Rreth 400 familje në Shqipëri, janë bërë shtëpi për fëmijët pa kujdes prindëror. Përveç atyre që kanë lidhje gjaku, pjesë e kësaj nisme madhore janë dhe familje joshqiptare, tashmë të integruar në shoqërinë tonë.
Deri më tani, numërohen rreth 15 familje pa lidhje gjaku ndërsa qeveria synon për zgjerimin e mëtejshëm të këtij numri duke u siguruar për transformimin e sistemit të kujdesit ndaj fëmijëve, nga kalimi i kujdesit institucional drejt familjes.
Zbatimi i ligjit të ri “Për Kujdesin Alternativ në Familje”, është një nismë e rëndësishme për Shqipërinë në kuadër të përmbushjes së një prej kushteve të ndërmjetme në fushën e të drejtave themelore, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Së fundmi, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, zhvilloi një takim me disa prej këtyre familjeve në Shkodër teksa vlerësoi rolin e tyre në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për fëmijët pa kujdes prindëror, ndërsa theksoi rolin kyç të ligjit të ri në fuqizimin e kujdesit alternativ.
Synimi kryesor është parandalimi i braktisjes së fëmijëve, si dhe mbështetja financiare dhe sociale e familjeve kujdestare. Nga Shkodra dua të falënderoj nga zemra të gjitha familjet që janë bërë pjesë e këtij programi kaq të rëndësishëm, si dhe stafin dhe partnerët tanë, Bashkimin Europian dhe UNICEF, për mbështetjen në hartimin dhe zbatimin e këtij ligji,” – u shpreh ministrja Sala.
Në takim i pranishëm ishte dhe kryetari i bashkisë Benet Beeci, i cili theksoi mbështetjen e pushtetit vendor për këtë reformë të rëndësishme sociale.
“Shkodra ka tre nga institucionet kombëtare të kujdesit dhe ne si bashki kemi qenë dhe do të vijojmë të jemi në mbështetje të plotë të tyre. Jemi mirënjohës për këtë ligj dhe shumë të kënaqur që nisja e zbatimit të tij po bëhet pikërisht nga Shkodra,” – u shpreh ai.
Komente









