së për këtë kategori individësh gjithashtu edhe procesi i hartimit është bazuar në një bashkëpunim me aktorë të ndryshëm, institucione në nivel qendror dhe vendor, dhe përfaqësues të organizatave të fushës së aftësisë së kufizuar.

Projektligji:
 
1. Ruan të paprekura të gjitha të drejtat e arritura deri më tani për personat me aftësi të kufizuara.
 
2. Jep një përkufizim bazë dhe unik të personit me aftësi të kufizuara, që do të përdoret në gjithë legjislacionin shqiptar, kur preken çështjet e aftësisë së kufizuar duke eleminuar pabarazitë në trajtimin e personave me aftësi të kufizuar deri më sot.
 
3. Orienton ndryshime të nevojshme në të gjithë legjislacionin shqiptar, me qëllim përafrimin e legjislacionit të brendshëm me Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
 
4. Përcakton konfigurimin shumë-disiplinor të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, bazuar në Klasifikimin Ndërkombëtar për Funksionimin, Aftësitë e Kufizuara dhe Shëndetin (ICF), si standard të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
 
5. Ngre Këshillin Kombëtar për të diskutuar hapur mbrojtjen dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, ku do të jenë anëtarë edhe 5 persona me aftësi të kufizuara/përfaqësues organizatash, si strukturë e ngjashme në legjislacionet e tjera si ligji “Për mbrojtjen e fëmijëve” dhe ligji “Për barazinë gjinore”. Kriteret e përfaqësimit në këtë Këshill do të përcaktohen me akt nënligjor.
 
Ligji synon të eleminojë gradualisht diferencat aktuale në trajtimin e grupeve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi, etj.
 
Në vitin 2009, Qeveria Shqiptare e firmosi dhe në vitin 2012 Parlamenti Shqiptar e ratifikoi Konventën e  OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dokumenti i parë  ku të drejtat e personave me aftësi të kufizuara trajtohen nën këndvështrimin e të drejtave të njeriut. Me pranimin e kësaj Konvente, shtetit shqiptar i lindi detyrimi i respektimit të barabartë të të drejtave të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përqasur legjislacionin shqiptar me linjat e Konventës.
 
Projektligji u hartua me ndihmën teknike të ofruar nga UNDP dhe ka përfituar nga ekspertiza ligjore e njërës prej anëtareve të grupit të punës të OKB-së, e cila ka punuar edhe për hartimin e Konventës. Procesi i hartimit u bazua në bashkëpunimin me aktorë të ndryshëm, përfaqësues të institucioneve në nivel qendror dhe vendor, dhe përfaqësues të organizatave të fushës së aftësisë së kufizuar, pas një sërë takimesh publike. Çdo nen i ligjit është në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, sqaron Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)