Në komisionet parlamentare u vendos që sa i përket ligjit për sponsorizimet, tavani i kompensueshëm të rritet nga 2 miliardë në 3 miliardë euro.
Propozimi i deputetëve Erion Braçe dhe Taulant Balla u pranua gjatë diskutimit në komisionin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në atë të Ekonomisë.
Projektligji parashikon se të gjitha bizneset që do të sponsorizojnë artin, kulturën dhe sportin tanimë do të përfitojnë lehtësira financare.
“Bëni një përpjekje e pyesni sa ka shpenzuar Egnatia vit për vit për të arritur një objektiv sportiv dhe ekonomik siç është hyrja në grupet e Europa Conference League; pyeteni është për përfitimin ekonomik dhe do e kuptoni pse tavani është i pamjaftueshëm”, tha Braçe.
Për më tepër projektligji, përfshin jo vetëm sportet, por dhe artin e kulturën, duke rrezikuar që sponsorizimet nga biznesi të shkojnë në një numër të kufizuar skuadrash sportive, apo eventesh artistike.
Gjithashtu skema e propozuar për sponsorizimet ofron një mekanizëm të ri që e bën më tërheqës angazhimin e një sipërmarrjeje për të dhënë mbështetje financiare për aktivitetet sportive, artistike e kulturore, por duke përcaktuar nga ana tjetër dhe një listë me kategoritë e personave dhe biznesve që përjashtohen nga kjo mundësi.
Projektligji ka një nen të posaçëm me kufizimet për donacionet dhe sponsorizimet. Këto kufizime prekin personat e dënuar me vendim të formës së prerë për të paktën tetë vepra penale që shtrihen nga korrupsioni, pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, trafikimi i paligjshëm, deri te fshehja e të ardhurave, mospagimi i taksave e falsifikimi i dokumenteve. Të përjashtuar dhe personat ndaj të cilëve ka masa shtrënguese ndërkombëtare për ngrirjen e fondeve dhe pasurive.
Një shoqëri që është në proces falimentimi, që ka pezulluar aktivitetin apo ka marëveshje për shlyerje borxhesh, nuk mund të jetë donator apo sponsorizues.
I njëjti ndalim edhe për kompanitë e duhanit e pijeve alkoolike, e ato që i importojnë apo eksportojnë këto produkte, si dhe ato që reklamojnë lojërat e fatit.
Në këtë listë përfshihen dhe subjektet buxhetore dhe shoqëritë, ku shteti zotëron aksione.
Të gjitha donacionet dhe sponsorizimet duhet të jenë të deklaruara. Ato anonime janë të ndaluara, sipas projektligjit.










Komente
Komento