Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka folur në Kuvend për projektligjin ‘Për shtetësinë’, ku janë propozuar disa ndryshime ligjore që synojnë lehtësimin e procedurave për marrjen e pasaportës shqiptare nga të rinjtë e talentuar që jetojnë në trevat shqiptare, por jo vetëm.
Në fjalën e saj, ministrja solli shembull futbollistët që luajnë me kombëtaren shqiptare, Asanin dhe Dakun, të cilët pavarësisht dëshirës për të luajtur me fanellën kuqezi që në fëmijëri, e realizuan atë vetëm pasi mbushën 18 vjeç dhe morën pasaportën.
“Dua t’iu ftoj të përfytyroni historinë tjetër, atë ku Daku dhe Asani, apo Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami, apo Ylber Ramadani të kishin pasur mundësinë të plotësonin ëndrrën e tyre e të luanin për fanellën kuqezi që në moshë të vogël, në të gjithë ekipet zinxhir të kombëtares tonë. Kushedi se sa ekipe të suksesshme dhe sa suksese sportive do t’i kishin dhuruar anembanë të gjithë shqiptarëve, qoftë pozitë apo opozitë”, tha ministrja Muzhaqi.
Muzhaqi theksoi se ky projektligj synon që t’u japë mundësinë të gjithë atyre talenteve të spikatura në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, dhe sportit të fitojnë shtetësinë shqiptare edhe pa mbushur moshën 18 vjeç.
Teksa u bëri thirrje gjithë deputetëve që të votojnë ndryshimet në projekligjin për Shtetësinë, ministrja tha se këto ndryshime i përgjigjen mbi të gjitha interesit kombëtar, ngritjes së imazhit të Shqipërisë përmes arritjes sukseseve në aktivitetet evropiane dhe botërore.
Lajtmotivi i diskutimeve, i komenteve dhe reflektimeve në çdo shtëpi, qytet dhe vend kuvendimi fizik apo online mes shqiptarëve ka qenë ndeshja e datës 10 shtator dhe fitorja e kombëtares së futbollit me Poloninë. Loja e bukur, rezultati i arritur dhe gëzimi i fitores ka çuar peshë zemrat dhe mendjen e shqiptarëve anembanë dhe ka bërë që i madh e i vogël të ëndërrojnë për mundësinë e pjesëmarrjes në finalet e kampionatit evropian.
Ky sukses, i cili i atribuohet patjetër punës dhe mundit të djemve të kombëtares, por edhe stafit teknik, mbart nga pas, megjithatë, dhe një histori që nuk shquhet dhe thuhet aq sa duhet.
Jasir Asani shënuesi i golit të parë në ndeshje, është një djalë i lindur në Shkup nga prindër shqiptar, që ka luajtur gjithë ekipet zinxhir të kombëtares së Maqedonisë së Veriut dhe që pati mundësinë të luante me ekipin e tij të zemrës vetëm pasi mundi të merrte shtetësinë shqiptare, pas moshës 18 vjeç.
Mirlind Daku, golëshënuesi i dytë në ndeshjen me Poloninë, ështe një djalë i lindur në Gjilan. Edhe Mirlindi, sikundër Jasiri, fitoi të drejtën të luftojë me ngjyrat kuq e zi vetëm pas moshës 18 vjeç, pasi pati mundësinë të merrte shtetësinë shqiptare.
Të nderuar deputetë, sot është paraqitur para jush për miratim projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, që do ti jap mundësinë të gjithë atyre talenteve të spikatura në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, dhe sportit të fitojnë shtetësinë shqiptare edhe pa mbushur moshën 18 vjeç.
Këto ndryshime i përgjigjen mbi të gjitha një interesi kombëtar, atë të ngritjes së imazhit të Shqipërisë përmes arritjes së ekselencës dhe sukseseve në aktivitetet evropiane dhe botërore. Po t’i referohemi fushës së sportit, si fusha që pritet të ndikohet më tepër nga ky ligj, tërheqja e talenteve të reja në ekipet kombëtare do të rris konkurencën, nivelin e lojës dhe rezultatet sportive duke ndikuar rrjedhimisht edhe në zhvillimin e sportit në Shqipëri.
Fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për histori suksesi që motivojnë, përveçse kushteve për të zhvilluar talentin e tyre. Kur Lara Kolturi mori shtetësinë shqiptare dhe filloi të përfaqësonte Shqipërinë në kampionatet botërorë të skive, jo vetëm shtroi rrugën për në kompeticionet sportive që vendi ynë nuk i kishte traditë t’i shkelte, por ndikoi në të njëjtën kohë, në rritjen e përqafimit të sportit të skive nga shumë të rinj dhe të reja në vendit tonë. Pikërisht, kjo është e magjia e sportit.
Prandaj dhe përpjekjet tona për nxitjen e lëvizjes sportive mes të rinjve në vend do të vazhdojnë siç kanë vijuar më përpara. Dhe këtu dua t’ju rikujtoj një program tepër të suksesshëm, që ka qenë Programi i Ekipeve Sportive në shkolla, ku kanë marrë pjesë 10000 fëmijë, 300 shkolla të Republikës së Shqipërisë, 727 ekipe, 419 trajnerë dhe janë zhvilluar në total 489 ndeshje, duke krijuar kështu një frymë të re sportive në vendin tonë. Sigurisht, ky program do të vijojë edhe këtë vit, duke rritur dhe më tej angazhimin dhe mbështetjen për fëmijët dhe të rinjtë tanë, që sporti të jetë pjesë e jetës së tyre, për të rritur fëmijë të shëndetshëm dhe aktivë.
Të nderuar deputete dhe deputetë, projektligji që u është paraqitur sot për miratim ka qenë objekt i një shqyrtimi rigoroz në Komisionet e Kuvendit, ku është vlerësuar si nga pikëpamja e efekteve të pritshme, por dhe nga përputhja me konventat për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijës, atë për shtetësinë dhe reduktimin e pashtetësisë, por edhe praktikën e shteteve të tjera. Puna juaj ka qenë e përligjur, pasi çështja e shtetësisë nuk është çështje partish, por përbën një nga shtyllat mbi të cilat ngrihet një vend. Prandaj, uroj dhe ju koleg që pas gjithë këtyre diskutimeve të keni sheshuar pikëpyetjet tuaja dhe të jepni konsensusin që kërkon Kushtetuta dhe interesi kombëtar. Në çdo rast unë dua t’ju përgëzoj dhe t’ju mbështes përpjekjet tuaja që kanë synuar vendosjen e interesit më të lartë të fëmijës në qendër të procesit ligjor të fitimit të shtetësisë shqiptare.
Për ta mbyllur, dua t’ju kërkoj dhe nje herë të mendoni natën e magjishme të 10 shtatorit, por këtë herë ta mendoni pa pjesëmarrjen në fushë të dy heronjve kuqezi, pa Dakun, pa Asanin, të mendoni sa shumë gëzime dhe sa shumë ëndrra do ishin davaritur nga jetët e shqiptarëve në mungesë të asaj nate.
Apo më mirë akoma, dua t’ju ftoj të përfytyroni historinë tjetër, atë ku Daku dhe Asani, apo Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami, apo Ylber Ramadani të kishin pasur mundësinë të plotësonin ëndrrën e tyre e të luanin për fanellën kuqezi që në moshë të vogël, në të gjithë ekipet zinxhir të kombëtares tonë. Kushedi se sa ekipe të suksesshme dhe sa suksese sportive do t’i kishin dhuruar anembanë të gjithë shqiptarëve, qoftë pozitë apo opozitë.”-tha Muzhaqi.
Lajmi kryesor: